NDOSHTA JEMI NJERËZ TE NAMUN…!
Mbetet për t’u trajtuar nga teologët tanë. Mbase jemi popull i namur. Mos ndofta të parët tanë të origjinës farefisnore kanë mëkatuar dashje pa dashje?! Ndryshe s’ka se si ky popull mjeran të mbetet mbrapa me dekada nga popujt e vendeve rreth e përqark Ballkanit. Çdo shekull mbetemi nga një dekadë së paku mbrapa. Perëndia është treguar më shumë se sa bujar me vendin e të parëve tanë. Asgjë s’i mungon Shqipërisë, flora e pasur me dete, lumenj e liqene, me pyje e fusha pjellore. Një perlë e vërtetë në kërthizë të Europës. Me pasuri të pallogaritshme minerale tokësore dhe nëntokësore. Me turizëm në të gjitha stinët. Të gjitha resurset i kemi falë bujarisë së nënës natyrë. Mirëpo, për ironi të fatit ndofta populli ynë gjithnjë mbetet i prapambetur, i varfër dhe argat në dheun e huaj. Sot pas afro çerek shekulli demek demokraci akoma mbetet kryefjala e ditës buka, uji dhe energjia,
d.m.th mjetet bazë të jetesës. Mbi 125 mijë familje shqiptare jetojnë në skamje ekstreme, ku marrin bukën me listë dhe s’kanë mundësinë më të vogël të shlyejnë as faturat e energjisë elektrike dhe të ujit. Askush të mos mendojë për kapriçozitet të këtyre mjeranëve. Askush nuk mund të dojë të jetë borxhli as në shtet as në shoqëri. Çdo individ ka domosdo sedrën dhe personalitetin e tij njerëzor. Ndaj po mendoj, ne si popull ndofta jemi të namur?!
Nga
PRENG PJETRI
botuar më parë te gazeta DITA&SHEKULLI.