Maturantë të 2020-ës
Pavarësisht se drejtimi i saj profesional është shkencor, punon si mësuese kimie, Manushaqe Hoxha Laçi ka pasion edhe të shkruajë. Këtë poezi ajo e ka krijuar për maturantët në përgjithësi dhe për maturën XII-D në veçanti të shkollës së mesme “Skënderbeu” Krumë të Hasit për t’u uruar atyre suksese në vazhdim.
Maturantë 2020
Në shpirt pafundësi ndjenjash
lumenj dëshirash e ëndrrash pushtuar.
Me kohën ecën rrjedha e kujtimeve
në prehrin e saj shpeshherë pushuam.
Emocione mbresëlënëse kur gjimnazin filluat
me të tjerë mësues e shoqëri të re.
Së bashku rrugën e dijes vazhduam
ndatë kënaqësitë e shqetësimet me ne.
Përvoja shkëmbyem në vite rrugëtim
kaluar nëpër shtigje e kapërcyer vështirësi.
Njohuritë i thelluat me përkushtim
jeni e ardhmja që do ndriçojë në përjetësi.
Bashkë me kohën ecni dhe ju
në shtigje të reja e rrugë të pashkelura.
Do lini gjurmët si trashëgimi
nga burimi i shpirtit dhe mendjeve të mprehta.
Në urat e dijes që për ju u ndërtuan
ecët të sigurtë me mësuesit në krah.
U inkurajuat të ndërtoni urat tuaja
na dhuruat nga bota juaj të ëmblin nektar.
Shijuam kënaqësinë e kryerjes së misionit
lumturi morëm nga bashkëpunimi juaj.
Ecëm bashkë mes sakrificës e emocionit
të gjitha mundësitë e arsimimit shfrytëzuam.
Në shkallën e dijes po rriteni vazhdimisht
me sytë e mendjes nga e ardhmja drejtuar.
Për suksesin duhet punë me vetmohim
dinjitetin e personalitetin për të forcuar.
Drejt horizonteve ecët pa përtesë
në shkretëtirën e injorancës pa ndaluar.
Nga burimi i pashtershëm i dijes merrni jetë
ëndërrimtari nuk rrëzohet penguar.
Këngë malli me refren maturantësh
zemra e ka gati në përjetësi.
Lot dashurie prekin telat përmallshëm
ju urojmë suksese e mbarësi.
Manushaqe Hoxha Laçi

Meditim
Fallsitet e mashtrime
në këtë botë sillen kudo
mbushur gënjeshtra e zhgënjime
që gjithkund dhimbje lëshon.
Në fasadë pikturë lumturie
brenda saj shpirtra zhubrosur
që shtypin ndjenjat pa pikë mëshire
e të gjallë të mbajnë varrosur,
Mos lejo o njeri
botë e jashtme të të ndotë
bëhu zot i jetës tënde
shpirtkulluar të kesh gjithmonë.
Të kesh diellin brenda vetes
dhe njerzillëkun në shpirt
pa ushqyer kurrë urrejtje
të dhurosh veç dashuri.
Për ju maturantë!
Ju përgëzojmë maturantë që bashkëpunuat me përkushtim e sakrificë me arsimtarët, librin, njëri-tjetrin për t’u ngjitur në shkallët e dijes! Mësuat që nuk duhet vetëm të ëndërroni për suksesin por të punoni për ta arritur si dhe të luftoni për të mposhtur padijen dhe jo për të mposhtur një provim!
Të shkruash për ju nuk është e lehtë, pasi mbani në shpirtin tuaj pafundësi ndjenjash, dëshirash e ëndrrash, të cilat ju shoqërojnë në çdo hap që hidhni.
Koha kalon e ne ecim krahë saj në përpjekje për ta shfrytëzuar dhe për të marrë më të mirën. Gjithçka: çaste, persona, vende, kujtime kanë peshën e tyre në jetë sa herë kthejmë kokën pas.
Në mendjen e secilit nga ju është ndjenja që provuat kur filluat klasën e dhjetë, me të tjerë mësues e shoqëri të re me të cilët do të vazhdonit rrugën e dijes, do të ndanit kënaqësitë e shqetësimet, do të shkëmbenit përvoja…!
Në tre vjet, në rrugëtimin tuaj si gjimnazistë, morët njohuri të reja dhe thelluat njohuritë e mëparshme; njohët shoqëri të re, ndërsa një pjesë e juaja e mbajti dhe forcoi shoqërinë e fëmijërisë e adoleshencës. Së bashku kemi kaluar nëpër shtigje e kapërcyer vështirësi.
Ju jeni e ardhmja që do të ndriçojë nga brendësia e shpirtit dhe mendjes tuaj. Bashkë me kohën do të ecni dhe ju drejt shtigjeve të reja, në rrugë të pashkelura ku do të lini gjurmët tuaja.
Gjatë këtyre viteve ecët në urat e dijes që ndërtuan mësuesit, duke pranuar ftesën e vlerësuar ndihmën për t’ju lehtësuar kalimin si dhe u inkurajuat të krijoni e ndërtoni urat tuaja të dijes! Tre vjet ishim përkrah jush duke na mbushur zemrën me mirësinë, bukurinë, çiltërsinë, ëndrrat, shpresat, guximin, besimin tuaj.
Në këto tre vjet, nuk ishim vetëm mësues, por dhe nxënës duke marrë nektar nga shpirti e mendja juaj! Jeni ju që na jepni kënaqësinë e profesionit dhe shtytjen përpara duke na dhënë nderin të shndërrohemi në mësues heronj, pasi për brezin e ri, të ardhmen e vendit, vetësakrifikohemi me dëshirë. Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa kur marrim vlerësim nga ju për misionin e kryer në rrugëtimin e dijes në këto ditë të vështira që kaluam të gjithë!
Ju përgëzojmë maturantë (dhe jo vetëm) që bashkëpunuat me përkushtim e sakrificë me arsimtarët, librin, njëri-tjetrin duke shfrytëzuar të gjitha mjetet që ishin vënë në dispozicion për t’u ngjitur në shkallët e dijes!
Bashkë me ju punuam për të rritur nivelin e të nxënit, duke drejtuar sytë e mendjes për të kuptuar mendimin si dhe për të dëgjuar me kujdes idetë tuaja, duke bërë gërshetimin e mësimit pedagogjik me atë social-edukativ.
U inkurajuam të zotërojmë intuitën e njohjes së psikologjisë së moshës për lartësimin e dinjitetit, gjë që ndihmoi edhe në formimin e personalitetit tuaj.
Mësuat që nuk duhet vetëm të ëndërroni për suksesin por të punoni për ta arritur si dhe të luftoni për të mposhtur padijen dhe jo për të mposhtur një provim!
