MURAT KOLTRAKA, FISNIKU DIBRAN, “QYTETAR NDERI”, “MJESHTËR I MADH”… PA DIPLOMË…

MURAT KOLTRAKA, FISNIKU DIBRAN, “QYTETAR NDERI”, “MJESHTËR I MADH”… PA DIPLOMË…Anteprima immagine

Një grusht lotësh, pikë – pikë mbledhur në shpirtin tim…

 

Nga Abdurahim Ashiku

 

Ike mik, ike…
Të kisha mik,
Më kishe mik…
IKE MURAT KOLTRAKA…
Ike…
Pse kështu mik?
BURRË i Dibrës…
Mik i të gjithëve,
Mik i maleve
Sa lind e perëndon?
Kalorës i artit,
kulturës,
sportit,
arsimit,
fjalës së urtë,
kuvendit,
batutës…?

Pse mik?
Pse ike?
Pse kaq shumë,
dhimbje më solle?-
Oh medet!!!
Medet për ty,
për fëmijët e tu,
për shokët,
miqtë…
sa shumë shokë,
sa shumë miq,
për ty qajnë,
për ty vajtojnë…
Grushtet mbushin,
Me lot që vlon,
prush që djeg
Oh sa u dhemb!
Oh sa më dhemb!
Ike mik, ike,
Si mal me borë,
Si fushë me lule,
Si tallaz Drini,
Dallgë e shpirtit.
Kush do ta mbajë
amanetin tënd:
LËRENI LUGINËN E DRINIT,
TË BUKUR…
SIÇ E KA DHËNË ZOTI?
Kush?
Kush?
Kush?
Eh!!!
Sa do na mungojë,
Zëri yt,
fjala jote,
e shkruar,
e thirrur,
e bërtitur…
JO SKAVICËS!
PO DIBRËS!
Jo shkatërrimit të Setës,
Bukuri e bukurive…
Vikamë që jehon,
thirrje që gjëmon,
rrufe që shurdhon…
Sot,
më shumë se kurrë,
I duheshe Dibrës,
Ti vëmë shpatullat,
krahët ti hapim,
zërin lart,
Në qiell ta çojmë…
TI,
“QYTETAR NDERI”,
“MJESHTËR I MADH”,
Pa diplomë…
Më fisniku,
DIBRAN!

 

*            *                 *

LETËRKËMBIME VETJAKE…

 

Përshëndetje i nderuar z. Abdurahim Ashiku!
Ndjek me shumë kënaqësi shkrimet tuaja si dhe ilustrimet që sillni sidomos për mësimin e gjuhës shqipe nga mësues misionarë të një misioni shumë fisnik me shumë vlera për kombin shqiptar.
Një komb që humbet gjuhën e tij, humbet identitetin, ekzistencën, asimilohet. Koha hedh pluhurin e saj, gjurmët shkojnë drejt zhdukjes, një realitet i hidhur bëhet i pashmangshëm. Kështu ka ndodhur jo shumë kohë më parë me brezat para nesh. Studiues të kësaj fushe, albanologë të huaj, miq të Shqipërisë e shqiptareve, kohë më parë kanë bërë me dije se kombi ynë ishte vënë në shenje për t’u asimiluar. Po ju sjell një ilustrim. Francezi SERGE METAIS në ”Historia e shqiptarëve” na sjell një pamje të shkollimit të kombit tonë në rajonet shqiptare të vitit 1887. Në Shqipëri ishin 3000 shkolla, ndër këta 1200 shkolla publike turke, po aq shkolla private greke, 300 shkolla sllave, vetëm një shkollë shqipe me drejtor të pavdekshmin Pandeli Sotiri. Pas 4 vitesh P. Sotiri vritet dhe kjo shkollë e vetme mbyllet. Me të drejte këta mësues ju i etiketoni “Rilindës të kohës sonë”, vullnetarë heronj të librave.
Mirënjohje ju dhe këtyre mësuesve në një mision kaq fisnik me rëndësi historike për kombin tonë.
Murat Koltraka.

*                     *                          *

I dashur Abdurahim!

