Abdurahim Ashiku

“PËRMBYTJA E SHKODRËS”, URDHËR: “TË MBYTET  DIBRA”!

Një pyetje e vjetër që ma zgjoi gjendja e rëndë e shirave të këtyre ditëve

Nga Abdurahim Ashiku, gazetar *

Zëra që “qyp” po zgjojnë përsëri “Mbytjen e Dibrës”, Skavicën, për të mos mbytur Shkodrën…
Nuk pastrojnë kanalet e vjetër të “komunizmit”, nuk ndërtojnë prita e kanale të rinj, nuk instalojnë hidrovorë, nuk e venë në zap Drinin e Bunën, nuk po e thellojnë Bunën për ta bërë të lundrueshme e turistike siç flitej dhjetë vjet të shkuara…
Shënimet e mëposhtme janë marrë nga libri “PO DIBRËS, JO SKAVICËS! Botuar në vitin 2010.

Përmbytja e fushës së Shkodrës, në ato përmasa tashmë të deklaruara (11.400 hektarë dhe 2649 shtëpi) përbën katastrofën më të madhe ujore të njohur në Shqipëri, katastrofë mbi shtëpitë dhe pasuritë e ngritura me gjakun dhe djersën e njerëzve në emigrim apo jo, mbi tokën dhe prodhimet e saj, mbi blegtorinë dhe bazën e saj ushqimore (të thatë, të koncentruar e të njomë), mbi gjallesa në shërbim të njeriut (pula, dele, qengja, lopë…), gjallesa të natyrës së egër, etj. Katastrofa e Shkodrës mund të themi me plot gojën se erdhi “nga Zoti” dhe “nga Robi”, katastrofë e lidhur me reshjet mbi pellgun ujëmbledhës që nga Struga, Rrafshi i Dukagjinit e deri nga Alpet e Veriut, por edhe nga mos menaxhimi i situatës në ujëmbledhësit e mëdhenj në Fierzë, Koman e Vaun e Dejës duke shtuar këtu edhe gjendjen e pa tolerueshme të kanaleve kullues, digave, hidrovoreve, lumit të Bunës etj. Përmbytja e Shkodrës është tashmë një realitet sa i dhimbshëm po aq edhe tregues se në këtë zonë (ashtu si edhe në zona të tjera të Shqipërisë) prej njëzet vjetësh ka munguar shteti. Kur them “ka munguar shteti” nuk kam parasysh vetëm Berishën e Parë dhe Meksin që ka dominuar vitet 1991-1997 (kur “kuota zero” në pritje të “çekut të bardhë” ishte fjalë e ditës) por edhe vitet 1997-2005 me serinë e kryeministrave socialistë: Nano, Majko, Meta e prapë Nano. Kam parasysh edhe Berishën e Dytë nga citi 2005 e deri sot, përfshirë këtu edhe krahët e “dy krahëve”, serinë homologe të ministrave të energjetikës, bujqësisë, transportit, ekonomisë, financave etj. Një analizë me letrat e hapura “Çfarë bënë të tjerët (para vitit 1990) dhe çfarë nuk bëmë ne (më troç: çfarë shkatërruam dhe vodhëm ne) në vitet 1990 – 2010 vite të politikës “të djathtë” e të “majtë” shqiptare, një vetë-operacion është i domosdoshëm në qoftë se nuk duam të përballemi nesër me ndodhi të tilla. Të presësh lëmoshë nga natyra, të shtrish duart duke iu lutur asaj, pa punuar që t’ia rrëmbesh vlerat, nuk është gjë tjetër veçse një theqafje. Nuk kam ndërmend të bëj as prokurorin dhe as avokatin e Përmbytjes së Shkodrës, togfjalësh shumë i lakuar këto ditë. Këtë le ta bëjë politika dhe shoqëria shqiptare në një gjyq jo vetëm për të treguar me gisht fajtorët por edhe në një paralajmërim për të ardhmen. Fjalën e kam se po ndodh që “Përmbytja e Shkodrës” po çon verbërisht në “Mbytjen e Dibrës”. “Përmbytja” dhe “Mbytja” ndryshojnë gramatikisht vetëm nga parashtesa e së parës “për-mbytja”. Në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe (të cilin e mbaj me vete në emigracion) fjalët “përmbyt”, “përmbytem”, “përmbytje” zbërthehen si: “E mbyt me ujë të shumtë”, “Drini përmbyt fshatra të tëra”, “I mbuluar nga ujërat e tepërta të shirave apo të lumenjve a përrenjve”, “Fushë e