13.5 C
Tiranë
E mërkurë, 22 Prill 2026

ERIS RUSI KRYETAR I KLUBIT TË SHKRIMTARËVE “BOTA E RE” KORÇË

Titulli: Thirrja ime
Autor: Erinda Medolli
Redaktor: Eris Rusi
Përgatiti për botim: Roland Lushi
©Të gjitha të drejtat i përkasin autores
ISBN: 978-9928-326-04-1
Botimi i parë, 2020
Formati : 14x20cm
Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr.Mihal Grameno Pall.32 Ap.7 Tiranë
Cel: 068 22 190 16
Tiranë, Maj 2020
Dy fjalë për lexuesin
Jetojmë në një kohë kur gjithçka që lidhet me krijimin, me librat, me poezinë, shikohet me dyshim dhe pyetja e parë që duket sikur është në mendjen e të gjithëve tingëllon: Akoma vazhdojnë të shkruajnë poezi? Ende ka poetë që merren me botime librash, kur lexuesit janë bërë të rrallë e të pagjetshëm në ditët e sotme?
Duket sikur është një sfidë jo shkrimi, por botimi i librit, sepse gjithkush e ndjen që të paktë do të jenë ata që e jetojnë me pasion daljen në dritë të një teksti të ri.
Ky lloj paradoksi i kohës sonë, kur ka shumë gjëra që mund të na ngazëllejnë, e mes atyre edhe libri, hidhet poshtë nga funksioni që poezia ka në thelb: të ofrojë lirinë maksimale në një hapësirë minimale.
Krijimi poetik lidhet me përfytyrimin, me endjen, me forcën e jashtëzakonshme që shpirti i njeriut ka për të thirrur pranë vetes ëndrrat dhe mallin e largët, dashurinë dhe brengën, stinët e ngrohta dhe akullnajat e jetës, e ky privilegj i atij që shkruan poezi, mund të jetë shumë mirë edhe privilegj i atyre që e lexojnë poezinë.
Në këtë kontekst, libri i parë i krijueses Erinda Medolli, ka një domethënie specifike, vjen në formën e një zëri të mbajtur shumë kohë përbrenda, që më në fund kërkon çlirimin dhe vrapon tek lexuesit si një thirrje, si “Thirrja ime”.
Ky është titulli i këtij libri dhe ne shohim që krijimet e përfshira në të, kanë një domethënie që e kalon eksperiencën personale të autores, synojnë që të pasurojnë zemrën e lexuesit, janë si një ledhatim për shpirtin, ku mund të gjendet strehë.
POEZIA E SHPIRTIT
Në shpirtin tim fle poezia,
E ndjek tek rritet, si më miklon,
Të dalë prej meje të ndjehet,
Në të tjerë njerëz të shkojë!
Kjo ndodh kur dhimbja më pushton
E zogjtë e shqetësimeve lëshohen,
Kumbojnë trishtimin mbi kraharor
Dhe ëndrrat seç më zgjohen!
Pse shkruaj, vallë, pse?
Por jo çdo sëmbim i zemrës,
Mund të thuhet me fjalë,
Nga larg ju mundet të shihni,
Majën e ajsbergut,
Dhimbjen time bardhë!
Në këtë poezi ne mund të dallojmë një shpirt që nuk dorëzohet, por merr forcë dhe kristalizon mes fjalëve një emocion që s’është më vetëm i autores, por shndërrohen në një turbullim edhe për vetë lexuesin.
Fjalët e zemrës nuk thuhen dot me fjalë, por shprehen me kumt poetik, e shpirti i Erindës dëshmon një forcë të habitshme, kur numëron të gjitha vështirësitë që nuk e kanë rrëzuar, por përkundrazi e kanë bërë më të fortë dhe e kanë lejuar t’i bëjë ballë padrejtësive.
Përmes poezive të saj, Erinda Medolli ndërmerr një rrugëtim për të zbuluar vetveten dhe botën, hyn në marrëdhënie me misterin e jetës, shtegton në labirintet e kujtesës dhe lidhet fort pas ndjenjës së dashurisë për fëmijët e saj, për motrën, për miqtë e mirë e të sinqertë që janë gjithçka mund të dëshirojë njeriu në jetë.
Ndaj ju ftoj ta lexoni këtë libër, të afroni pas vetes ndjesitë, meditimin, pasionin e Erindës, e vetëm kështu do të përjetoni jehonën e thellë dhe të fortë të jetës që ndjehet në vargjet e librit, jehonë që ka për ta bërë edhe përfytyrimin tuaj të marrë një ngjyrë të ëmbël, të ëndërrt, siç di ta bëjë vetëm poezia.
ERIS RUSI
KRYETAR I KLUBIT TË SHKRIMTARËVE “BOTA E RE” KORÇË
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.