Një plis dheu mbi plisin e gjyshit
Duke ndjekur monologun e artistit të skenës Çun Lajçi
Nuk di
nga ma sollën ato plis dheu me gjak gatuar.
Nga Reçaku a nga Krusha?
Nga Podujeva a nga Mitrovica?
Nga Likoshani a nga livadhe të përgjakur Suhareke?
Nga Gjakova a nga Kulla e Jasharajve?
Nga Gryka e Rugovës a nga Prizreni me dritën e Kuvendeve?
Nga Sharri a nga Kodra e Diellit?
Apo diku nga toka që fle mes pllakave të mermerëve?
E nuk po di, për besë toke.
Nga cili sepet më erdhi ai plis i bardhë.
Në cilin varr
Ta zgjas dorën e shtrënguar me trimat jetëbajrak.
E fort po më shpulohen thinjat
Nga dhimbjet e Kosovës ëndërrlulnajtë.
Me njat plis
Më është bërë gjoksi
si lodra që më zgjon prej gjumit.
Me të
Në Logun e Bjeshkës dua ta marr një valle me shpatë.
Mos më thoni
Se u dogjën cyrlet e abetaret në shkolla!
Se u ndryshkën lugët e ajo magje e brumit!
Mos më mëkatoni
Nëse bëhem vëllam me bjeshkët e me krojet e kristaltë!
Ai dhe Kosove
Po më kokrron në duar.
Po më dashka një farë të zgjedhur gruri.
E plisi i Bacës asht ba piskamë
Po më kujton sot qindra amanete
Në tirqet e bacës dua një kuqëlimë flamuri
e para ditës së fundit
Të mos mbetem me borxhe jete.
Ejani e merrni një thërrime dhe Kosove!
Burra, çika, carrokë e loke!
Ky plis dhe mbi plisin e gjyshit
Qënka më i rëndë se gjithë gurët e kësaj toke.