5.5 C
Tiranë
E shtunë, 21 Shkurt 2026

Dhimiter Shkurti

 

‘’MËKATET’’ E SHOQERISË TIME

‘’MËKATET’’  E  SHOQERISË  TIME

..Një  natë,një grua,nuk u kthye të flinte në shtëpinë e saj.Të nesërmen,ajo i tha burrit se  e kish  kaluar natën  në shtëpinë  e  një shoqes  së saj  të ngushtë.Burri, u  telefonoi me rradhë 6 shoqeve më  të ngushta të gruas.Të gjashta  thanë se kishin kohë pa  e takuar gruan  e tij.

Një burrë nuk u kthye një natë të flinte në shtëpi. Të nesërmen, I  tregon gruas se  kishte fjetur në shtëpinë  e një shoku të ngushtë.Gruaja, i bëri  telefon gjashtë shokëve te tij.Pesë nga  ata pohuan se ai pat fjetur në shtëpinë  e tyre, ndërsa  i gjashti tha ,se jo vetëm  kishte fjetur tek ai,por po vazhdonte të flinte akoma në dhomën tjetër.Dhe  atij  i vinte keq ta zgjonte.

Kjo  anekdotë tregon aleancat e forta të burrave në krahasim me gratë. Burri  I martuar donte të mbulonte një mëkat, para  gruas,me ndihmën e shokëve të tij  të ngushtë.Ndërsa unë dua të tregoj’’ sot, mëkatet’’ tona, të shoqërisë time, në kohën kur shërbenim  në Peshkopi,duke  I fshehur jo nga gratë, pasi ahere  ishim beqarë,por nga  absurditeti  I shtetit dhe paragjykimet e disa njerëzve që na rrethonin.Kam  merak dhe frikë.Kam merak,mall,dashuri  për vitet e rinisë që kaluam bashkë, dhe frikë, se mos këto histori harrohen, humbasin.

‘’Për të egzistuar  miqësitë, miqtë duhet  t’i besojnë njëri  tjetrit.E për  t’i  besuar  njëri tjetrit, duhet  të jenë miq’’-thotë  Tolstoi.Kjo  thënie më duket se është shkruar për shoqërinë time, për ata 5  shokë-vëllezër, me një rrugëtim  35-vjeçar bashkë  e të pandarë.Sot, gjej rastin t’i kujtoj e t’i  përshëndes.

Ne,  çdo ditë mezi  presim  të kthehemi  nga puna, pranë njerëzve të dashur. Ashtu ndodhte  edhe  atëhere.Mblidheshim pasditeve dhe flisnim, bisedonim, qeshnim,shëtisnim në bulevardin e blirëve të qytetit,uleshim e kthenim ndonjë gotë, dhe bënim edhe ndonjë ‘’gjueti  të ndaluar’’.

Të kujtohet Fatmir?Hodhëm ca gota raki me tepër atë darkë, dhe përfunduam poshtë ballkonit të vashës tënde.Tek ngacmonim shokun tonë, kapelja e  oficerit  fluturoi në ballkonin e saj. Desh zoti që nuk ngeci atje, se do të na kishte dënuar komisari

Kur kërkon shokë pa të meta, nuk ka shokë, thotë një fjalë  e urtë.Kështu  edhe ne.Ti inxhinier, për pak ia rrëmbeve atë kërcimtaren shokut tone ‘’nevrik’’,por desh  hyre në gjak.Për malësorin një ‘’turp  të tillë  e lan  vetëm..pistoleta.Po, po.Veç, inati nuk na mbante gjatë.Si përfundim, zoçka ‘’fluturoi’’ larg, në një kontinent tjetër, dhe ne të tjerët, bëmë pajtimin e gjaqeve.

Mua më dukej se më sillnin racionin më të vogël  të  ëmbëlsirës, kur uleshim në lokal.Dhe, viktima, ishte Noku.Ishte kaq  qibar me ushqimin, sa mund te rrinte jo vetëm pa ëmbëlsirë, por edhe pa ngrënë.Me një kollitje të lehtë para  pjatës së tij, dhe e gjithë ëmbëlsira  përfundon, në barkun tim.