Dibrën e ndanë me dysh fuqitë e mëdha për të kënaqur lakmitë sllave në grabitjen e trojeve tona. Të bësh Skavicën do të thotë Dibrën e Poshtme ta ndash përsëri në dy pjesë, ta shpërbesh si krahinë dhe njëherësh me këtë të varrosesh dhjetëra qendra arkeologjike të historisë së pasur të kësaj krahine, që përbën dhe një pasuri të madhe të historisë sonë kombëtare. Nuk ka pse bëhet kurban për të tjerët Dibra, nuk ka pse shpërbehet Dibra dhe të fundosen qindra biznese dhe të asgjësohen dhe plot pasuri të tjera etnokulturave, pse strukturat e shtetit për 24 vjet me radhë nuk mund të disiplinojnë hallkat që i shërbejnë këtij sektori, për të eliminuar vjedhjet që e kanë origjinën lart në segmentet shtetërore dhe të përmirësojnë rrjetin që ende është ai i kohës së Enver Hoxhës në pjesën më të madhe të këtij rrjeti.
Te bësh Skavicën do të thotë të përsëritet dhe një herë 1913-ta për këtë krahinë, do të thotë të bëhet ajo që s’munden ta bëjnë luftërat me armiqtë, epidemitë dhe as fatkeqësi të renda të natyrës.

 

KAFE BASHKË NUK KEMI PI

Të jam mirënjohës për vlerësimet tuaja. Studioj me kujdes çdo botim tuajin. Të përgëzoj për gjerësinë e thellësinë e mendimit, stilin, si dhe për problemet qe u kushtohemi.
URIME! Jetë të gjatë e të shëndetshme, paqe e begati në familje, të tjera prodhime në të ardhmen.
Z. Abdurahim. Kafe bashkë nuk kemi pi, por unë u njoh që herët. Kam shërbyer në arsim (20 vjet drejtor shkolle në Fushë-Alie). Kam shkruar (rrallë) që kur isha nxënës në pedagogjike, më pas dhe në “Hosteni”, “Revista pedagogjike”, (punime studimore) e shtypin tjetër. Kam referuar në çdo konferencë pedagogjike të rrethit. Kam përfaqësuar arsimin dibran në disa veprimtari kombëtare. Për punën kam qenë i vlerësuar, për ngjitje jo, për shkaqe politike. Pasion kam pasur matematiken, volejbollin, shtizen, (vend të II në kampionatin kombëtar të të rinjve), notin.
Gjurmoj rreth historisë së Dibrës, të Çidhnës, në veçanti të Kastriotëve. Shpresoj të nxjerr një vepër të mirë. Në pranverë kam në plan të shkoj të filmoj kalanë e Skënderbeut në Çidhën (midis Pllajut e Gur-Lurës) në lartësi mbi 1000 metra. Shpresoj tu sjell të tjera pamje me vlerë jo vetëm turistike, por sidomos historike.

Përshëndetje nga: Murat Koltraka
Peshkopi, 3 shkurt 2011

 

URIME DHE RRUGË TË MBARË…

 

Faleminderit Murat! Gëzohem shumë që i je përkushtuar Dibrës. Më ke bërë paksa xheloz me ato fotografi që përcolle, veçanërisht të Setës, foto të së cilës i kam bardh e zi që në vitet 80-të. Unë kam qenë në Gurë Lurë, kam qenë edhe në bjeshkën e Pllaut, kam shkuar nga Lura në Gurë Lurë dhe nga ana tjetër në bjeshkën e Pllaut.
Urime dhe rrugë të mbarë.
Me respekt
A. Ashiku
Athinë 3.2.2011

 

AS ARI I BOTËS NUK MJAFTON…

 

“Dritëro Agolli, kolos i letrave shqiptare, që na ka hapur shumë dritare për të parë boten, por subjektin e njërës prej tyre e ka marrë në njërin nga 9 Malet e DIBRES, në Luzninë tonë. Tjetri z. Abdurahim Ashiku, gazetar dhe publicist i shquar dibranë, që ndonëse 14 vjet larg nga vendlindja, në dhe të huaj, i rreh forte zemra për Dibrën, për  historinë e saj, për kulturën, traditat dhe me penën e tij të spikatur i është kushtuar mbrojtjes së saj nga ”Skavicat”, që projektojnë ata që këtë vend duan t’ua falin të huajve, të jenë dhe vet pjesë me ta pas hijes se tyre, që për para duan të fundosin nën ujë thesare të historisë pellazgë-ilire, rrënjët e saj, të  hershme sa vet jeta në këtë  rajon për të cilat nuk do të mjaftonte as ari i botës.

