Meqënëse Kryeministri Rama del në foltoren e Kuvendit, ashtu siç bëri në 30 korrikun e kaluar, me kravatë në stil “Chavez” në të cilën ishte shkruar fjala “revolution” dhe sulmon me emër ambasadoren amerikane se ka shkelur sovranitetin e Shqipërisë, atëherë Sali Berisha, i cili është një ish-pushtetar, tani që u shpall i padëshiruar nga SHBA, ka të drejtë të thotë disa gjëra të cilat normalisht nuk mund t’ i thonte dot deri më sot.
-Nuk ka asnjë ngjarje në Shqipëri e cila quhet si çështje e madhe korrupsioni ku të mos ketë përzierje të drejtpërdrejtë amerikane në atë mënyrë që ajo gjë nuk do të mund të ishte kryer pa përfshirjen e një kompanie amerikane apo të individëve të dyshimtë amerikanë, me përfshirjen e qartë të zyrtarëve shtetërore amerikanë.
-Çështja e vjedhjes së parave publike në Rrugën e Kombit është një rast domethënës i tillë. Nëse është vjedhur në ndërtimin e saj, kjo gjë është bërë nëpërmjet kompanisë amerikane “Bechtel”, e cila i ka marrë paratë dhe pastaj ua ka kaluar Berishës dhe Bashës.
-Në çështjen e Gërdecit ishte e përzier drejtpërdrejt një kompani amerikane e cila kishte marrë nga Qeveria e Shqipërisë të drejtën për çmontimin e municioneve. Prokuroria e Shqipërisë nuk e mori të pandehur titullarin e kësaj kompanie siç bëri me Delijorgjin, madje as e hetoi fare.
-Sa i përket Çështjes “Trebicka-Diveroli”, pra shitjes së municioneve në Afganistan, Ambasada Amerikane në Tiranë kishte rekomanduar si partner të Diverolit në Shqipëri pronarin e bordellit ilegal me vajza filipinase të marinsave të ambasadës amerikane. Ky zotëri, me kompaninë e tij bënte nxjerrjen e fishekëve nga kutitë me mbishkrime kineze dhe i ripaketonte në ato me mbishkrime shqip, për t’ i shitur si prodhim shqiptar, në mënyrë që të shmangej ndalimi ligjor amerikan për blerjen e municioneve kineze.
-Fatos Nano, ish-kryeministër i Shqipërisë, në korrik 1993, kur ishte kryetar i opozitës tre ditë para se të arrestohej ka akuzuar publikisht ambasadorin amerikan në Shqipëri të kohës Ryerson dhe diplomatin e kësaj ambasade Chris Hill si përgjegjës për arrestimin e tij.
Arsyeja që Nanoja nuk e tha ishte se në 15 qershor 1993, Nanoja u takua në Athinë me kryetarin e opozitës greke Andreas Papandreu i cili atë vit pritej të bëhej kryeministër, gjë që ndodhi, dhe më këtë rast u shpall Deklarata Papandreu-Nano ku thuhej se nuk duhej që të vinin trupa nga jashtë Ballkanit për të zgjidhur krizat në Ballkan. Fjala ishte pikësëpari për ardhjen e trupave amerikane në Maqedoni dhe më tej për mundësinë e ardhjes së trupave amerikane dhe të NATO-s në pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë, gjë që nuk e donte Milosheviçi.
-Kur në 1995, në Shqipëri erdhën me dronët amerikanë “Predator” (përdorimi i parë i dronëve në misione ushtarake në histori), gjë që u bë me lejën e Presidentit Berisha dhe të Qeverisë së PD-së, Partia Socialiste në opozitë ishte zyrtarisht kundër dhe e quajti këtë gjë si të rrezikshme për sigurinë e vendit.
-Gazeta “Koha Jonë”, e mbështetur nga Sorosi, në atë kohë media kryesore e opozitës, u tërbua krejt duke i shpallur praktikisht luftë SHBA dhe duke sajuar histori të grindjeve mes ushtarëve amerikanë dhe atyre shqiptarë.
-Në tetor 1995, para se të niste Konferenca e Dayton për Bosnjë-Herzegovinën, njerëzit e CIA-s në Shqipëri ishin shumë të shqetësuar për shkak të disa individëve shqiptarë të ish-Jugosllavisë të cilët nëpër kafeteritë e Tiranës paraqiteshin si luftëtarë të çështjes së Kosovës dhe ngrinin zërin duke thënë që do ta shikoni sesi Kosovës do t’ i dëgjohet zëri në Dayton. Amerikanët dyshonin se ky ishte një skenar serb që të gjente shkak Milosheviçi për të mos shkuar në Dayton për shkak se do të shkrepeshin disa pushkë në kufirin e Shqipërisë me Jugosllavinë e mbetur përkundrejt Kosovës. Më i zëshmi i këtyre individëve ishte Remzi Hoxha. Shërbimi i fshehtë i Shqipërisë ndërhyri duke e ndaluar zbatimin e këtij skenari serb.
