Të shkruajmë,
Mos pushojmë së shkruari.
Ndryshe, shumë emra dhe punë të mira do t’i mbulojë harresa.
Po e nis vitin 2021 me një emër legjendë, me komandantin e shkollës së oficerëve “Enver Hoxha”,
Enver BEGENË
Komandant BEGENË ( si e kemi quajtur vazhdimisht).

Enver Begeja është bir i familjes madhe, patriote, shumë e njohur në Tiranë, familja Begeja. Një familje e lidhur fort dhe me kontribut në historinë e Tiranës e të gjithë Shqipërisë.
I ati i Enver Begesë, Ali Begeja ka qenë pjesmarrës në Kongresin e Lushnjës, 1920. Në vitin 1924 ka qenë pjesë e opozitës antizogiste. Nga viti 1934 ka qenë deputet në Parlamentin e Shqipërisë.
I rritur në këtë familje patriote e me kulturë edhe Enver Begeja këtë rrugë do ndiqte. Pasi përfundoi arsimin e mesëm në Tiranë shkoi në Itali në kolegjin ushtarak të Milanos, kolegj të cilin nuk e mbaroi plotësisht për arsye se Italia fashiste në 7 prill 1939 pushtoi vendin tonë. Begeja ishte nē grupin e studentëve shqiptarë që denoncuan pushtimin e Shqipërisë dhe refuzuan betimin fashist, ceremonia e të cilit u bë në Romë.

Pas kthimit nga Italia menjëherë u angazhua në lëvizjen dhe në luftën antifashiste që kishte marrë vrull në Shqipëri. Në fillim në grupet e të rinjëve antifashistë e në njësitet guerile të Tiranës. Pas zbulimit të identitetit të tij nga fashistët, në korrik të vitit 1943, rreshtohet si partizan në Grupin e Pezës, të cilin e drejtonte Babë Myslym Peza. Në tetor të vitit 1943 caktohet në detyrën e komisarit të njërit batalion të këtij grupi. Ndërsa në dhjetor 1943 gjendet në detyrën e komisarit të batalionit të zonës së Shijakut. Në këtë rast angazhohet në luftime direkte, bashkë me luftëtarë e drejtues të njohur të asaj zone. Me riorganizimin e forcave partizane të zonës Tiranë-Durrës në dy brigada, në Br2S dhe Br3S, Enver Begeja caktohet në detyrën e komisarit të një batalioni në Br2S. Me këtē funksion, në këtë njësi luftarake Enver Begeja ka milituar dhe ka luftuar deri në përfundimin e luftës antifashiste të popullit shqiptar. Deri në çlirimin e Shqipërisë.
Enver Begeja është nga të parët kuadro të ushtrisë sonë që u kualifikuan në shkollat ushtarake në BRSS dhe vende të tjera socialiste. Nga viti 1945 deri në vitin 1947 ai ka kryer studimet në Akademinë “Frunze”, në Moskë.

Mbas kthimit nga BRSS ka punuar shumë pak kohë në MM dhe më pas, në vitin 1947, është caktuar në shkollën e oficerëve Tiranë, në detyrën e shefit të degës së stërvitjes. Nga ky vit deri në vitin 1950 ka qenë në këtë funksion, duke punuar me dy komandantë, me gjeneral Qazim Kapisyzin dhe gjeneral Thoma Xhixhon.
Në vitin 1950 është emëruar komandant i shkollës së oficerëve. Begeja shkruan se këtë detyrë ia komunikuar Hysni Kapo dhe Enver Hoxha. Si thote ai, Enveri i ka thënë “E bën ti e bën”, duke kuptuar hezitimet e tij për këtë funksion me shumë përgjegjësi.
Dhe Enver Hoxha kishte patur të drejtë. Enver Begeja e bëri vërtetë. Nga 1950 deri në vitin 1972 ishte komandant i kësaj shkolle. Komandanti më jetë gjatë në shkollë. Nga 1947 deri në vitin 1972. Pra, 25 vjet, nga këta 22 vite në detyrën e komandantit të shkollës.
