26.5 C
Tiranë
E hënë, 25 Maj 2026

Ndue Lazri

QYTEZË E BUKUR TERMALE MES MALESH

(Shëtitja e parë turistike pasi kaluam Covid19)
Përmes një pylli të dendur e të bukur rruga gjarpëron drejt qafës ku pikëtakohen dy male. Ndërsa në prehër të malit mbetet qyteti i bukur i Trentos dhe më poshtë lugina e lumit Adige që rrjedh i qetë drejt Veronës, qytetit romantik të Romeos e Zhuljetës. Në të dy anët e saj një valle e gjatë malesh me majat të mbuluara nga dëbora që ka rënë prej dy javësh. Është pragu i festave të fundvitit dhe duket se natyra e ka ruajtur qëllimisht këtë dekor. Kemi arritur në atë lartësi ku pishat e bredhat e mbuluar nga dëbora duket sikur janë zbukuruar enkas për festa.
Kur ka rënë dëbora, ne mund ta sodisnim vetëm që përtej xhamave të dritareve, pasi Covid19 na kishte bllokuar në shtëpi. Dy javë pa dalë edhe deri në ballkon. Por kur pas dy javësh arritëm ta sodisnim dëborën që nga ballkoni, na u duk se rizbuluam bukurinë dhe magjinë e jetës. Sa e shtrenjtë dhe e bukur është ajo. E vendosëm që, sapo ta merrnim pak veten,të dilnim një shetitje bjeshkëve trentine, banorë të të cilave jemi bërë prej dy muajsh. Tek ngjitemi drejt majash e mushkëritë na mbushen me oksigjen të bollshëm mendojmë që jeta duhet jetuar e shijuar në çdo ditë e moment të saj. Me kohët që kanë ardhur, askush nuk e di më se ç’mund të sjellë e nesërmja.
Makina fillon të zbresë gjithnjë përmes pyjesh të zbardhur e arrijmë pranë ujrave të liqenit të Levicos. Ujrat janë të kaltra e në të pasqyrohen majat e maleve me borë. Levico është një qytezë e bukur termale, që vizitohet nga shumë turistë, si në dimër, ashtu edhe në verë. Në këtë dimër ne jemi ndër turistët e pakët, pasi pothuajse çdo gjë është mbyllur për shkak të pandemisë. Na vjen keq kur hyjmë në një lokal dhe jemi të vetmit klientë. Mendja të shkon vetvetiu tek vështirësitë që kanë këta pronarë lokalesh, restorantesh e hotelesh për të mbajtur gjallë aktivitetet e tyre në këto kushte.
Grand Hotel Imperial, një nga më të bukurit në zonë, është mbyllur ashtu si dhe shumë të tjerë. Ne shetisim në ambientet e tij të jashtme, që duken si të braktisura e të trishtuara. Më tej është parku, një ndër më të mëdhenjt në zonën e Trentinos, me mbi njëqind lloje pemësh të ndryshme. Edhe aty kalimtarë të rrallë, banorë të qytezës, dikush shetit me qenin e tij e dikush vrapon shtigjeve piktoreske të parkut. Moza, si një fëmijë i lumtur, luan me pak dëborë që ka mbetur në mes të parkut.
Pranë spitalit është ndërtuar edhe një park i vogël me emrin Parku i të drejtëve, që u kushtohet atyre që kanë bërë vepra në shërbim të njerëzimit. Midis emrave edhe njjë personazh disi i çuditshëm, tregëtari italian me emrin Giorgio Perlasca, që ka lindur në Como, ka marrë pjesë në luftën e Spanjës, ka shërbyer në vende ballkanike e në Hungari dhe ka vdekur në Padova. Të duket si pa lidhje emri i tij këtu, megjithatë banorët kanë vendosur t’i japin një vend në Parkun e të drejtëve. Sepse ai ka shpëtuar mbi 8 mijë ebrej që të mos binin në kthetrat e gjermanëve, përveç mënjanimit të djegies së getos së ebrenjve në Hungari, ku ishin 60 mijë ebrenj. Në nderim të veprës së tij, i është kushtuar një pyll në Israel, ku janë mbjellë 10 mijë pemë, afërsisht sa numuri i ebrenjve të shpëtuar prej tij.
Shetisim midis këtyre bukurive si dy turistë të vetmuar, me premtimin që do të rikthehemi në verë, atëherë kur çdo gjë këtu do të ketë tjetër hijeshi e gjallëri, kur jeta të ketë triumfuar plotësisht mbi këtë pandemi që ka bllokuar mbarë globin.
Ndue Lazri
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.