MË MUNGON DIBRA..

 

Përshëndetje Murat!
Ishte një bisedë e bukur ajo me Dritëro Agollin, një vlerë e thjeshtësisë së tij, një çiltërsi e tij. Jam krenar për bisedën me të por nga ana tjetër më vjen keq që vlerat e mëdha të Dibrës nuk jemi në gjendje ti administrojmë vetë, na i marrin të tjerët. Ne vazhdojmë ta mbajmë grykën e pushkës në gropë të zjarrit. Kjo është fatkeqësia e Dibrës dhe e dibranëve, fatkeqësi para së cilës “Skavica” është lule.

Faleminderit për sa shkruani. Më mungon Dibra!

 

*            *                 *

 

AMANETI I MURAT KOLTRAKËS QË SE TRET DHEU

 

LËRENI LUGINËN E DRINIT TË ZI, TË BUKUR SIÇ E KA DHËNË ZOTI, ZOTËRINJ TË NDERUAR!

 

Vendi ynë, ende në tranzicion e në  proces të shpejtë transformimi, ka nevojë më tepër se kurrë për fjalën e akademikëve, profesorëve, doktorëve, në të mirën e zhvillimit të vendit tonë. Ndonëse rrallë në shtyp shfaqet mendimi i tyre, ndonjëherë dhe na zhgënjejnë.

Në gazetën ‘Republika‘ të datës 04. 10. 2009 botohet një studim i tre Prof. dr. Pandi Stratoberda, Niko Pano e Alfred Frashëri mbi sistemin hidrografik liqeni i Shkodrës-Bunë-Drin, perspektivat e zhvillimit dhe parregullsitë që ekzistojnë. Shifrat dhe faktet e sjella prej tyre mbi shumëllojshmërinë e shpendëve, të amfibëve, të reptilëve, të molusqeve, gjitarëve e të tjera çështje, janë tregues të një punë serioze, që pasqyrojnë potencialin ekologjik të një ekosistemi, i cili, me të drejtë, duhet mbrojtur dhe për zhvillimin e mëtejshëm të tij duhen mënjanuar parregullsitë që pengojnë.

Duke marrë shkas nga shkrimi juaj, të nderuar zotërinj, deshëm të replikojmë pak me ju, jo për kompetencë shkencore e profesionalizëm, por se ju në punën tuaj jeni treguar tepër të njëanshëm. Ju rekomandoni si të vetmen alternativë për mbrojtjen e ultësirës shkodrane e asaj malazeze, ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, pasi, sipas jush, variante të tjera janë të kushtueshëm.

Për rajonin që përmbytet, pasojat që i vijnë atij, ju nuk e keni vënë lapsin në letër, pra nuk u interesojnë. Kjo do të thotë, të shikosh vetëm njërën anë të medaljes, ose është si të bisedosh me vetveten. Trajtimi i një anshëm i këtij problemi, që përbën kërcënim për një komunitet, prej dhjetëra-mijëra banorësh, me tridhjetë fshatra të kësaj lugine, e të tjerët përreth, vë në diskutim qëllimin e studimit tuaj, motivet që u shtyjnë.

E themi këtë pasi, ideja juaj është të asgjësohet një ekosistem, vlerat te tjera te mëdha te tij, për të mbrojtur një ekosistem tjetër. Ne ju pyesim: A mund të quhet zgjidhje, një justifikim si ai i juaji, që sakrifikon jo një, por disa zgjidhje të tjera duke sjellë katastrofë për një komunitet të tërë, pasoja të rënda për Dibrën ne tërësi? Ideja juaj të nderuar zotërinj nga ne dibranët lexohet: “Qep një pëllëmbë e shqep një pash”.

