16.5 C
Tiranë
E dielë, 31 Maj 2026

Besim Hoxha

MA NGAT SE JAKA E KËMISHËS
Sa herë i kemi dëgjuar këto fjalë si fëmijë nëpër odat tona nga burra të pjekur dhe pleq, nga burra me mustaqe dhe pa to, me plisa të bardhë apo kryeshtruar; duke pirë kafe, çaj, e tymosur cigare e duhan të fortë.Imazhi mund të përmbajë: E brendshme
I dëgjonim, por dyshonim në ato që thoshin. I merrnim ndoshta edhe pak të rrokatur. Pleq që e kishin një dërrasë mangut, që s’kishin tjetër punë pos të na ngjallnin frikën. Sipas tyre asgjë në këtë jetë nuk e kishim më afër se atë. Ajo ishte gjithmonë me ne. E bartim prejse lindemi. E kemi edhe ma afër se jakën e këmishës.
Atë,
të frikshmen,
t’ftohtën,
dekën.
1.
Atë pasdite dhjetori, pasi i kishte prerë biletat për në vendlindje, ishte drejtuar drejt shkollës ku i ndiqte mësimet djali i tij, për ta shoqëruar nga shkolla në shtëpi. Pasiqë kishte mbërritur para kohe afër shkollës, ishte kthyer në Barin e parë për një kafe. Dhe aty kishte ndodhur e papritura. Një sulm i befasishëm në tru(ictus), e kishte rrëzuar përtokë. Baristi me të shpejt e kishte thirrur Emergjencën. Pas një kohe kishte ardhur autoambulanca, me të cilën e kishin dërguar në spitalin më të afërm ku trajtoheshin pacientët në koma. Pas disa muajsh e kishte marrë pak veten, kishte dalë nga koma. E kishin lejuar vetëm gruan e tij, që ta vizitonte dhe shetiste me karrocë holleve dhe në oborr të spitalit. Ngjarja pakashumë ishte kjo.
F. e kishim stërnip. Djalë i shoqërueshëm, i dashur dhe i buzëqeshur, që gjithmonë na ishte gjendur pranë, sa herë kishim nevojë në punët e fushës. Kurrë nuk përtonte të vinte me traktor për të na i lëruar arat. Për të na ndihmuar në transportin e barit të thatë, grurit, misrit e gjërave tjera.
Sa herë takoheshim, kishte po atë shtrëngim të fortë duarsh si i nipi, dhe fjalët e zakonshme që nuk mungonin: ” O, ku je dajë?!” me të cilat shprehte gjithë gëzimin dhe dashurinë me të afërmit.
Një ditë prej ditësh, në javën e dytë të majit, derisa po i hedhja një sy postimeve të miqve në rrjetin social, një postim i stërnipit tjetër me punë dhe qëndrim në Austri, djalit të axhës së F. më ndali frymën. “Zoti në Xhenet Baci F.”, dhe poshtë fotografia e stërnipit tonë. Sëmundja, dhe ajo tjetra, që na ndjekë gjithmonë pas, e frikshmja, vdekja kishte dalë më e fortë se jeta.
2.
Me M.A. kemi qenë miq virtualë tash e dy vite. Ishte mbi dhjetë vjet më i ri se unë. Vinim nga i njëjti fshat, por meqenëse fshati ynë përfshin një territor goxha të madh, me lagje të shkapërderdhura, pastaj unë isha larguar heret nga fshati(17 vjeç), për shkaqe shkolle dhe studimi, me bashkëvendësin tim ishim njohur fare pak.
Ishte djalë i një shoferi të Ndihmës së Shpejtë. I ati, prej se e mbaj mend e kishte bërë këtë punë , duke i bartur të sëmurët drejt Qendrës Mjekësore të Komunës dhe Spitalit të Prizrenit.
Gjashtë javë para se të ikte nga kjo Botë, djali i tij e kishte kryer ushtrinë në Zvicër, dhe këtë gëzim e kishte ndarë me miqtë në Facebook.
Një vit më parë e kishte martuar vajzën e madhe.
Një postim i dajës së tij të jep lajmin e hidhur, dhe ti e kupton, sesa jemi të pafuqishëm përballë asaj të pashmangmesh,
të ftohtës,
dekës.
3.
Ishte fundgushti kur po prisja para njërës nga libraritë e qytetit, për të bërë pagesën dhe porosinë e librave shkollor për dy djemtë e mi.
Para meje janë 6-7 persona, është kohë pandemie, dhe brenda mund të hyjmë një nga një. Presim në të dy anët e rrugës, në atë pak hapësirë të rezervuar për këmbësorë, siç është zakonisht në rrugicat e Qendrës së Qytetit, të shtruara me kalldrëm. Koha kalon ngadalë, dhe s’ke si të mos e hapësh celularin, për të mësuar të rejat e Fejsbukut, apo lexuar ndonjë shkrim të mirë, nga miqtë e shumtë krijues në fushën e letërsisë. Dhe, për një moment ngelesh i shokuar nga lajmi që sapo e lexon.
Miku im virtual prej pesë vitesh, gazetari Kastriot Sh. kishte kaluar në përjetësi.
Para njëmbëdhjetë ditësh njëri nga miqtë e tij e kishte vizituar në spital pas operimit, dhe pastaj e kishte publikuar një foto bashkë me të. Dukej i zbehur, ashtu siç duken zakonisht të gjithë të posaoperuarit.
Nëse do të ekzistonte një çmim i mikut shembullor virtual, ai do të duhej t’i takonte mikut të shumë miqve, mikut tim të ndjerë, Kastriot Sh..
Ishte i dashur me të gjithë, dhe gjithmonë pranë miqve. Prejse e kisha publikuar tregimin e parë në Gazetën Nacional para pesë vitesh, ishim miq virtualë, dhe asnjëherë nuk kishte munguar përkrahja e tij përmes pëlqimeve në shkrimet dhe postimet e mia, deri në postimin e fundit një ditë më parë. Nuk kishin munguar edhe urimet dhe përgëzimet e ndërsjella në çdo kohë. Ato ishin gati gjithmonë të parat.
Nga shkrimet e shumta përkujtimore të miqve në adresën e tij dhe në portalet, njeriu nuk mund të mësojë shumë për peshën e sëmundjes dhe operimin që e kishte bërë. Ndoshta, kjo punë hynte në çështje privatësie, apo ne jemi të prirur në përgjithësime gjërash, dhe shumë pak në konkretizim gjërash dhe faktesh.
A mund të evitohej vdekja e një njeriu, në këtë rast dhe shumë raste të tjera të përditshme në këtë kohë pandemie, me shpallje nekrologjike çdo ditë?!
Askush nuk e kupton!
Apo, ne jemi fare të brishtë përballë asaj, që është më e fuqishme se ne. Fundit tonë, që nuk mund t’i ikim.
Dekës.
Foto web
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.