Duke qenë në shkollën “Skënderbej”, të cilën një murë e ndante nga shkolla e bashkuar e oficerave, kisha dëgjuar por edhe e kisha parë Enver Begenë. E kisha parë në aktivitete ceremoniale të përbashkëta të të dy shkollave. Por ishte vetëm njohje nga larg.
Nga afër e kam njohur në vitet 1965-1967 kur kam qenë kursant në shkollën e bashkuar të oficerave, në specialitetin këmbësori. Gjatë dy viteve e kam parë, takuar, biseduar me komandant Begenë shumë herë. Kur ai dilte para shkollës, kur vinte në klasa, në poligone të stërvitjes për të kontrolluar procesin mësimor, kur vinte në seminare e provime të ndryshme. Në aktivitete sportive, etj. Jam takuar edhe në kohë të lirë. Ndodhte shpesh, Begeja dilte në mjedise të shkollës, shikonte kursante të cilët i thërriste e bisedonte me ta. Biseda të lira, për programin, për disiplinën, ushqimin, veshjen. Por edhe për probleme jashtë shkolle. Për letërsinë, poezinë, filmin, etj. Duhet ta them hapur. Takimin me komandant Begenë nuk është se e “dëshironim” shumë. Sidomos kur gjendeshim në shkelje të rregullave të shkollës. Por, pasi e takonim, pasi dëgjonim fjalët e tij të ngrohta, ishte mjeshtër i fjalës së kursyer, i figurave letrare, ndjeheshim ndryshe. Kishim takuar një njeri të veçantë, kishim takuar, kishim shkëmbyer mendime me komandantin tonë të “sertë”, me komandant Begenë. Cili nuk e dëshironte një takim të tillë. Unë, personalisht kështu i kam përjetuar takime të tilla.
Nuk i harroj dy nga këto takime me komandant Begenë.

Hera e parë. E kam takuar kur ai ishte bashkë me komandantin e shkollës “Skënderbej”, kolonel Luto Haxhiu. Ndërsa po shoqëroja togën nga një kabinet në një tjetër i pashë të dy, të dy kolonelë dhe i dhashë nderimin e togës. Në ndërkohë dëgjoj komandant Luton të më thërriste- kapter Elezi ejani këtu. U afrova, i nderova dhe prita. Luto i thotë Begesë- Ganiun e kemi patur një nga skënderbegasit më të mirë. Edhe këtu i tillë është tha Begeja. Si e shikoni e kemi zevendës komandant toge me gradën e kapterit. Apo jo kursant Elezi ( zakonisht, kështu na drejtohej, kursant). Si urdhëron, shoku komandat, i thashë. I nderova të dy komandantët dhe u largova.
Hera e dytë. Një kursant i ndërlidhjes ( nuk po e them emrin. Ishte nga shokët e mi të shkollës Skënderbej), me të cilët ndanim të njëjtën fjetore, me anë të aparatit të morsit, natën, na bëri të besojme se po degjonim sinjalin e alarmit. Unë isha zevendës komandant toge. Kompanisë i dhamë komandën Alarm. Kursantët u çuan me rrëmbim. U veshēn dhe do dilnim jashtë kapanonit në se nuk do dëgjonim të qeshurat e kursantëve të ndërlidhjes. Na kishin vënë në lojë.
I rraportuam te Begeja. Na priti. U tregua shumë i rreptë me sjelljen e ndërlidhësve. Sipas tij asnjë nuk duhet të luajë me gjëra serioze, si sinjalet e alarmit luftarak.Mori masa disiplinore. Na komplimentojë neve të këmbësorisë për ndjenjën e të qenurit gati. Por na tha se në efektiva të tillë, të mëdha, duhen pranuar edhe shaka të tilla. Vërtetë na bëri përshtypje. Edhe një komandant i ashpër në çështje të rregullit e disiplinës, e justifikonte lojën, shakanë mes shokësh. Kishte të drejtë.
I solla këto dy momente për të evidentuar, përkrah korrektësisë dhe rreptësisë në çështje të rregullit e disiplinës edhe natyrën njerëzore të komandant Begesë.
Çfarë veçoj unë te personaliteti i komandant Enver Begesë në këtë status të shkurtër.
