5.5 C
Tiranë
E mërkurë, 4 Mars 2026

Dibran Fylli

KANADEZI KUJTON:
VIKTIMA MË E RE ISHTE 2-VJEÇARE, MË E VJETRA 105
Dihet se policët shpesh përballen me skena të tmerrshme krimesh, por një oficer i pensionuar kanadez ka parë më shumë se që mund të imagjinojë dikush. Brian Honeybourn, rreshter i pensionuar i policisë në Vankuver, ka treguar se çfarë ka përjetuar si hetues i krimeve të luftës, 20 vjet më parë. Honeybourn ka punuar 33 vjet në policinë e Vankuverit, dhe ka qenë një prej anëtarëve themelues të njësitit të krimeve të pazbardhura. Më 1999, Honeybourn kishte ardhur në Kosovë, për të hetuar krimet që kishin ndodhur këtu gjatë luftës. Më 1999, Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), në bazë të një mandati të Organizatës së Kombeve të Bashkuara intervenoi kundër forcave ushtarake e policore serbe në Kosovë, dhe kur trupat e tyre u futën brenda, zbuluan edhe varre masive. Natyrisht, trupat e NATO-s nuk ishin të përgatitura për t’u ballafaquar me diçka të tillë, prandaj vendeve të NATO-s iu kërkuan që të dislokojnë një ekip mjekësh ligjorë në Kosovë. Pasi Kanadaja ishte kontaktuar, Honeybournit i kishin kërkuar të nisej drejt Kosovës, për të zhvilluar hetime për dy muaj. “Më njoftuan dhe më kërkuan të vendosja brenda natës. Shkova në shtëpi, bisedova me gruan dhe me nënën time, dhe thash: Do të shkoj”. Brenda disa ditësh, Honeybourn do të vinte në Kosovë, si hetues në kuadër të ekipit, dhe si menaxher i logjistikës. Honeybourn dhe ekipi i tij kanë qëndruar bashkë me trupat kanadeze gjatë hetimeve në Kosovë. Gjatë kohës së tij në Kosovë, Honeybourn ka ndihmuar që të gjenden dhe të identifikohen kufoma në varreza masive. “Në botë ndodhin shumë gjëra që s’raportohen fare”, thotë Honeybourn.
Ai thotë se një prej sfidave më të mëdha gjatë hetimeve ka qenë kryerja e autopsive në terren. “Viktima jonë më e re ishte rreth dyvjeçare, ndërsa më e vjetra 105-vjeçare. Kam pasur për detyrë të vërtetoj se viktimat nuk ishin luftëtarë”. Honeybourn kujton rastin kur Vlora, një vajzë shtatëvjeçare në fshatin Llashticë, ishte qëlluar me plumb në fytyrë dhe kishte shpëtuar. “Zoti do të ketë qenë me të, sepse plumbi ose s’ka pasur fuqi të mjaftueshme, ose ka dalë nga një tytë e prishur e kallashnikovit. Në vend se të kalonte nëpër dorën e saj, të cilën e kishte para fytyrës, dhe ta vriste atë, ai ka humbur fuqinë, ka goditur gishtërinjtë e saj, dhe ia ka prekur fytyrën. Disa njerëz e kanë të vështirë ta besojnë këtë, por unë kam fotografi të kësaj vajze”. (57)
{57 Brian Honeybourn, hetues i krimeve të luftës në Kosovë, 1999
Nga libri “Tokë e mbjellë me varre”, Krimet serbe në Kosovë, f.286
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.