Skavica përmbyt luginën e Drinit të Zi në një gjatësi prej 75 km, nga Kukësi në veri, deri në kufi me Maqedoninë në jug, asgjëson potenciale të mëdha etnike, ekonomike, kulturore, historike, ekologjike, te cilat ju nuk i keni studiuar, në një pellg të pasur mbi 160 km2, që për këtë popull kanë një kosto shumë të madhe.

Dibra një etni, një gjak, një gjuhë, me të njëjtat tradita e zakone, me një histori të përbashkët, me 1913 u nda më dysh. Ata që e ndanë, nuk përfillën asnjë parim për vendosje, por vulosën vendimin duke marre me vete njollën e turpit gjate tere historisë. Dibra e Epërme padrejtësisht u kaloi sllavëve, Dibra e Poshtme i mbeti Shqipërisë. Kjo gjysmë e territoreve dibrane që i mbeti Shqipërisë, të nderuar zotërinj, a duhet të ndahet dhe një herë nga jugu në veri sipas idesë suaj? Nëse ndodh kështu, Dibra e Poshtme shpërbëhet.

Përmbytja e luginës së Drinit të Zi për mbrojtjen e “Aeroportit” më të madh të shpendëve e të gjallesave të tjera të një rajoni tjetër, për Dibrën

në fushën ekonomike do të thotë; deri në 8000 ha tokë produktive më pak nga 12500 ha që ka Dibra gjithsej, deri me 8000 persona të larguar nga puna, pasi në një hektar tokë punësohet një punëtor, 200 mijë rrënjë dru frutorë më pak, 4000 hektarë foragjere, pa llogaritur pyjet, kullotat, material ndërtimi e të tjera.

Do të thotë 9000 krerë lopë nga racat më të mira, 25000 krerë të imta më pak, ndërsa në produktet, i hiqen nga menuja popullit të këtij rajoni; 9000 kv mish gjedhi cilësi e parë, 5000 kv mish të imtash, 32000 kv grurë, 70000 kv misër, 1.600.000 kv fruta, 180 000 kv qumësht lope, 21.000 kv qumësht të imtash në vit, perime të freskëta e të thata, e të tjera.

Ky është vetëm hapi i parë i hedhur këto vitet e fundit nga qindra biznese të mesëm e të vegjël që ushtrojnë, aktivitetin në këtë rajon, kur mundësitë për të ardhmen janë shumë herë më të mëdha. Ndërtimi i Skavicës të nderuar zotërinj, zhduk nga harta e Shqipërisë një nga ”Perlat“ më të bukura e më të pasura në tërë territoret shqiptare, produktet e saj në përmasa kolosale, konkurruese në tregun ndërkombëtar për cilësinë e lartë të tyre vite më parë, zhduk “ Hambarin” e Dibrës e për rajonet përreth, me ekzistencën e të cilit është e kushtëzuar jeta e popullit të këtij rajoni nga prehistoria deri në ditët tona.

Pra ndërtimi i kësaj vepre për Dibrën do të thotë; më pak prodhime, më pak të ardhura, më pak dibranë në këtë rajon historik, më shumë ditë pa diell, më shumë ndotje të ambientit, më shumë rrezik për shëndetin e jetën e njerëzve e jo të shpendëve, amfibëve e të tjera gjallesave, që ju u kushtoheni në studimin tuaj. Ideja juaj të nderuar zotërinj, detyron mijëra banorë të lënë trojet e tyre etnike, pa qenë fajtor, ndërpret jetën njerëzore në këtë luginë pas më se 8000 vitesh jetë, të cilën nuk arritën ta ndërpresin luftërat në këtë rajon historikisht të trazuar, epidemite, as katastrofa të natyrës.