Begeja ishte përfaqësues i atyre kuadrove që kishin bërë luftën. Kishin çliruar vendin. Kjo ishte një krenari që manifestohej në çdo rast. Ishin kuadro të kualifikuar në akademitë e BRSS a të vendeve të tjera socialiste. Edhe ky fakt i bënte interesantë në sytë tanë. Ishte pjesë e elitës ( quhej edhe kastë) së lartë të ushtrisë sonë. Edhe pse me gradën Kolonel ishte i barabartë me gjeneralët. E shihnim këtë në mënyrën se si ata silleshin me komandant Begenë. Sigurisht ne na bëhej qejfi me vendin që ai kishte në mes kësaj elite ushtarake.
Begeja ishte shumë kërkues në zbatimin e dispilinës ushtarake dhe të rregullave të përditëshme në shkolle. Shkolla funksiononte si “sahat” zemrekun e të cilit e kishte në dorë Begeja. Nuk ishte i zhurmës dhe fjalëve me zë të lartë. Nuk më kujtohet ta kem dëgjuar ndonjëherë të bërtiste, si ndodhte me ndonjë epror tjetët. Vetë paraqitja e tij, mënyra se si i shtronte dhe i kontrollonte detyrat përbënte atë “zemrekun” që e mbante në punë ORËN, shkollën e bashkuar të oficerëve. Pikërisht këtë korrektë e përgjegjësi rrespektonin të gjithë, kuadro e kursantë. Si me shaka, por duhet marrë e vërtetë thuhej–kur hyn komandant Begeja në postobllok (në krah të rrugës Dibrës), qëndron gatitu edhe roja në anën tjetër të territorit (në kufi me spitalin nr.5) të shkollës.
Komandant Begeja kishte një metodë pune, e cila rrallë linte shteg për mos realizim të detyrave. Vinte, mrekullisht, në punë zinxhirin e komandës. Kërkonte që secila hallkë e këtij zinxhiri, secili kuadër të bënte detyrën, që kishte në përgjegjësi. Kështu, në bazë të funksionit e përgjegjësisë të secilit e ngrinte edhe kërkesën e llogarisë.
Psh, kur shihte kursante që silleshin keq, nuk mbanin mirë uniformën, nuk zbatonin rregullat e disiplinës ushtarake, komandant Begeja vetëm i pyeste- i cilës kompanji, kështu e thoshte, jeni ju shoku kursant ?. Nuk kishte punë me kursantin. Merrej me eprorët e tij. Dhe ata e dinin se çfarë provinin në raste të tilla. Edhe në rastet kur në stërvitje të ndryshme konstatonte mangësira, mos trajtime të drejta të koncepteve taktike, etj nuk e bënte këtë mungesë problem të aty për atyshëm. Punën e kishte me drejtuesit e cikleve (katedrave), me pedagogët. Ne e merrnim vesh se ç’kishte ndodhur vetëm nga cfare dëgjonim më vonë nga pedagogët e drejtuesit tanë.
Veçse komandant me një autoritet të padiskutueshëm, Begeja ishte edhe njohës i thellë i përmbajtjes dhe kërkesave të programit mësimor të shkollës. Vinte, shpesh, në mësime, seminare në klase apo në poligone të taktikës, përgatitjes për qitje, në komplekset fizkulturore, etj.
Në taktikë- ishte njohës shumë i mirë i parimeve dhe normave mbi të cilat mbështetej taktika jonë ushtarake. Kishte dëshirë të shikonte veprime taktike që mbështeteshin dhe i zbatonin këto norma e parime. Sidomos normat që lidheshin me shpejtësinë, befasinë, shfrytëzimin e terrenit dhe përdorimin me efektivitet të fuqisë zjarrit të nënrepartit. Në raste të tilla tregonte edhe përvojën e luftës partizane.
Në përgatitje për qitje, veç se njihte dhe përdorte mirë gjithë armatimin e lehtë, ishte edhe një qitës shumë i mirë. Në mjaft raste bënte “garë” me ne kursantët, dhe na e kalonte.
Në përgatitje fizike, ishte qejf ta shihje në hekur, paralele, ngjitje litari, etj. I veçantë ishte në kalimin e kalit gjimnastikor. Kishte një stil prej atleti, gjimnasti të vërtetë.