përmbytur” etj. Fjalët “mbyt”, “mbytem”, “mbytje”  në të gjitha rastet e treguara (përveç atyre figurative) ka kuptimin vrasës, vdekës: “e bëj të vdesë”, “e vras duke e goditur”, “nuk e lë të marrë frymë”, “shtyp me dhunë”, “që është fundosur në ujë”, “anija e mbytur”… “Përmbytja e Shkodrës” dhe “Mbytja e Dibrës” janë në segmentin e dy të kundërtave që i ikin njëra tjetrës. E para ka shansin e jetës, shansin që “Drini” pasi “përmbyt fshatra të tëra” kthehet në shtratin e vet me paralajmërimin e natyrës memece se do të vijë përsëri. E dyta, “Mbytja e Dibrës”, nuk e ka këtë shans. E humb përgjithmonë ashtu siç e humbën fshatrat që mbyti liqeni artificial i Ulzës, i Fierzës, Banjës etj. Kukësi   tashmë është i mbytur ashtu siç janë mbytur fshatrat e tjerë. Ulza është e mbytur dhe ndonjë gjurmë e shtëpive apo pemëve të fshatrave nën ujë mund të shihet vetëm në thatësinë ekstreme. Darëzeza në liqenin e Banjës “jeton” vetëm në shtëpitë e ndërtuara midis pishave vetëm disa dhjetëra metra larg bregdetit në Seman të Fierit. Shkurt një “Dibër e mbytur” nga ngritja e një dige në Skavicë të Kukësit dhe nga uji i amullt i liqenit që formohet nga Reçi e deri në Gjoricë, në luginën më pjellore të maleve të Shqipërisë është një “Dibër e vdekur”. Kur dy vjet të shkuara në kundërshtim të një tenderi të hapur nga qeveria Berisha II për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës dola publikisht në disa gazeta me shkrimin “Dibra po mbytet, ku janë dibranët?” kisha ndjenjën e sigurisë se Dibra dhe dibranët do të flisnin, madje të revoltuar. Kisha ndjenjën e sigurisë se intelektualët dhe të zgjedhurit në kuvend dhe në piramidën e pushtetit lokal, të majtë e të djathtë, do të dilnin për pak kohë nga “prehri” i partive të tyre për të bashkuar zërin në pyetjen: “A do të mbytet dhe pse duhet mbytur Dibra?”. E kisha këtë ndjenjë sepse Dibra në fund të fundit nuk është krijesë e asnjë partie politike të “kohës sonë” dhe të “asnjë kohe” por është krijesë e natyrës, e Zotit. U zhgënjeva në ekstrem. Asnjë dibran i shtetit dhe i pushtetit, i djathtë apo i majtë, nuk doli nga “prehri” i partisë së tij për të thënë fjalën e vet, pro ose kundër. Por ndërsa u zhgënjeva nga dibranët, u ftoha nga dëbora dhe akulli i qëndrimeve të tyre, më ngrohu, madje më solli “pranverë” një zë jashtë Dibre, një njeri që  nuk ishte dibran, një jugor, Xhemal Mato. Po përcjell reagimin e tij publik:
Përshëndetje Abdurahim, E lexova shkrimin tuaj dhe problemi mu duk shumë i rëndësishëm dhe kompleks. Unë vetë mësova shumë gjëra dhe kuptova që pak e njoh problematikën që do të sjellë ndërtimi i Skavicës. Mendoj se intelektualët e zonës së Dibrës duhet të kërkojnë vlerësimin mjedisor që është bërë për këtë projekt (është e drejta e tyre dhe detyrim ligjor i Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrisë së Kulturës). Gjithashtu me ligj ata kanë të drejtë ta anulojnë, në se nuk janë dakord dhe argumentojnë ato që ju përmendni me të drejtë. Kjo është rruga ligjore  por si e dini dhe ju, ligjet shpërfi llen në këtë drejtim në Shqipëri, kështu që ngel hapi i dytë gjyqi, i cili gjithashtu nuk fi tohet kollaj dhe s’e merr përsipër ta bëjë një grup i pa bashkuar, shpesh i pamotivuar në ndërgjegje. Së fundi është gjyqi publik të cilin ju jeni duke e bërë por këtu të gjithë ata që janë dakord me ju duhet ta bëjnë dhe unë tashmë rreshtohem pas jush.

