18.5 C
Tiranë
E shtunë, 14 Mars 2026

Nikolle Loka

BIBA Bardhok (28.01.1920 – 07.08.1929). Luftëtar antifashist, udhëheqës politik dhe shtetëror i Mirditës, Hero i Popullit.Imazhi mund të përmbajë: 1 person, Zmadho

Lindi në Bulshar, në vllazninë Gjomarkaj të Ndërshenës. Arsimin fillor e kreu në Konviktin e Oroshit, ndërsa arsimin e mesëm në gjimnazin e Shkodrës, që ishte bërë vatër e lëvizjes revolucionare të kohës. Bie nën ndikimin e grupit komunist të Shkodrës, së bashku me shumë nxënës të tjerë: Emin Duraku, Branko Kadia, Nazmi Rushiti, Tomë Kola etj. Pjesëtar në grupin e simpatizantëve të Grupit Komunist të Shkodrës (1937-39). Mori pjesë në demonstratën antifashiste të organizuar nga Grupi Komunist i Shkodrës (28 nëntor 1939). Për shkak të veprimtarisë antifashiste, përjashtohet nga shkolla (shkurt 1940) me vendim të një komisioni hetimor, që u ngrit për të shqyrtuar veprimtarinë antifashiste të nxënësve dhe profesorëve të gjimnazit. Gjatë viteve 1941-42, qëndroi në Orosh, nën mbikëqyrjen e xhandarmërisë fashiste dhe njerëzve në shërbim të tyre.

Në qershor 1943, përfshihet në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare; anëtar i PKSH (shtator 1943); përgjegjës politik për njësitin e Bregut të Bunës; përgjegjës politik në njësitin e Dukagjinit dhe me krijimin e çetës Pukë-Mirditë, emërohet punonjës politik pranë saj; komisar politik në çetën e Bregut të Bunës (1943-44); përgjegjës i celulës komuniste të Njësitit të Mirditës (1944). Luajti rol të rëndësishëm për afrimin e mirditorëve me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe ndalimin e shumë mirditorëve për të shkuar si mercenarë në jug (1944). Mori pjesë në luftimet për çlirimin e Mirditës, në Perlat, Shpal dhe Fushë-Arrëz (1944).

Pas çlirimit, Bardhoku ishte njëri ndër drejtuesit më të rëndësishëm të Nënprefekturës së Mirditës. Fillimisht Komisar i Komandës së Vendit me gradën “toger”, si dhe sekretar i Këshillit Krahinor Nacionalçlirimtar, i ngarkuar me organizimin e Partisë në rreth (1944-46). Ishte zgjedhur sekretar i Celulës së Partisë dhe tregonte kujdes për forcimin e kërkesës së llogarisë në parti dhe udhëheqje. Në qershor, qe dërguar në një kurs tremujor të kuadrove të Partisë në Tiranë. Pas përfundimit të kursit, për një kohë të shkurtër u emërua Shef i Seksionit të Punëve të Brendshme të Nënprefekturës së Mirditës (1946-47). Në këtë punë delikate, ai gjeti gjuhën e mirëkuptimit me popullin dhe nuk ishte i prirë të zhvillonte luftë klasash ndaj të afërmve të atyre që kishin dal malit. Shqetësimi kryesor i tij mbeti afrimi i njerëzve dhe sqarimi i tyre për domosdoshmërinë e vendosjes së rendit dhe qetësisë, si kusht për jetë dhe punë normale. Në fillim të vitit 1947, u zgjodh kryetar i Komitetit Ekzekutiv. Ishte delegat në Kongresin e Parë të Partisë (1948) dhe me 23 dhjetor të vitit 1948, sekretar politik i Komitetit të Partisë së Nënprefekturës së Mirditës. Në Legjislaturën e Parë të Kuvendit Popullor u zgjodh Deputet.

Bardhok Biba ishte ideatori dhe udhëheqësi kryesor i transformimeve të para shoqërore në Mirditë. Nën drejtimin e tij u organizua kuvendi i Blinishtit për pajtimin e gjaqeve, ku ai fali gjakun e vëllait dhe nën shembullin e tij u falën rreth 500 gjaqe. Një pjesë e madhe e atyre që dolën me armë kundër pushtetit, u dorëzuan në besën e tij. Një numër i personave të falur, që ishin të pa implikuar në vrasje, iu bashkuan projektit të tij për ndryshime shoqërore në Mirditë. Në ditë të caktuara të muajit, ai merrte takim personalisht me njerëzit e malit për të biseduar rreth kushteve të dorëzimit të tyre.

Bardhoku u angazhua në hapjen e shkollave dhe kurseve kundër analfabetizmit dhe së bashku me Ndrecë Ndue Gjokën e veprimtarë të tjerë, në vitin 1945 ngritën 47 kurse kundër analfabetizmit, të cilat u kthyen po atë vit në shkolla, çfarë e bëri Mirditën njërin ndër rrethet me rrjetin më të gjerë arsimor në veri të vendit. Rol të rëndësishëm luajti edhe në luftimin e paragjykimeve ndaj gruas mirditore. Ai e merrte gruan me vete në shumë mbledhje e veprimtari dhe nën shembullin e tij vepruan edhe kuadro të tjerë. Gruaja e tij, Mrika ishte ndër veprimtaret e para shoqërore në Mirditë. Bardhoku ishte ideatori i krijimit të qytetit Rrëshen, duke e transformuar atë nga një fshat në qendrën administrative të krahinës. Ai i hodhi njerëzit në aksione për ndërtimin e qytetit dhe vetë jepte shembullin personal, bashkë me punonjësit e Aparatit të Komitetit të Partisë, duke u angazhuar në punë, disa orë çdo ditë pas orarit zyrtar.

Bardhok Biba vritet në pritë nga grupet e armatosura të Komitetit të Maleve me 7 gusht të vitit 1949. Bardhoku do të mbahet mend si njeriu që udhëhoqi transformimet e rëndësishme shoqërore në Mirditë.

Bardhok Biba mbetet një figurë e rëndësishme kombëtare, që gjithë jetën e tij ia kushtoi ecjes përpara, zhvillimit dhe forcimit të atdheut të tij. Ai bëri gjithçka për Mirditën si nismëtar i misionit historik për ta integruar Mirditën në shtet dhe për ta kthyer në nivelin e zhvillimeve në vend

Presidiumi i Kuvendit Popullor i ka dhënë titullin e lartë “Hero i Popullit”. Pas viteve nëntëdhjetë, kontributi i tij në zhvillimin ekonomik e shoqëror të Mirditës, si dhe në pajtimin e mosmarrëveshjeve dhe gjakmarrjes u ri sollën në vëmendje nga Bashkia e Rrëshenit, që i dha titullin “Qytetar Nderi”

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.