Ideja juaj mbi Skavicën fundos përgjithmonë vlera të pazëvendësueshme historike me rëndësi jo vetëm rajonale, por, sidomos kombëtare. Në pellgun e Drinit të Zi, edhe pse ky rajon bën pjesë në një krahinë të brendshme malore, jeta ka filluar që në neolitin e hershëm, njëherësh me vendbanime të para në rajone të Adriatikut e të Mesdheut me një popullsi vazhdimisht të dendur dhe njeh vetëm vazhdimësi. Në këtë pellg, arkeologët, deri tani, kanë evidentuar 40 qendra arkeologjike, shumë prej tyre në nivele shumë të ulëta, që i përmbyt çdo variant i  ndërtimit të kësaj vepre, vendbanime historike të virgjëra, që përfaqësojnë çdo epokë, në të cilën ka kaluar shoqëria njerëzore në më shumë se 8500 vite jetë.

Zotërinj të nderuar: E tërë kjo pasuri e madhe historike, kulturore, shpirtërore, jo vetëm ekologjike e transmetuar nga brezi në brez ne mijëra vite, a duhet të fundoset përjetësisht nën ujë që mbi të rëndojë veç peshës së ujit edhe errësirës së përjetshme dhe pesha e harresës? Çdo objekt arkeologjik ka jo vetëm vlera materiale, por sidomos vlera kulturore shpirtërore. Çdo gjeneratë i transmeton diçka vitale nga vetja, brezit pasardhës. Ç’do të thotë, të nderuar zotërinj, të fundosësh përjetësisht nën ujë një trashëgimi kaq të pasur të transmetuar në breza për mijëra vjet, ta fshish nga kujtesa e një populli dhe për brezat që do të vijnë për mbrojtjen e një ekosistemi tjetër?

Këto thesare janë vetëdija historike e një populli vital, janë të shenjta, për ta nuk ka çmim, ata as nuk mund te blihen, as te shiten për interesat e të tjerëve. Nuk mendojmë të ketë ndonjë vend ku intelektualët e vet t‘u rekomandojmë pushtetarëve të atij shteti, të asgjësojnë thesare të tilla të historisë për të mbrojtur ekosistemin e një rajoni tjetër, gjallesat e tij, qoftë edhe për arsye më madhore.

Përfaqësojnë prehistorinë në Luginën e Drinit të Zi, vendbanimet e mëposhtme si: “Kronza” e Blliçes, “Burimi” në zonën e Maqellarës, që i përkasin neolitit të hershëm, ndërsa “Blliçja”, “Çetushi” “Topojani”, “Salbatra e Sule”, “Topuzet”, “Çuku i Lekës” “Zall – Sina”, “Meja e Qytetit” ne Zall Dardhë e të tjera janë vendbanime prehistorike te mëvonshme.

Në këtë rajon përfaqësohet kultura qytetare ilire me tre qytete ilire, 1)në Zall – Dardhë, 2) ne Gjire të Përnezhës ne Fushë – Alie dhe 3) ne Gradec ne nivele shume të ulëta, qe çdo variant i Skavicës i përmbyt. Studiuesi latin Tit Livi shkruan (shek II p. e. s.) se në luginën e Drinit të Zi janë 14 qytete e kështjella ilire të penestëve (ende të palokalizuara).

Më të përmendurat për luginën e Drinit te zi ne Dibër janë; “Uskana” qyteti i dyte pas Durrësit për nga madhësia në tërë trevat ilire, Draudaku, Oenea e famshme si qyteza më e fortifikuar të cilën prof. dokt. Kristo Frashëri, Apolon Baçe dhe studiuesit dibranë e lokalizojnë në fshatin Çidhën e Poshtme, pjesë e këtij rajoni.

Me territore të kësaj lugine janë të lidhur ekzistenca dhe historia e Kastriotëve. Këtu janë vendlindja dhe vendbanimi i Pal Kastriotit, i Gjonit, i heroit tonë kombëtar dhe hero i rilindjes evropiane, (sipas disa studiuesve), Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Në këtë luginë buzë Drinit të Zi më 29 Qershor 1444 u zhvillua beteja e “Torviollit” e cila përfundoi me shpartallimin e plot te ushtrisë turke, jehona e të cilës u dëgjua në tërë kontinentin evropian, ngjalli shpresa shpëtimi për popujt në robëri, për të cilën Skënderbeu u vlerësua shumë dhe mori mesazhe urimi nga disa kancelari evropiane te kohës.