Te fala Xhemali

*       *         *

Për hir të së vërtetës do të vlerësoja reagimin e  Bujar Karoshit të gazetës “Rruga e Arbrit” në “Pazari” dhe në “Shënimin e redaksisë” ku thotë: “Letra e hapur e bashkëpunëtorit tonë, Abdurahim Ashiku, drejtuar intelektualëve dibranë, dhe në veçanti, Presidentit të shoqatës  “Për mbrojtjen e pellgut të Drinit të Zi”, trajton një problem shumë madhor për Dibrën dhe dibranët. Problemi nuk është vetëm lokal, është gjithëkombëtar. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se Hidrocentrali i Skavicës është një vepër “madhore”, por ajo nuk duhet të kthehet një vepër “mizore”... Pas kësaj do të vinte vetëm një reagim – kronikë nga një gazetar matjan, Hasan Pasha. Po e përcjellim atë:
“Qindra banorë të Dibrës, kryesisht nga fshatrat e komunës Fushë-Çidhën u mblodhën në një protestë kundër ndërtimit të HEC-it të Skavicës. Ata mbanin në duar pankarta ku shkruhej: “Dibra mbytet”, “Ndal projektit italian”, “Jo hidrocentralit të Skavicës”, etj. Në krye të protestës qëndronin drejtuesit e shoqatës “Drini i Zi” Nazmi Driza, Sadin Përnezha, drejtues të komunës Fushë-Çidhën, banorë të fshatrave që përmbyten, qytetarë të Peshkopisë etj… Në krah të protestuesve dibranë ndodhej edhe historiani Ali Hoxha, i cili hapi mitingun dhe tha se “ndërtimi i HEC të Skavicës mbyt një qytetërim të lashtë dhe të njohur në trevat shqiptare. Ndërtimi i Skavicës sjell fshehjen nën ujë të historisë së një treve nga më të lashtat dhe nga më krenaret, një trevë që ka nxjerrë heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriotin –Skënderbeun, i cili, nga 26 beteja fitoresh të mëdha me zë në historinë e Shqipërisë dhe të Evropës kundër dy sulltanëve osmanlinj, 19 i ka zhvilluar me dibranët dhe në tokën dibrane” Në tetor të vitit 2009 vjen një reagim tjetër, replikë ndaj një shkrimi të Prof.dr. Pandi Stradobërdha, Niko Pana e Alfred Frashri botuar në gazetën “Republika” me titull “Lëreni të bukur luginën e Drinit të Zi” të Murat Koltrakës. Është i gjatë reagimi, me analizë ekonomike, historike, gjeografike, shoqërore, me shifra e fakte që nuk e di pse nuk e ka mbështetur asnjë dibran në hapësirën kohore të katër muajve, nuk e ka thënë fjalën asnjë kuvendar-deputet (nga e majta apo nga e djathta), asnjë pushtetar lart e poshtë, i pozitës apo opozitës (në prefekturë, në bashki, në komuna), asnjë intelektual në Dibër, në Tiranë apo një hapësirë më të madhe gjeografike. Megjithatë, në respekt intelektual ndaj z. Koltraka, po shkëpus disa shqetësimi të mëdha të tij, shqetësime që janë edhe të miat, edhe të mbarë dibranëve: Ai u drejtohet  Prof.dr. Pandi Stradobërdha, Niko Pano e Alfred Frashri: Për rajonin që përmbytet, pasojat që i vijnë atij, ju nuk e keni vënë lapsin në letër, pra nuk u interesojnë. Kjo do të thotë, të shikosh vetëm njërën anë të medaljes, ose është si të bisedosh me vetveten… Skavica përmbyt luginën e