Agim Agideba Bacelli

KESI*
Tek shumë njerëz, qielli është një kufizim, tek ata që dashurojnë fluturimin, qielli është një shtëpi.Imazhi mund të përmbajë: 1 person
Në vitin 1992, në Pranverë, vjen në Bazën Ajrore të Gjadrit një delegacion i Aviacionit Amerikan, (pjesë e Forcave Ajrore të NATO-s në Stuttgart të Gjermanisë), në përbërje të cilit ishin ushtarakë të rangjeve të ndryshme që nga rreshteri e deri te gjenerali.
Pasi ata panë gjithçka që ju tregua në Bazën Ajrore Gjadër, e mori fjalën një Lieutenant General amerikan i cili midis të tjerave tha:
“Unë e çmoj shumë punën tuaj të madhe dhe kjo duket në mirëmbajtjen e mirë të këtyre avionëve të vjetër që u ka kaluar koha. Me këta avionë ju nuk mund të bëni luftë por,…sidoqoftë, ju mbajini për të mos humbur shprehitë luftarake të pilotëve.
Na thanë se keni vështirësi për pjesë këmbimi. Unë di se në Çeki ka disa avionë MIG siç i keni dhe ju por që ata i kanë hequr nga përdorimi dhe mbase bëjmë gjë për t’jua sjellë juve…”
Të gjithë aviatorët shqiptarë panë njëri tjetrin dhe këto fjalë i çuditën shumë. Në fakt ne prisnim që ata të na ndihmonin duke na afruar avionë amerikanë modernë me çmime të pranueshme. U ndjemë të fyer por nuk dinim se si të reagonim e ç’ përgjigje t’i jepnim gjeneralit amerikan. Më ngushtë e u ndje Komandanti i Aviacionit Shqiptar, Kolonel Klement Alikaj, (ne e thërresim komandant Kesi), i cili nuk e mori fare fjalën e rastit por bëri një propozim gjenial tek Gjenerali Amerikan:
“Ne, z. gjeneral mendojmë të bëjmë diçka për ju, p.sh. një demonstrim luftarak a ç’far ju do të pëlqenit për të treguar se avionët tanë nuk i kemi vetëm për të ruajtur shprehitë tona luftarake por edhe për të mbrojtur Hapësirën Qiellore Shqiptare? Armiq ka pasur, ka dhe do të ketë Shqipëria njëlloj si Amerika derisa të ekzistojmë…”
Befas Kesi e ndërpreu fjalën duke mos e mbaruar mendimin!
“O.K. Bëni ç’far ju pëlqeni.”
“Po, ja të bëjmë diçka bashkë…Ne t’ju ‘sulmojmë’ me këta avionë të vjetër dhe ju të ‘mbroheni’ me mjetet më moderne që keni duke na ‘asgjësuar’ neve? ” ju tha Kesi.
“Ide e bukur! Por.., jo në det se atje s’keni ku të fshiheni dhe ne ju asgjësojmë shumë lehtë…Më keni thënë se malet i keni aleatët tuaj më të sigurt. Do t’ju pëlqente të na ‘sulmoni’ në male? Kjo do të jetë e lehtë për juve të na ‘asgjësoni’ dhe shumë e vështirë per ne që të mbrohemi.”
“Jeni Dakord z. Klement?”
“Jo!-tha Kesi. – Ne preferojmë të bëjmë më të vështirën, t’ju sulmojmë në det të hapur pasi vetëm atje mund të provojmë aftësitë tona luftarake, larg ‘aleateve tanë të mëdhenj – maleve.”
“OK. Bëni si të doni.”
Amerikanët me një anije me aparate moderne interceptuese dolën në detin Adriatik, diku midis Kepit të Rodonit dhe Gjirit të Shëngjinit, atje befasia e sulmit ajror pothuaj se është zero. Nga një anë është fushë e hapur dhe në anën tjetër deti.
