Partia Republikane është themeluar pasi u pa nevoja për një subjekt me program më radikal se partitë e tjera të themeluara deri në atë kohë në Kosovë.
Në ditën e varrimit të veprimtares për pajtim të gjaqeve Nurije Zekaj, Reshat Nurboja ma ofroi Programin dhe Statutin e Partisë Republikane për ta themeluar dhe për të qenë kryetar i saj. Unë këtë ofertë nuk e pranova pasi nuk isha i sigurt se mund të udhëhiqja një subjekt të tillë, mirëpo ne bëmë një marrëveshje që unë të jem nënkryetar dhe ta ndihmoj Reshatin dhe shokët nga një pozicion tjetër jo udhëheqës.
Arsyeja ishte e qartë pasi Programi i Partisë Republikane ishte që të hyhej në një luftë të armatosur kundër Serbisë se rrugë tjetër nuk do të kishte për liri dhe pavarësi të Kosovës.
Për themelimin e Partisë Republikane kam biseduar me Presidentin e Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugovën dhe me Bajram Kelmendin në Sallën e Kuqe të Pallatit tp Rinisë në Prishtinë në ditën e themelimit të Këshillit ndërpartiak. Me përkrahjen dhe pëlqimin e Presidentit së Republikës së Kosovës u vendos të formohej Partia Republikane e Kosovës sepse “vendit i nevojitet edhe krahu radikal” i lëvizjes gjithëpopullore për liri e pavarësi të Kosovës. U themelua Këshilli Nismëtar nga: Reshat Nurboja – kryetar, Jahja Lluka – nënkryetar, Flamur Gashi – sekretar, Ganimete Boshtrakaj – anëtare, Mustafë Smajli – anëtar, prof. Enver Beqiri – anëtar, prof. Selajdin Daci – anëtar. Pas publikimit të lajmit për formimin e Partisë Republikane të Kosovës dhe informimit të opinionit për Programin dhe Statutin e saj filloi interesimi i veprimtarëve nga shumë komuna të Kosovës për shtrirjen e Partisë në këto mjedise. Me këtë rast po përmend se në këtët Parti që në fillim u inkuadruan veprimtarët në Mitrovicë – prof. Skënder Hoti dhe Isuf Ukaj; në Skenderaj – Hamëz Jashari dhe Osman Haliti; në Deçan – Rrustem Tetaj; në Kaçanik – Deli Krivinjeva; në Kamenicë – Ekrem Kallaba; në Vushtrri – Bali …; në Prishtinë – Feti Grapci dhe Ramiz Kukleci; në Lipjan – Sami Luma.
Partia Republikane u angazhua për përgatitjen e popullit për luftë të armatosur, do të thotë për armatosjen, për ngritjen e moralit dhe afrimin e njerëzve profesionistë për mobilizimin, ushtrimin, armatimin e përgatitjen e popullit për luftë të armatosur.
Arsyet për themelimin e Partisë Republikane të Kosovës
Shpërngulja me dhunë e më se një milion shqiptarëve,
Marrja dhe kolonizimi i tokave shqiptare,
Grumbullimi i armëve nga UDB-ja,
Proceset e montuara politike,
Marrja në biseda informative nga UDB-ja e më se 650.000 shqiptarëve,
Rasti i Tivarit dhe rastet e ngjashme me të,
Burgosja e dhjetëra e qindra të rinjve dhe të rejave pa arsye dhe pa bazë ligjore, vetëm e vetëm pse janë shqiptarë,
Izolimet, burgosjet e keqtrajtimet e egra të veprimtarëve dhe të intelektualëve shqiptarë të Kosovës,
Helmimi masiv i fëmijëve dhe i nxënësve shqiptarë,
Mbyllja e fabrikave dhe largimi nga puna i disa dhjetëra mijëra punëtorëve shqiptarë nga institucionet shtetërore, publike, ekonomike etj.
Bastisja e demolimi i faltoreve e monumenteve fetare shqiptare, i institucioneve dhe i shtëpive të klerikëve shqiptarë të të gjitha konfesioneve të tyre, ,
Suspendimi i Kuvendit të Kosovës, i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, i Kuvendeve Komunale dhe i të gjitha organeve të tjera legale,
Mbyllja e institucioneve informative në gjuhën shqipe,
Mbyllja e shkollave dhe moslejimi i vijimit të mësimit në gjuhën amtare shqipe,
Provokimet, maltretimet, rrahjet, plagosjet dhe vrasjet e qindra shqiptarëve,
Përpjekjet e pandërprera gjithnjë të dështuara të Qeverisë Serbe që ta mohojë ekzistimin e Kombit Shqiptar në Jugosllavi dhe mosnjohja e shqiptarëve si popull i barabartë me popullin serb dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.
Programi i Partisë Republikane të Kosovës
Partia Republikane e Kosovës do të angazhohet dhe luftojë për sigurimin dhe ruajtjen e integritetit të mbarë Kosovës dhe popullit të saj.
Partia Republikane e Kosovës lidhur me çështjen universale të përcaktimit, të organizimit dhe të veprimtarisë bazohet në Programin e Partisë Republikane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Partia Republikane e Kosovës ka pretendime politike, por kur janë në pyetje interesat kombëtare, do të bashkëpunojë pa rezervë me të gjitha partitë e tjera të Kosovës dhe më gjerë.
