Në kohë të jashtëzakonshme, një aktivitet i jashtëzakonshëm me krijues e artistë nga të gjitha trevat shqiptare.
Po ndaj me ju poezinë time ” ME FJALË” që u vlerësua nga juria me çmimin e parë.
Nder dhe kënaqësi ta dorëzojë çmimin ikona e Kinematografisë shqiptare Margarita Xhepa.
Bijat e të njëjtit qytet krahë njera tjetrës.
ME FJALË.
Pasuri të vlerë kam fjalën
Po fjalën kam të vetmen armë
Me fjalën kam ndërtuar shtëpiza prej shpirti
Portrete zotash me karmë
Ka ndodhur shpesh me fjalën të grindem
Ka ndodhur me fjalën t`kem rënë në dashuri
Pëshpërimat ka ndodhur të më kthehen në fllad
Njëlloj më janë kthyer në stuhi
S`ka ndodhur kurrë me fjalën të bëj pazare
E kurrë pazare me fjalë nuk kam bërë
Ka ndodhur para fjalës të ul në fron heshtjen
Dhe heshtja më pas, më ka plagosur pa fjalë
Me fjalë i qëndisa të gjitha dhimbjet
Qëndismat që m`stolisën nusëri e pajë
Ka ndodhur që fjalët më kanë djegur llavë
Kur m`dogjën ashtën, më bënë akullnajë
Me gërma e fjalë u thura himne dashurive
Dashurive që më dehën e marrosën me fjalë
Shkrova muzikë mbi pendla shtegëtarësh
U këndova ninullë krojeve të bardhë
Me fjalë kërkojmë të bëjmë politikë
Politika e fjalës nuk na nxjerr në ballë
Lumenj gjaku u derdhën të vinte liria
E shenjtë liria, po s`shenjtërohet me fjalë
Lola Shehi Çela