Drinit të Zi në një gjatësi prej 75 km, nga Kukësi në veri, deri në kufi  me Maqedoninë në jug, asgjëson potenciale të mëdha etnike, ekonomike, kulturore, historike, ekologjike, të cilat ju nuk i keni studiuar… Dibra një etni, një gjak, një gjuhë, me të njëjtat tradita e zakone, me një histori të përbashkët, më 1913 u nda më dysh. Ata që e ndanë, nuk përfillën asnjë parim për vendosje, por vulosën vendimin duke marrë me vete njollën e turpit gjatë tërë historisë. Dibra e Epërme padrejtësisht u kaloi sllavëve, Dibra e Poshtme i mbeti Shqipërisë. Kjo gjysmë e territoreve dibrane që i mbeti Shqipërisë, të nderuar zotërinj, a duhet të ndahet dhe një herë nga jugu në veri sipas idesë suaj? Nëse ndodh kështu, Dibra e Poshtme shpërbëhet. Ndërtimi i Skavicës të nderuar zotërinj, zhduk nga harta e Shqipërisë një nga Perlat më të bukura e më të pasura në tërë territoret shqiptare. Ideja juaj detyron mijëra banorë të lënë trojet e tyre etnike, pa qenë fajtorë, ndërpret jetën njerëzore në këtë luginë pas më se 8000 vitesh, jetë të cilën nuk arritën ta ndërpresin luftërat në këtë rajon historikisht të trazuar, epidemitë, as katastrofa të natyrës . Ideja juaj mbi Skavicën fundos përgjithmonë vlera të pazëvendësueshme historike me rëndësi jo vetëm rajonale, por, sidomos kombëtare. Dikur, për një ide të tillë, për luginën e Kolorados në Amerikë i nderuari presidenti amerikan i asaj kohe A. Linkoln këshillonte: “Lëreni luginën e Kolorados, të bukur ashtu siç e ka dhënë Zoti”. Lëreni luginën e Drinit të Zi, të bukur siç e ka dhënë Zoti, zotërinj të nderuar!..
Duke cituar z. Koltraka do të ftoja intelektualët shqiptarë të nxjerrin nga kujtesa e debateve për “Përmbytjen e Shkodrës” pozicionet e politikanëve të të dy krahëve, por edhe të specialistëve do të thosha me autoritet akademik që kur vinte puna për Skavicën bashkoheshin në diktatin “Të mbytet Dibra”. Edhe ish ministri socialist i energjetikës Doda  në mbledhjen e asamblesë së partisë socialiste si alternativë të vetme jepte “Të mbytet Dibra!” Prof. Dr. Edmond Pinguli në një prononcim në gazetën 55 thotë: Mbas 23 vjetëve për hidrocentralin e Skavicës i jepet bonusi 10 pikësh treshes italiane me në krye Geoteknica të Romës dhe behet gati për tender. Pata rastin të takohem me njërin nga pronarët dhe të diskutojmë për këtë hidrocentral. Projekti parashikonte një digë 160 metro të lartë, salla e turbinave futej 30 metro poshtë, duke realizuar idenë tonë të parë me digë 190 metro të lartë. Ky variant mbyste 62 km2 tokë dhe s’postonte 40 mijë banorë. Pyetja ime ishte: A ishte dakord Qeveria me spostimin e banorëve? Përgjigja ishte që sigurisht jo. Unë iu përgjigja se e ka një zgjidhje, e cila është vetëm nëse kthehet sistemi i vjetër që mbyti një qytet si Kukësi… Një problem që e ngre një specialist që sheh përtej teknikës, që e “zbret në tokë problemin” ashtu siç jam munduar ta zbresë edhe unë në