-Kur pas vendosjes së embargos ndaj Jugosllavisë së mbetur në 1992 Milosheviçi donte t’ i rrëzonte drejtuesit e Malit të Zi të papëlqyeshëm për të, duke përdorur armën e naftës SHBA i kërkoi Shqipërisë që të lejonte furnizimin e Malit të Zi me naftë. Kuptohet se amerikanët e bënë këtë gjë sepse në planet e tyre më të largta ishte pavarësimi i Malit të Zi, gjë që Milosheviçi e kuptonte mirë.
– SHBA tashmë ka pranuar zyrtarisht se CIA ka kryer grushtin e shtetit në Kili në 1973. Dikur do të ndodhë që SHBA të pranojë zyrtarisht se CIA e drejtuar nga greko-amerikani George Tenet qëndronte pas ngjarjeve të vitit 1997 në Shqipëri. Është e vërtetë se Sali Berisha vodhi zgjedhjet e vitit 1996, se të shtuquajturat skema piramidale në Shqipëri kryenin pastrim parash. Por rënia e skemave piramidale, sulmet ndaj depove ushtarake të armatimit dhe rrëmbimi i armëve, sulmi i armatosur ndaj të gjitha selive të institucioneve shtetërore, qendrore dhe vendore nën simbolin serb të tre gishtave, të dokumentuar gjerësisht nga mediat e mëdha ndërkombëtare, janë “slam dunk” vepër e CIA-s së Tenet. Këtu po përdor shprehjen që Tenet i tha Presidentit Bush i Riu për çështjen e armëve të shkatërrimit në masë të Irakut se kjo ishte një “slam dunk case”, pra gjë e sigurt.
Krijimi i skemave të quajtura më vonë piramidale në Shqipëri ishte version shqiptar i off-shoreve që kanë shumë vende duke përfshirë dhe vende të Bashkimit Europia. Në rastin e Shqipërisë ishte kompensim që Perëndimi na bënte për ndihmën ekonomike të munguar gjatë kohës së Luftës së Ftohtë për shkak se Enver Hoxha e izoloi Shqipërinë, duke mos i mundësuar të merrte ndihmë ekonomike perëndimore si Jugosllavia e Titos. Skemat e quajtura piramidale ishin të projektuara të vepronin deri në vitin 2000, prej këtej parulla e Berishës në zgjedhjet e vitit 1996: Vizion 2000. Por CIA e Tenet ua mbylli rubinetin “off-shore”-ve shqiptarë në fund të vitit 1996, me qëllim që të nxiteshin trazirat në vend.
-Në dosjet sekrete amerikane për Shqipërinë është edhe njëra e të dërguarit të posaçëm në vitet nëntëdhjetë, Charles Walsh, të maskuar si zyrtar kulturor, i cili në 1996 kur CIA vendosi përmbysjen e regjimit të Berishës përpunoi skenarin e përmbysjes të mbështetur në llogarinë e tij se regjimi në fuqi në Shqipëri bie nëse vriten pesëdhjetë policë, ushtarakë dhe oficerë të shërbimit të fshehtë. Kaq u vranë midis shkurtit dhe qershorit 1997. Në Ambasadën Amerikane në Tiranë e dinë mirë se kjo nuk është fantazia ime por një e vërtetë historike tashmë. Në zbatim të këtij skenari, Edi Rama, kryeministri i sotëm nënshkroi në janar 1997 një thirrje publike të intelektualëve sorosianë ku thuhej se institucionet e pushtetit që bëhen shtypëse për shoqërinë duhen korrigjuar me anë të flakës. Edhe kjo është e dokumentuar. Nëse do Kryeministri le të më padisë për shpifje dhe ia vërtetoj në gjyq, “slam dunk”.
-Krijuesit dhe drejtuesit e kompanive huamarrëse në Shqipëri, të njohura si skema piramidale, u evakuan nga Shqipëria në mars 1997 me helikopterë ushtarakë amerikanë nën mbrojtjen e marinsave.
-Në shtator 1998 pas vrasjes së Azem Hajdarit, kur amerikanët i bënin presion Berishës që të qetësonte mbështetësit e tij të cilët ishin duke bërë kryengritje, Berishës i erdhi një ofertë nga Milosheviçi për mbështetje me para armë dhe gjithçka donte nëse do të krijonte Republikën e Shqipërisë Veriore ku kishte mbështetje të madhe popullore, duke sarajevizuar edhe Tiranën, që do ta ndahej duke u tërhequr mbështetësit e tij në pjesën veriore të kryeqytetit. Berisha nuk e pranoi këtë ofertë.
Me këtë Milosheviçi donte që të bënte të pamundur ndërhyrjen ushtarake të NATO-s kundër Serbisë, që pritej të ndodhte për shkak të luftës në Kosovë. Mënyra më e mirë për ta penguar këtë ndërhyrje ishte që NATO-ja të detyrohej që të ndërhynte ushtarakisht në Shqipëri. Milosheviçi në këmbim të mbështetjes së tij kërkonte që të ndalohej veprimtaria e UÇK në Veriun e Shqipërisë./Kastriot Myftaraj