Shqiptarët, të përfaqësuar nga vetë Kesi dhe një pilot i dytë, Pëllumb Velaj, morën një MIG-17 (J-5, mësimor dy vendesh), për t’ju treguar amerikanëve se, “nuk ishte shpata e Skënderbeut ajo që priste kokat e turqve por ishte fuqia dhe talenti në dorën e tij e fuqishme dhe e lavdishme…”
Beteja filloi. MIG-17 u ngrit nga Zadrima duke ruajtur lartësinë 0 sipas instrumentit, (kjo lartësi varjon nga 0 në 6 m) dhe mori drejtimin e Barbullosh-Bushatit duke pasur malin e Kakariqit në të majtë, pastaj, kaloi mbi fshatin Ranxë, ktheu majtas në drjetim të Luginës së Torrovicës që shtrihet mes malit të Kakariqit (300 m) dhe atij te Rencit (350 m) me gjatësi 20 km dhe gjerësi që varion rreth 1 km, me qëllim për të mos u diktuar nga Amerikanët. Lartësia e fluturimit ishte tepër e rrezikshme dhe e pa lejuar sipas instruksioneve të fluturimit por komandanti ishte tepër i sigurt në përvojën e tij. Kur doli mbi Balldre, avioni hyri në luginën e Drinit dhe në hyrje të qytetit të Lezhës mori rrjedhën e lumit, rrafsh me ujin, në lartësinë e argjinaturës së lumit. (Lartësia prej 5-6 m e poshtë nuk tregohet në instrumentin e avionit por syri i Shqiponjës Kesi s’ kishte nevojë për instrumente pasi e konsideronte veten në luftë.)
Pastaj avioni doli në derdhjen e Drinit, një hapësirë e madhe ku Drini derdh rreth 350 m kub ujë në sekondë. Kjo zonë është afër fshatit Tale. Aty Kesi e rrafshoi avionin mbi ujë dhe u turr drejt ‘armikut’ me një befasi të pa besueshme duke derdhur mbi atë të gjithë “arsenalin luftarak.” Në ikje e sipër, i ktheu anijes gazrat e turbinës duke jua flakur në det të gjitha kapelat e amerikanëve dhe shqiptarëve që ishin në kuvertën e anijes. Anija “u shkatërrua plotësisht” dhe shqiponja u kthye në fole shëndoshë e mirë pa u diktuar nga ‘armiku.’
Pas asaj që ndodhi, unë pata rastin të njihesha nga afër me këtë trimëri të rrallë mbi amerikanët nëpërmjet pilotit të dytë, Pëllumbit, i cili ishte akoma mjaftë i tronditur dhe në mënyrë private më tha:
“Çudi që jam akoma gjallë. Kam parë plepa që puthnin krahët e avionit, troftën e Torrovicës që ngrihej si tym prapa nesh, ujin e Drinit që bënte dallgë nën gazrat e avionit sikur ne të ishim motoskaf… dhe në det thashë se hymë brenda….Me pas nuk kam parë asgjë…. Komandant Kesi është i çmendur por faleminderit Zotit që kemi edhe të tillë të “çmendur”!
Në mbrëmje nuk mungoni admirimi i hapur amerikan dhe habia e tyre.
“Ne nuk kemi parë pilotë të këtij kalibri! Nëse të gjithë ju jeni pilotë si komandant Kesi, mund t’u them se ju mund të mateni me çdo aviacionin të fuqishëm të Botës.”
Unë do t’i thosha amerikanit; Kesi është dy here Shqiponjë; një herë sepse ka lindur Shqiponjë Shqiptare në Shqipëri dhe një herë sepse në kohën e tij, Shqiponja – Pilot, si qendër kompjuterike dhe robotike, kishte mendjen dhe trupin e Shqiponjës së Gjallë ku në masën më të madhe piloti ishte i pavarur nga sistemet elektronike të kontrollit të fluturimit modern dhe kjo tregon superioritetin e Shqiponjës KESI – NJERI & SHQIPONJË.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.