Në Tregun e Gabit
Një botë e tërë ndalon te tezga
Këpucë që kanë shkelur në Alpet Helvetike.
Sandalet e fustanet e ballove nën dritat e zbehta.
Të brendshmet me ngjyra dhe xhaketat sportive.
Atje heshtin
Sfilatat e modës në Milano, Madrid a Paris
Atje nuk ka gazetarë
Që të nxitojnë për ca intervista
Në atë treg jetohen dhjetra jetë në sa e sa stinë
Edhe pranvera,
Edhe dimri i gjatë me ngrica.
Në Tregun e Gabit rizgjohen ca burra sqimatarë.
Tek zgjasin duart te ca komça të rralla këmishe.
Ca duar duan të zgjedhin si kashta te mullari
E vargu i poetit merr një frymë të lashtë mistike.
Një botë e lodhur aty ndërron sa e sa modele
Apo diçka nga ceremonitë e heshtura mortore.
Trupat kërrusen
Si qengji drejt nënës-dele
Që kërkon pak më shumë qumësht mes goje.
Vijnë aty me dengje kamionësh që kalojnë dogana.
Të mbledhura në kisha a në magazina bamirësie
Në Tregun e Gabit
Sytë tanë u zgjatkan
Si ai bastuni i thatë që kërkon të zbresë yje.
Është një botë
Që ndërrohet si ashensorët në kate
Oo, sa uri kemi
kur jemi para tij si peshkatarë
Këtu rruzulli bëhet si një rrugicë mëhalle
Ku duart ngrohen tek i njëjti zjarr.
O, ç’na qënka ky Treg i Gabit
Ku unë dhe ti,
E mbarë bota ndalka vrapin.