Partia Republikane e Kosovës, në aspektin ekonomik dhe politik, do të bashkëpunojë me të gjitha shoqatat dhe partitë politike, të cilat angazhohen për paqe, liri, demokraci, për pluralizëm politik, për sistem shumëpartiak, për të drejtën e mendimit dhe të shprehjes së lirë, për lirinë e fjalës, të shtypit, të organizimit të lirë politik dhe për siguri të plotë juridike dhe politike të të gjithë qytetarëve.
Partia Republikane e Kosovës, si parti politike, do të angazhohet që në të gjitha nivelet e organizimit shtetëror t’i ketë përfaqësuesit e vet.
Partia Republikane e Kosovës të gjithë qytetarëve të vet, pa marrë parasysh përkatësinë nacionale, fetare apo sociale, do të angazhohet t’u sigurojë liri dhe të drejta plotësisht të barabarta në çdo sferë të jetës.
Partia Republikane e Kosovës do të angazhohet për ekonomi të tregut dhe pronë private, ku i mundësohet çdo individi të investojë në Kosovë me interes reciprok.
Partia Republikane e Kosovës angazhohet dhe deklarohet për Jugosllavinë si Konfederatë, ku të gjithë elementët konstitutivë të jenë plotësisht të barabartë në çdo aspekt. Nëse ndonjëra pjesë e Jugosllavisë nuk e pranon Kosovën si të barabartë ku edhe populli shqiptar do t’i gëzojë të gjitha të drejtat dhe liritë si të gjithë popujt (qytetarët) e tjerë të Jugosllavisë, atëherë Partia Republikane e Kosovës do të jetë e detyruar të përcaktohet për zgjidhje tjetër ku nuk do të cenoheshin të drejtat e qytetarëve të Kosovës.
Partia Republikane e Kosovës angazhohet për rrënimin e të gjitha “mureve” dhe bllokadave që e ndajnë popullin shqiptar në shumë pjesë në aspektin kulturor dhe shkencor.
Partia Republikane e Kosovës regjistrimin e vet si parti politike e bën vetëm nga organet kompetente të Kosovës.
Partia Republikane e Kosovës do të angazhohet që popullit të vet shqiptar në Jugosllavi t’i njihet e drejta për vetëvendosje të cilën të drejtë e ka fituar me gjak, si të gjithë popujt e tjerë të Jugosllavisë në Luftën Nacionalçlirimtare.
Partia Republikane e Kosovës do ta organizojë referendumin gjithëpopullor të Kosovës me çka popullit shqiptar do t’i mundësohet që vetë të deklarohet dhe të përcaktohet për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.
Partia Republikane e Kosovës angazhohet për inkuadrim në Bashkësinë Evropiane.
Partia Republikane e Kosovës angazhohet për Evropën Unike (pa kufij artificialë).
Partia Republikane e Kosovës do të angazhohet që Evropa t’i pranoj gabimet dhe padrejtësitë e bëra ndaj shqiptarëve në të kaluarën, që publikisht të kërkojë falje për lëshimet e bëra nga ana e tyre dhe të përpiqet t’i përmirësojë ato, gjest ky që pritet tash nga Evropa tashmë Demokratike.
Partia Republikane e Kosovës do të angazhohet për një botë të qytetëruar ku vetëdija individuale dhe shoqërore do të çojë kah tejkalimi i ndarjeve në baza fetare dhe sociale.
Partia Republikane e Kosovës do të angazhohet që opinionit të gjerë t’ia kujtojë të vërtetën mbi Kosovën në mënyrë të argumentuar dhe shkencore dhe t’i tregojë se prej kohëve të Ilirëve, Kosova ka qenë e shqiptarëve, kështu ka qenë në të kaluarën.
Partia Republikane e Kosovës garanton se kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Kosova do të jetë e shqiptarëve dhe e gjithë të tjerëve që do të dëshirojnë të jetojnë dhe punojnë në Kosovë.
Partia Republikane e Kosovës pranon dialog me të gjitha partitë politike të Jugosllavisë dhe më gjerë lidhur me Kosovën dhe me të gjitha çështjet e tjera, por vetëm plotësisht të barabartë, në mënyrë të argumentuar dhe të civilizuar. Por nga ana tjetër Partia Republikane e Kosovës parasheh dhe për këtë arsye përgatitet dhe planifikon që për ata që mendojnë se problemet dhe mosmarrëveshjet nuk mund të zgjidhen me dialog demokratik por me dialog të fortë t’u përgjigjet në të njëjtën mënyrë.
Partia Republikane e Kosovës angazhohet për ruajtjen e ambientit të natyrës dhe të resurseve natyrore pa marrë parasysh interesin ekonomik apo politik të kujtdo.
Partia Republikane e Kosovës do të angazhohet për hulumtimin, restaurimin, mbrojtjen dhe përkujdesjen e përhershme të monumenteve kulturore shqiptare të kohës antike dhe kohëve më të reja.
Partia Republikane e Kosovës do të angazhohet për zbatimin konsekuent të të gjitha të drejtave dhe lirive të njeriut që dalin nga normat ndërkombëtare, dokumentet e Helsinkit dhe, si të tilla, i pranon si norma të veta; kështu obligohen të gjithë anëtarët e kësaj Partie që me përpikëri t’i përmbahen dhe t’i respektojnë të gjitha këto norma.
Partia Republikane e Kosovës do të angazhohet për kthimin e të gjithë shqiptarëve pa marrë parasysh shkakun e largimit.
Lidhur me të gjitha orientimet dhe përcaktimet e Partisë Republikane të Kosovës, mbi dhe rreth Kosovës duhet të deklarohet vetë anëtarësia e Partisë, e deri atëherë vlen Projekt Statuti dhe Projekt Programi i Partisë.