E fundit, po jo më pak e rëndësishme.
Komandant Begeja ka qenë MODEL të cilin të gjithë ne e synonim. Si gjithë të rinjtë, në çdo shkollë e në çdo profesion, edhe ne të rinjtë ushtarakë kishim idhujt, modelet tanë. Enver Begeja ka qenë nga më të pëlqyerit. Breza të tërë oficerësh jo vetëm e kemi nderuar si komandant, si mësuesin tonë, por …e ëndërronim, e shihnim si model në karrierën e ardhëshme ushtarake.

Shkolla personifikohej me Begenë. Mund, fare lehtë te quhej shkolla/ rreparti i Enver Begesë. Njëlloj si thuhet ende për Kazermat e Ali Rizait, për epartin e Diko Zeqos, për batalionin e Jaho Banushit. Sa duket fakti që shkolla e bashkuar e oficerëve mbante emrin e udhëheqësit të Shqipërisë, Enver Hoxha, e ka bërë të pamundur këtë personalizim. Sigurisht shkolla e bashkuar e oficerave në Tiranë mund/duhet personalizuar me emrin, Enver Begeja. Ose shkurt Begeja.
Në vitin 1972 komandant Begeja është larguar nga shkolla në një detyrë shumë të rëndësishme. Nga 1972 deri në vitin 1974 ka punuar në Institutin e Studimeve Ushtarake. Një institucion që merrej me historinë e luftës sonë çlirimtare, me historinë e ushtrisë, të njësive e reparteve të saj, të armëve e shërbimeve dhe me çështje të taktikës, artit operativ dhe atij strategjik të Shqipërisë. Një punë që u ndërpre për shkak të ndëshkimit të udhëheqjes së lartë të ushtrisë.
Në vitin 1974 komandant Enver Begeja ka dalë në pension.
Në pension, për t’u angazhuar me gjithë aftësitë e tij morale, profesionale e fizike në organizatën e Frontit dhe në atë të veteranëve të luftës, duke dhënë edhe këtu një kontribut të veçantë.
Komandanti ynë ka qenë edhe njeri i letrave. Në disa shënime të tij kam mësuar se ka shkruar edhe poezi. Por, më shumë më kanë tërhequr vemendjen shënimet që ai u ka lënë fëmijëve të tij, të cilët po i postojnë në faqen “Enver Begeja” në fb.
Janë shënime që përshijnë gjithë jetën e tij. Fillojnë me familjen Begeja, kryesisht me të atin, Aliun. Vazhdojnë me vitet e shkollimit në Tiranë, me shkollimin në kolegjin ushtarak të Milanos. Shumë interesante janë shënimet për pjesmarrjen dhe aktivitetin e tij në luftë për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë. Në këto shënime veçse për ngjarje e veprime luftarake, Begeja ka shkruar edhe për shumë emra, protagonistë të njohur të atyre viteve.
Për mua, të rëndësishme dhe me vlera historike e shkencore në fushën e mendimit dhe të artit ushtarak, janë shënimet që ai ka bërë për aktivitetin e gjatë, 25 vjeçar, në shkollën e bashkuar të oficerëve “Enver Hoxha”. Ka shkruar për përmbajtjen e programeve të kësaj shkolle. Për stërvitjet taktike. Për marrshimet që ka kryer shkolla. Për fushimet verore dhe dimërore. Ka shkruar për dhjetra e dhjetra kuadro me të cilët ka bashkëpunuar. Shumë nga të cilët i ka përshkruar si profesionistë të zot, si shokë e si miq të mrekullueshëm. Me të vërtetë janë shkrime që do i shërbenin çdo institucioni që merret me historinë e LANÇL dhe me historinë e ushtrisë sonë të periudhës 1945-1990.
Komandant Enver Begeja është ndarë nga jeta më 26 Tetor 2004, për të mbetur i paharruar për njerëzit e tij më të dashur, për bashkëluftëtarët e UNÇL, e sidomos për mijra kuadro ushtarakë, të cilët karrierën e tyre ushtarake e filluan dhe e përshkuan sipas mësimeve dhe MODELIT të komandant BEGESË.