UDHËTO NË KRAHËT E MUZIKËS, FLORË E DASHUR
-Vajzës së xhaxhait, Flora Gjeçi (Sokoli), që u nda nga jeta-
Para se të mësoje germat për të shkruar fjalët e para të gjuhës shqipe, ti mësove notat mbi tastierën e pianos dhe gjuhën e muzikës. Ishe fëmijë kur u largove nga shtëpia në Lezhë e nga prindërit e tu dhe fillove mësimet në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë. E aty udha e jetës tënde u bë pianoja, muzika, të cilën e doje aq shume e së cilës i kushtove gjithë jetën tënde, si instrumentiste dhe si mësuese e muzikës.
Nuk i harroj vitet kur ishim ende fëmijë dhe familja juaj vinte për të festuar festat e fundvitit në fshatin e lindjes së babait tënd e xhaxhait tim, Loro, në Gëziq të Mirditës. Ishin ndër momentet më të bukura që mbyllnin një vit që kishte qenë i zakonshëm dhe i njëllojtë për të gjithë, me vështirësitë e njohura, por edhe me romantikën që kishte jeta e fshatit. Bëheshim shumë fëmijë, mbi dhjetë, e bashkërisht organizonim për prindërit një miniprogram artistik, ku recitonim, bënim skeçe me humor e vëllai yt i ndjerë, i talentuari Paulin, i binte saksit.
I kujtoj edhe tani ato vite kur ishte e ndaluar të shikoje stacionet e huaja televizive. Dhe ti gjithnjë me 1 janar, merrje rrugën nga Lezha e shkoje tek daja në Laç për të ndjekur nëpërmjet televizionit Koncertin e Vienës, nga i cili nhuk ke humbur asnjë edicion që kur ishe ende nxënëse e vogël e liceut artistik.
Pastaj u ndamë shkollave, udhëve të jetës e shumë prej nesh edhe në mërgim.
Babai yt, Loro, kishte dobësi e një lidhje të veçantë shpirtërore me ty. Ai ishte njeri i kuturuar, me tri diploma të larta në xhep, kuadër i kuturës dhe drejtues i muzeut në qytetin e Lezhës. Demokrat i flaktë që në momentet e para të lëvizjes demokratike e ti bashkë me të pasionante e demokracisë dhe lirisë së individit. Ai ishte i pasionuar pas folklorit, etnografisë, historisë e arkeologjisë dhe e çoi ansamblin “Çiftelia” në Lezhë deri në fitimin e Festivalit Folkloristik të Gjirokastrës. Ti punoje me pasion me fëmijët edhe në shtëpinë e pionierit, për të rritur e edukuar brezat e ardhshëm të artistëve që do ta çonin më përpara kulturën në Lezhë.
Buzëqeshja dhe mirësjellja jote, dashamirësia ndaj njerëzve dhe gatishmëria për të ndihmuar këdo,por sidomos ata që ishin në nevojë, përbënin tek ti profilin njerëzor të një gruaje të thjeshtë, të kulturuar e të admiruar nga të gjithë. Me sakrifica, bashkë me Veselin, rritët dy fëmijë të mrekullueshëm, Livian dhe Ralfin, të cilët u edukuan dhe u formuan për së mbari dhe tani janë bërë të zotët e vetes në udhën e jetës e të profesionit.
Ti e doje jetën dhe i buzëqeshje asaj që kur hapje sytë në mëngjes, ndonëse ajo nuk t’i kurseu goditjet e vështira. Humbja e parakohshme e vëllait, Paulinit, kur ishte ende në moshë shumë të re, qe një goditje e dhimbje e madhe për ty, për prindërit e për të gjithë ne. Po ashtu edhe humbja e babait, Loros, i cili u varros përkrah të birit, atje në vendlindje, në Gëziq të Mirditës.
Ti vetë, kurajoze dhe e paepur, për vite e vite me radhë përballove betejën shumë të vështirë me iktusin cerebral. Pikërisht derën tënde nuk duhej ta mësonte virusi i pabesë Covid 19. Por ai është i pamëshirshëm dhe erdhi e të goditi, duke të ndarë përfundimisht nga bashkëshorti e fëmijët, nga mamaja Mrikë, së cilës i ra të përballonte kaq shumë dhimbje njërën pas tjetrës, nga ne te gjithë që të kemi dashur e që nuk arrijmë ta besojmë që na ike, nga kolegët e miqtë e shumtë, të cilët të kanë respektuar gjithë jetën.
Tastet e pianos tingëlluan nota dhimbjeje, sikur ndjenin për herë të fundit gishtërinjtë e tu të lehtë, për të të përcjellë me tingujt e muzikës klasike që aq shumë e doje. Udhëto drejt parajsës me notat e muzikës, që uroj të jenë aureola jote në përjetësi.
Të qoftë dheu i lehtë, kushërirë dhe motër, Flora.
Pushofsh në paqe me engjëjt e përhershëm të muzikës.
Ndue Lazri