shkrimin “Po mbytet Dibra, ku janë dibranët?”, ashtu siç e zbret z. Koltraka në shkrimin replikë: “Lëreni luginën e Drinit të Zi, të bukur siç e ka dhënë Zoti”. E dini pse diktatura nuk e ndërtoi Skavicën? Një “lajm i brendshëm” i asaj kohe e lidhte me strategjinë, me faktin se “liqeni i Skavicës” e ndante përfundimisht Dibrën, e bënte “kafshatë të lehtë për sërbosllavinë”, e mbyste historinë e saj, i mbyste të 19 nga 26 betejat fitimtare të Skënderbeut që u zhvilluan në Dibër, mbyste arkeologjinë tërësisht të pa prekur të saj, mbyste ato burime bujqësore e blegtorale që nuk i ka pothuajse asnjë luginë në Shqipëri. Profesori i nderuar Pinguli flet për 62 kilometra katrorë tokë të mbytur e 40 mijë banorë të shpërngulur. Në Shkodër kishim 11.400 hektarë dhe 2649 shtëpi të përmbytura, një popullsi afro katër herë më të vogël se sa popullsia në pellgun mbytës të Dibrës, një popullsi që do të kërkonte 62 kilometra katrorë tokë për tu shpërngulur, që do të kërkonte rreth 8 mijë banesa të ndërtuara… A është e mundur një shpërngulje e tillë kaq masive në kushtet kur në Shqipëri nuk ka qoftë edhe një pëllëmbë tokë të lirë? Kësaj pyetje nuk i përgjigjet as politika dhe as specialistët. E vetmja fjalë e tyre është: Të mbytet Dibra! I citova këto për arsye se po të ndodhte një gjë e tillë, po të ishte ngritur lart zëri i dibranëve mbarë, pas “Përmbytjes së Shkodrës” nuk do të fliste njeri për “Mbytjen e Dibrës”. Duke theksuar solemnisht si njeri me ndërgjegje e shpirt human se ndjej dhimbje të madhe për atë që i ndodhi Shkodrës, për atë përmbytje të pashembullt pre e “natyrës qorre” dhe e “njeriut me sy, veshë e shpirt” dhe se jam me ta në këtë fatkeqësi dua që atë që i erdhi nga “natyra dhe njeriu” Shkodrës dhe Shkodranëve të mos i vijë nga ”njeriu, dhe vetëm nga njeriu” Dibrës. Rrjedha e lumit Drini i Zi nga Ura e Spiles nën hidrocentralin e Dibrës së Madhe e deri në derdhje në det ka nevojë për “mendjen e shkencëtarëve” e jo “mendjen e magjarëve”, e politikës dhe e politikanëve, e pushtetarëve dhe shtetarëve në alternativat e “majës së piramidës”. Para se të mbytet Dibra duhet të “mbytet” mendimi i “njëshit”, mendimi i “njërës anë të medaljes”. Lugina e Dibrës, mbytja e saj, nga sa shoh e dëgjoj nga larg, shihet si “alternativa e hurdhës” që mbledh ujë për të “ujitur turbinat e fitimit kapitalist”. Dibranët e njohin “përvojën e hurdhës”, e kanë praktikuar në mijëra vjet të ekzistencës dhe të rezistencës së tyre. E kanë praktikuar për të ujitur misrin, jonxhën e bimët e tjera verës së thatë. Hurdhat e ujit pranë çdo burimi për të ujitur “dy pashë tokë” janë në kolonën vertebrale të ekzistencës dhe rezistencës së saj. Dhe mos kujtoni se ata nuk i duan “hurdhat moderne”. I duan, madje unë do të thosha ti dëgjoni ku i duan dhe pse i duan. Studiojeni një variant të tyre, atë të “hurdhave” mbi degëzimet e Drinit të Zi. Studiojeni sa “hurdha” e poshtë