TEPËR E VONUAR…
Unë hyj shpesh brenda syve të tua
Dhe ndjej vështrimin tënd të ngrohtë
Kur dua të dal… e trembur prej andej
Ti mbyll qerpikët, siç mbyllet një portë
Unë hyj shpesh tek mendimet e tua
Dhe dua te vë rregull në atë rrëmujë
Kur dua që të dal e qetë prej andej
Ti më ndal mua pa zhurmë e bujë
Unë hyj shpesh tek ditët e tua…
Dhe kërkoj netëve të të gjej ty vetëm
Kur dua të të pëshpëris ca fjalë në vesh
Ti je i përqafuar dashurisht me një tjetër.
Dhe dal nga sytë e tua me vështrim të mjegulluar
Asgjë s’mund të kesh në jetë, kur je tepër e vonuar
A.TREBICKA 27.12.2020
!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!
NGANJËHERË…
Nganjëherë më trembin mendimet e mia
Dhe shpirti më ndrydhet dhe pikon lot
Dhe sytë nga të kaltër më bëhen gri
Më ngryset fytyra e nuk buzëqesh dot
Nganjëherë mërzitem me ditën e shkuar
Nganjëherë dielli e ndriçon shpirtin tim
S’ duhet trishtim nga cdo ditë e jetuar
Kur shpresa dhe durimi sjellin besim
Nganjëherë gëzimi më futet brenda syve të mi
Dhe dua që të puth qiellin e ai të të puthë ty…
A.TREBICKA 12.12.2020
“””””””””””””””””””””
KUJTIMET QË PIKOJNË NOSTALGJI…
E fika dritën dhe nata hyri në dhomë
Ngjyer plot yje dritarja nga hyri hëna
Më përkundi lehtë me ninulla e përralla
Kur mëngjesi hyri, nata s’ishte brënda
Vrapova me erën pa adresë dhe ide
Që të kujtoja çaste të stinëve të jetës
Një gjethe e tharë, vjeshtën rrëzoi përdhe
E ndala vrapin duke i pëshpëritur vetes :
Vazhdo të jetosh heshtjen ne të ëmblën shtëpi
Nën hijen e kujtimeve që pikojnë nostalgji.
A.TREBICKA 01.12.2020