Kur Pëllumbi  u bë shef qarkullimi, mori në përdorim një triçikël.U gezuam te gjithë, por sidomos, Çerçizi.E kishte pikë të dobët motorin.Një pasdite, e rrëmbeu mjetin për t’i  bërë nje xhiro nje shokut  tonë mësues, por për pak , e humbi. Në një kthesë të fortë, shoku  ynë u gjend, ne ferrë.Për shkelje te rregullave te qarkullimit në shoqëri, Çeçua  u ‘’gjobit’’, dhe ne e hëngrëm darkën falas në Turizëm.

Unë merrja pjesë edhe me grupet  teatrale.Por kjo pati edhe një risk të vogël.Partnerja ime e shfaqjes, donte ta vazhdonte rolin, edhe në jetë.Mua më erdhi si e papritur, dhe ment  u tremba nga guximi I saj.Për fatin tim të mirë, ‘’sulltanesha’’nuk kishte plane afatgjata.Ajo ecte me parimin; Punë e madhe se ra kova disa herë në pus.Atë punë kanë kovat dhe puset.Partnerja me zuri pusi në hyrje te hotelit  te beqarëve. Me ndihmën e shokëve, u ‘’ngujova’’  disa pasdite në dhomë, deri sa rreziku kaloi.

Krejt ndryshe  ishin ‘’partneret’’ e dy shokëve të mi.Ato ishin gjuetare për dhendurë tek jabanxhijtë.E pra, sa  u  ra kova e parë në pus,(pusi funksiononte  edhe më parë) patën kaq etje për martesë, sa njëra  e mbajti frymën tek komisari, dhe tjetra, tek Kryetarja e Gruas së Rrethit.Për fatin tonë të mirë, Partia, qoftë edhe një herë të vetme, u tregua mëndjehapur.Shpëtuan shokët  tanë.

Ne sot jemi zbardhur, martuar, me fëmijët, burra, me përjashtim të Gazit.Ai mbeti besnik i beqarisë dhe autonomisë.Është shëmbull  I korrektësisë dhe përkushtimit.Ai ndoshta nuk donte t’ua linte të tjerëve, shërbimin dhe yzmetin që i   bën nënës.Ai ka lindur për të respektuar njerëzit

Ne tani jemi shpërndarë në disa shtete.Unë në Greqi,Çeçua në Itali, Noku në Gjermani  ndërsa  Pëllumbi, Fatmiri  dhe inxhinieri ne Tiranë.Nga ushtria, Çeçua na kujtonte  parimin e ndërlidhësit, antena të shikojë antenën.Edhe pse kaq larg, antenat  tona ndjejnë ritmin e zemrës së shokut.I  kam zili  ata të tre që janë afër dhe mblidhen shpesh.Ne ‘’emigrantet’’, sa shkelim këmbën  në Atdhe,japim sinjalin për t’u bashkuar.Ulemi diku dhe kalojme disa orë të këndshme.Pëllumbi, edhe pse kalon mjaft siklete shëndetësore në familje, nuk mungon kurrë.Është kripa e muhabetit, lezeti  I tavolinës.’’Aleancat’’ prishen kur vjen llogaria.Fillon ‘’sherri’’ dhe mosmarëveshjet.Kohët  e fundit shfrytëzojmë shenjat e prostatës.Nisemi  per në banjë dhe paguajmë faturën.’’Thelbi  I vërtetë  I një miqësie përbëhet nga pajtimi  i vullneteve, shijeve  e mendimeve’’.

Ne  ishim bashkë jo vetëm në gëzime  e dasma, por edhe në shqetësimet e punës  apo te jetës, në probleme  e vështirësi  ekonomike,dhe padyshim, në fatkeqësitë familjare.Bashkë  i qanim hallet, si kur ishim beqarë, edhe kur krijuam familje.Ne  ishim një familje e madhe por si  vëllezër të vërtetë, pasi, farefisin t’a cakton fati, por shokun e zgjedh vetë.

A thua u plakëm? Ndoshta.Kemi  edhe gjysh në mes tonë.Thonë se pleqëria ‘’troket’’ kur fillon e shkruan kujtime.E megjithatë ka vite që më mundon ky shkrim për shokët e mi.Më ka marrë malli.J’u  dua shumë  dhe j’u  detyrohem shumë.Dhe sot, pas kaq vitesh, unë j’u  kujtoj atë shprehjen klasike;

Do të jesh  i lumtur  në prag të pleqërisë, në qoftë se  i ke ruajtur shokët, miqtë.

23-11-2020                       F U N D             DHIMITËR  SHKURTI.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.