Një grua mund të jetë e qetë, të shkëlqejë, të ketë sens humori. Ajo mund të jetë artistike, ambicioze, aktive dhe e adhurueshme. Kur ajo do, ajo mund të jetë delikate, sensuale, simpatike dhe misterioze. Dhe në ditët e saj më të mira, ajo do të jetë këmbëngulëse, e përkushtuar, e guximshme dhe plot vetbesim.
Një grua e ditëve moderne mund (duhet) të jetë gjithçka që dëshiron të jetë.
Sepse ajo ka lirinë.
Por, një grua e tillë, gjithashtu e di se jo të gjitha gratë e tjera kanë këtë liri. Prandaj, ajo nuk bëhet grua që jeton në “flluskën e princeshës” dhe të mos e çajë kokën se ç’ndodh me gratë e tjera. Pavarësisht që ajo ka pasur mundësi zgjedhjesh, ka pasur mbështetje nga familja, ka jetuar jetë të qetë, është edukuar siç duhet, dhe kryesorja ia kanë njohur vlerat që ajo bartë…dhe pikërisht kjo gjë, që edhe pse ajo s’ka qenë viktimë patriarkaliteti, ajo ka lirinë e plotë të luftojë për lirinë e atyre vajzave që treten brenda shtëpive me dhunë, e nuk iu mundësohet asnjëherë të jenë ato që duan të jenë.
Zëri yt i lirë që thërret për lirinë e grave tjera që dhunohen çdo ditë, që iu pamundësohet shkollimi e punësimi, që nënçmohen për gjëra që s’janë në dorën e tyre, pikërisht ai zëri yt bëhet edhe zëri i tyre.