KUR DO TA VRASIM UJKUN ZOTI MËSUES?!…

SHKRUAN: NEHAT JAHIU

KUR DO TA VRASIM UJKUN ZOTI MËSUES?!…

 

Atë ditë ishte e martë. Në orën e parë kisha mësim me klasën e VIII-2. Sipas plan progamit atë orë mësimore kishim ushtrime të të shprehurit me shkrim nga lënda e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Paraprakisht një ditë më parë i kisha njoftuar nxënësit, se të nesërmen do të mbajmë ushtrime të të shprehurit me shkrim, dhe përafërsisht në pika të shkurtra i njoftova nxënësit, se cila do të jetë tema që do të shkruanin. Këtë e bëja çdoherë që nxënësit të bënin një parapërgatitje të mirë. Të nesërmen para se të fillonte ora mësimore mora ditarin e klasës në dorë, mora një shkumës dhe u nisa korridorit të shkollës për të vajtur në mësonjëtoren ku ishin të vendosur nxënësit e klasës VIII-2. Atyre jo vetëm që iu jepja mësim, por nxënësit e kësaj klase i kisha edhe udhëheqës paralele qysh nga klasa e V-të. Me të vërtetë në këtë klasë kishte shumë nxënës të sjellshëm dhe shembullorë me sjelljet e tyre. Gjithashtu kishte shumë nxënës të shkëlqyer edhe në aspektin mësimor. Pasi shkruajta punën administrative në ditar u ngrita në këmbë dhe menjëherë iu paraqita pyetje nxënësve, se çfarë do të përgatisnin gjatë kësaj ore mësimore? Përgjigja e tyre ishte e njëzëshme. Gjatë kësaj ore do të bëjmë ushtrime të të shprehurit me shkrim. Pyetja ime do të pasonte, nëse ata janë të përgatitur? Të gjithë unanimisht njëzëri pohuan se ishin të përgatitur. Atëherë u pohova, se me të vërtetë ashtu siç iu kam njoftuar në orën e kaluar, gjatë kësaj ore do të kemi ushtrime me shkrim. Mora shkumësin nga tavolina dhe iu drejtova tabelës duke shkruar: Ushtrime me shkrim: “Sa e dua gjuhën time amtare shqipe”? Nxënësve u thashë që të përshkruanin nga tabela atë që shkruajta unë. Para se të fillonin të shkruanin nxënësit dhe të shprehnin në fletore mendimet e tyre si zakonisht iu jepja disa sqarime që t’i përmbaheshin temës. Të shkruajnë drejt e pa gabime! Të shkruajnë fjali me kuptime të plota. Të përdorin shenjat e pikësimit aty ku duhen përdorur. Shkrimi të jetë i bukur dhe i lexueshëm etj.

Të gjithë nxënësit filluan të mendonin dhe çdo mendim të tyrin e hidhnin në fletore. Kohën që do të kishin në dispozicion për të shkruar edhe pjesën tjetër e përcaktoja unë. Po ashtu edhe kohën për t’i lexuar disa nga punimet dhe në fund për të dhënë një mendim të përbashkët, si e kryem orën mësimore, suksesi i saj etj. Si çdoherë edhe gjatë kësaj ore mësimore kur bënim ushtrime të të shprehurit me shkrim në klasë ndjehej një heshtje e madhe, sepse çdo nxënës përqendrohej në mendimet e veta. Secili prej tyre mundohej të shprehte mendimin më të bukur në fletën e bardhë të fletores. Gjatë gjithë orës kur nxënësit shkruanin, unë ecja dhe ndalesha pranë tyre për të vështruar punimet dhe për të ndihmuar ndonjërin nga nxënësit nëse kërkonte ndihmë. Pasi kishte kaluar koha të cilën nxënësit kishin në dispozicion për të shkruar, iu thashë, që tani ta përmbyllin punimin dhe të shfrytzojmë pjesën e kohës që kishim rezervuar për të lexuar disa nga punimet e shkruara. Si sot e kujtoj, se në atë orë mësimore lexuam katër punime, dy punime nga vajzat dhe dy punime nga djemtë. Leximi përcillej me shumë vëmendje nga nxënësit e tjerë. Pas leximit ndalnim për të diskutuar leximet, pëlqimet, përshtypjet etj. Njëra nga nxënëset që kishte shkruar aq bukur, në fund me kujtohet si sot, çfarë kishte shkruar: “A thua do të vijë koha që ne shqiptarët ta duam gjuhën tonë aq sa duhet ta duam ?!” Me këtë fjali përmbyllëse të punimit të kësaj nxënëseje të gjithë u habitëm! U ndalëm të gjithë dhe hymë në një heshtje të thellë. Unë si me buzëqeshje u nisa drejtë bankës ku ishte ulur nxënësja I. M. Fillova t’i përkëdhelja flokët e gjatë e të buta. Iu drejtova me zë pak më të lartë që ta dëgjonin të gjithë nxënësit.

Nxënësja ime I. M. dhe ju të dashur nxënëse dhe nxënës të mi! Do të vijë një ditë kur do ta duam gjuhën tonë aq sa duam dhe aq sa dëshirojmë, vetëm atë ditë kur do ta vrasim ujkun. ”Nxënësja I. M. dhe të gjithë nxënësit njëzërit brohoritën ”Kur do të vijë ajo ditë Z. mësues? Unë u thashë, se së shpejti do të vijë kjo ditë, sepse tani është futur në vathë. E kur futet ujku në vathë patjetër se do të vritet. Pra së shpejti nxënësja ime I. M. do ta vrasim ujkun dhe do ta duam gjuhën tonë aq sa të duam.

Kishte kaluar një kohë dhe ujku u vra. Unë një ditë u takova me nxënësen I. M. dhe shumë shoqe e shokë të asaj klase. U ulëm në një kafeteri pranë fakultetit ku studionin. Pimë nga një kafe dhe biseduam gjërë e gjatë rreth shumë kujtimeve të paharruara nga shkolla tetëvjeçare. Më shumë biseduam dhe qeshëm për vrasjen e ujkut.

 

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.