Me historinë e Kastriotëve lidhet vendi me toponimin “Kodra e Pareve”. Disa studiues mendojnë se ka qenë tempull i Kastriotëve. Ka

mendime se këtu mund të ketë lindur Skënderbeu. Këtë objekt e përmbyt dhe varianti më i ulët i ndërtimit të kësaj vepre. Në këtë pellg ndodhet Sina e Pal Kastriotit, fshat ku nis dalja e Kastriotëve në skenën e historisë, ndodhet Kastrioti, fshati i krijuar dhe i banuar nga Gjon Kastrioti. Këtu kaloi vitet e para të jetës heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

“Skavica” fundos varret e të parëve tanë, zhduk një toponomi mjaft të dendur me emra ilir, emra te tjerë te lidhur me emra fortesash, betejash, objektesh e pronash të Kastriotëve.

“Viset e Çidhnës”, janë vise të Skënderbeut, shkruan Barleti.

Fundoset “Ura e vjetër e Reçit”, kryevepër arkitektonike në ndërtimin e urave, Katedralja e Shën Lleshit, (rrënojat) më e madhja në Ballkan me kapacitet mbi 2000 vende, ku zhvilloi punimet Kuvendi i dytë ndërkrahinore i Dukagjinit, më 1602.

Fundoset “Ferra e Pashës” buzë Drinit të Zi që ka shërbyer si “Seli” e fisnikërisë së “Nëntë Maleve” historike të Dibrës për rreth pesë shekuj. Këtu janë marrë vendime historike sa herë ky rajon është kërcënuar, ose është sulmuar nga pushtues të huaj.

Fundoset shtëpia e “Riza Lushës” ku më 1920 u krijua “Qeveria e Arrasit”. Në këtë shtëpi u krijua shtabi që udhëhoqi kryengritjen dibrane për çlirimin e Dibrës nga pushtuesit serb.

Pa u zgjatur më tej të nderuar miq, ky rajon meriton të shpallet zonë muzeale e vlerave të mëdha historike. Në shërbim të idesë sonë mbi  paprekshmërinë e këtyre burimeve të historisë, citojmë një pjesë nga gjeniu i jashtëzakonshëm Shekspir i cili shkruan: “Nuk mund të pretendosh se e njeh një komb edhe sikur të jesh pjesë e tij, nëse nuk din

historinë e prejardhjes së tij”.

Për historinë e Dibrës volume të tëra nuk mjaftojnë, është me rëndësi kombëtare të nderuar zotërinj, si e tillë është dhe e juaja.

Në vendin e këtyre thesareve të historisë duhet investuar, jo për fundosjen e tyre në errësirë te përjetshme, por që të zbulohen, të dalin në dritë, që të mos heshtin, por të flasin dhe të presin vizitorë nga vendi e bota.

Kush mohon historinë e një kombi ka mohuar ekzistencën e tij. Dikur, për një ide të tillë, për luginën e Kolorados në Amerikë i nderuari presidenti amerikan i asaj kohe Linkoln këshillonte: “Lëreni luginën e Kolorados, të bukur ashtu siç e ka dhënë Zoti”.

Studiuesit tanë nuk duhet të bëjnë studime të njëanshme, qe pushtetarët tanë të mos e njohin realitetin ashtu siç është.

Ju të nderuar zotërinj, kërkoni t’i shkulni themelet asaj përmendoreje madhështore, që Dibra ngriti gjatë tërë historisë, aq të lartë sa shikohet në Kosovë, në Shkodër, në Durrës, në Vlorë, në Janinë, kudo ku flitej gjuha e bukur e shqipes, pasi në këto vende prehen të qetë martirë dibranë, që dhanë jetën në mbështetje të bashkëkombësve të tyre sa herë kaluan stuhi të historisë në këto anë.

LËRENI LUGINËN E DRINIT TË ZI, TË BUKUR SIÇ E KA DHËNË ZOTI, ZOTËRINJ TË NDERUAR!

 

Nga Murat Koltraka, studiues Dibran

“PO DIBRËS! JO SKAVICËS!” faqe 106-113

 

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.