Tre poezi nga z. RAMIJE UKAJ
GJURMËVE TË VETMISË
Kot i dal hijes përpara
Ajo prapë më kthen në fëmijëri
Kohën e humbur ma kërkon
Që të buzëqeshi përsëri
E panënë u nisa udhëve të jetës
Ku shpesh kam zbritur në vetmi
Veç me hijen time bridhnim
Gjurmëve të njoma për dashuri
Me pika loti vizatoja ëndrrën
Dhe shprishja gërshetin e vetmisë
Midis mureve të ftohta akull
Prisja hënën që të shndrisë
Tani zgjohem me rreze dielli
Dhe shkundi pluhurin e mërzisë
E buzëqeshur i hapi dritaret
Që të hyjë flladi i dashurisë.
ORA PA NUMRA
Mbaj mend një kohë pa orë
Ku para luleve më zinte gjumi
Me rreze të para zgjohesha
Dhe vrap nisesha kah lumi
U rrita me cicërima të bilbilit
Nën ujëvarën e Korishës
Kohën e matja me hijen time
Dhe këngën e bareshës
E kujtoj mungesën e nënës
Kur jetës m`i humbi kuptimi
Vetëm babai më ngushëllonte
Me buzëqeshje pikëllimi
Ora ime nuk kishte numra
Dhe një pjesë të jetës e harroi
Tani flokët mi merr era
Por me mall atë kohë e kujtoj.
DRITARJA E VETMISË
Në dritaren e mërgimit
Pas perdes i fshinte lotët
Si foshnje e lidhur në djep
Më shikonte a jam përlotë
Me dhimbje nëne e përcolla
Se zemra përgjysmë m`u ça
Sikur një plagë shpirti
Rrjedh malli për te pa pra
Tani në dritaren e vetmisë
I kam hequr perdet e vjeshtës
Përbri xhamit të mjegullt
Shkruaj kodin e heshtjes
Përtej mureve të ftohta
Shumë kohë kanë kaluar
Mbrapa gjurmëve tua, bir
Hija ime ka me të ngushëlluar.