Me penen brilante te David Boseta

https://www.facebook.com/100003794840207/videos/t.100004680243418/1231116630358153

Kafeja e zezë.

Tregim.

– Ah, pleqnija mos kjôft, besa. Mi kalbi kocat ky dreq dimnit e s’po m’len rramatizma me i bá dy orë gjúm tánë natën e g’játë… – Me këtë monolog në gegnishten e saj të pastër, u zgjua nënë Pina dhe nisi ritualin e saj të përditshëm. Ndezi zjarrin në shporetin e vjetër dhe vuri ibrikun me ujë të ngrohej.
Edhe pse nëna zgjohej çdo ditë që në gjashtë të mëngjesit, i biri Nesti zgjohej më herët e shkonte në punë. Ai kishte mbetur i vetmi krah pune që pas vdekjes së të atit në burgun famëkeq të Spaçit ku kish vuajtur për tetë vite dënimin si i burgosur politik. Vuajtjet dhe puna e rëndë i shkaktuan një sëmundje të rëndë në mushkëri që për pak kohë i mori jetën.
Nesti punonte në fabrikën e miellit si hamall, gjithë ditën mbante në kurriz thasë mielli me të cilin furnizoheshin furrat e bukës. Kishte mbaruar shkollën e mesme me nota të mira por ëndrrat për tu bërë mjek u prenë në mes pasi duke qënë familje e persekutuar atij nuk i lejohej të vazhdonte studimet e larta. Dy motrat më të vogla vazhdonin shkollën, njëra në të mesmen dhe tjetra në 8-vjeçare.
Nënë Pina mori në dorë mullirin e kafesë, ishte bosh, asnjë kokërr kafe për bé. Hapi kapakun e poshtëm të mullirit ku depozitohej kafeja e bluar dhe kroi me majën e thikës fundin e saj. Atë pak kafe që kishte mbetur në fund e hodhi në xhezven teke, e pak pluhur kafeje që ra mbi banak e mblodhi me bulat e gishtave, si të ishte pluhur ari dhe ia shtoi masës në xhezve.
Ulur në cep të shporetit në karriken e vjetër që rënkonte nga pesha e viteve, nënë Pina nuk ia ndante sytë xhezves ku zihej me mundim kafeja e zezë gjashtdhjetë lekëshe.
– Nàdja e mirë Pinë! A ke ndjeh mirë?
– Zëri i Angjes, komshijes e shkëputi veç për një moment nga ruajtja e xhezves.
– Nàdja e mirë t’kjôftë e mirsevjen, – uroi Pina.
– A ke vu kafe a? Ku e paske gjet?
– Hajde Angje se asht e fundit por po e pijmë bashkë, – tha Pina e sakaq vuri dy filxhanë mbi tavolinë.
Trokitje të egra u dëgjuan në derën e oborrit e cila u hap me forcë dhe në dhomë u fut Shaqiri, një malok nga zonat e thella të Kurveleshit i cili atje në stanin e dhive kishte kryer kursin tre-mujor kundra analfabetizmit dhe një kurs dy-mujor në Tiranë, dhe partia komuniste e kishte sjellë në Shkodër si kuadër i kualifikuar me detyrën punonjës operativ, thënë ndryshe, spiuni i lagjes.
– Ia ndieva erën kafesë dhe erdha me një frymë, – buzëqeshi Shaqiri duke nxjerrë në pah dhëmbët e prishur ngjyrë misri të verdhë.
– Edhe unë ia ndiva erën m*tit, – tha ndër dhëmbë Pina duke i zgjatur filxhanin.
– Na, ta piftë dreqi n’bark.
– Çfarë the moj?
– T’ báft mirë, thashë.
Pasi rrufiti dy herë kafenë Shaqiri u ngrit, rregulloi rripin e pantallonave që pesha e armës ia anonte djathtas dhe me zë autoritar tha:
– A e di për çfarë kam ardhur moj shoqja Pina?
– E ku di gja unë e shkreta?
– Kam ardhur të të them se sot kemi arrestuar tët bir Nestin.
– Mooosss ty tu thâft goja. Po çka ju bâni djali jem?
– Mbylle gojën bushtër. Yt bir dëgjonte Radio Vatikanin dhe Zërin e Amerikës, e pastaj bënte politikë me shokët, duke u munduar të infektonte rininë me dogma fetare e politike. Partia ia vuri prangat aty, në mes të kolektivit gjarprit që mbante në gji.
Nënë Pina u lëshua mbi karriken e vjetër me bërrylat mbi tavolinë, ku dergjej i rrëzuar filxhani prej të cilit linte shenjë mbi mbulesën e bardhë, llumi i kafesë së zezë.

David Boseta

“””””””””””””””””Imazhi mund të përmbajë: një ose më shumë njerëz

E si mundem unë
të jetoj me kujtime?
Kujtimet nuk preken, nuk puthen, nuk kapen,
thjeshtë treten,
si ngjarje stampuar në celuloid jetësh.
E si mundem unë
të jetoj pa aromën e përqafimit tënd?
Pa ngrohtësinë që më bën të dridhem si gjethe në vjeshtë?
E si mundem unë
ti them vetes JETOVA?
Kur e vetmja shkëndijë jete
ishte zjarri yt që dashurova.
Zjarri që dogji letrat më të bukura të dashurisë,
që të dashuruarit i dinë përmendësh
e i citojnë si shkrime të shenjta,
si lutjet kuptimplote,
të kësaj bote,
që pa dashuri ngjan me një njerkë idiote.
Se, dashurinë nuk e njohu kurrë,
prandaj të dashuruarit i përkasin një tjetër jetë,
ardhur nga një tjetër planet,
ku puthjet bekojnë shpirtin,
me pluhur yjesh…
David Boseta
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.