tyre sa turbina e stacione shpërndarës energjie elektrike mund të ngrihen në zbritjen e Mallës së Lurës nga Krej Lura e deri në Drinin e Zi mbi Skavicë. Ngjituni më lart e bëni të njëjtën gjë mbi Setë,  Murrë, Zallin e Okshtunit, mbi Veleshicë, Prroin e Gramës e vende të tjera. Mbi këto degë të Drinit të Zi do të kishim dhjetëra “hurdha” e dhjetëra hidrocentrale ujë mbajtja dhe fuqia energjetike e të cilëve në mos qoftë e barabartë me “hurdhën e vdekjes” që vjen nga Skavica ma do mendja se i afrohet asaj. Këto “hurdha” mendja më shkon se do të ishin po aq të bukura sa edhe liqenet e Lurës apo të Kacnisë. Për më tepër do të ishin vende pune të përhershme për mijëra dibranë por edhe stacione të gjerë të rritjes së troftës aq të shijshme në ujërat e pastra të burimeve mbushëse të tyre. Brezit që do të vijë do të desha që pas digës së Setës, diku në Grykën e Gjalicave të Lurës, të gjenin një “mol gondolash” që do ti përcillnin midis asaj pamje mahnitëse të Gjalicave, atij “tuneli” shpatesh të thepisura malesh nga kalon “kanali i piketuar me pushkën e Gani Tuçepit” i Çidhnës tek burime e Setës në Gurë Lurë e prej andej, me teleferik do ti ngjisnin në bregun e Liqenit të Luleve e në Fushën e Pelave… Poshtë Setës, poshtë Murrës e degëzimeve të tjera të  Drinit të Zi do të gjelbëronin me bimë arash, perime, vreshta e drufrutorë fushat nga Reçi, në Zall-Dardhë, Fushë të Çidhnës, Kishavec, Muhurr, Brezhdan, Luzni, Gjoricë, hambari i Dibrës dhe i dibranëve në shekuj. Por jo vetëm i dibranëve. Flitet shumë për agroturizëm. Nuk ma merr mendja që të ketë ndonjë trevë shqiptare ku  bujqësia dhe turizmi të jenë kaq pranë e kaq të lexueshëm se sa në Luginën e Drinit të Zi krahëhapur me “Nëntë Malet” në perëndim dhe me Korabin, Hynoskën e deri me Majën e Zylit në Gollobordë në lindje. Po të dijë ndokush ndonjë vend që e bashkon më mirë bujqësinë me turizmin, ndonjë vend agroturist, kuptohet pa mbytjen e Dibrës, le ta thotë. Unë e shoh se të dy krahët e politikës shqiptare janë për mbytjen e Dibrës “me variant të plotë apo të shkurtuar” siç deklarojnë.
Një gjë u them, para se ta bëni këtë studiojeni edhe këshillën që jepte shekuj më parë A. Linkoln: “Lëreni luginën e Kolorados, të bukur ashtu siç e ka dhënë Zoti”.
Studiojeni edhe alternativën dibrane: “Na e lini Dibrën siç na e ka lënë Zoti”, “Na lini të gjallë në tokën që na e ka falë Zoti”.
Pyeteni Dibrën për të mos pasur telashe me të!
Së fundi një pyetje për korçarët:  A do të lejonit ju të mbytej Maliqi, fusha e bukur e Korçës, për hir të ndërtimit të një ujëmbledhësi vetëm e vetëm që hidrocentralet që është menduar të ndërtohen në rënien e lumit të Devollit të kenë po atë siguri si në rastin e Skavicës dhe hidrocentraleve në kaskadën e Drinit?

Abdurahim Ashiku

* Shkëputur nga libri “Po Dibrës! Jo Skavicës” (faqe 40-51), botim i vitit 2010

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.