Dr. Shefki Hysa Global Peace Library e DMPP

ARMIKU I HIRUSHEVE
Dikush u përplas nxitimthi në supin tim, aq sa më dhembi i gjithë krahu i majtë.
– Budallai i dreqit! – iu ktheva gjithë mllef.
– Budalla je vetë, që vrapon si i marrë! Nuk të mjaftoi i gjithë Sheshi “Skënderbej”, që zure edhe rrugën time, o Hero?! – më shfryu tjetri në hundë si dem i tërbuar.
U mata ta shtyja, po më mbeti krahu pezull.
– Ti je, o Armiku Rrumbullak i grave?! – thirra i habitur, pa kuptuar nëse tjetri më goditi qëllimisht apo pa dashje.
Kisha përballë një të njohur, personazhi i tregimit tim me titull “Armiku i Grave”, besoj se ju kujtohet…
Në vend të mjekrrës i nxinte një maskë e zezë. Mbante veshur këmishë të zezë, xhiboks e pantallona të zeza prej lëkure, njëlloj si motoristët e klubeve të motorëve “Harly”.
– Po, unë jam, Armiku i Betuar i grave, o Heroi Naiv i grave! – u tall ai me habinë time.
– Po ku ke humbur, o Armiku Simpatik! – ngrita zërin dhe e rroka në qafë.
– Koronavirusi! – më shtyu ai.
– E kam kaluar, – ia ktheva dhe u distancova, pa kuptuar nëse ai ishte me Koronavirus, apo kundërveprimi i tij ishte reagim instiktiv i Distancimit Social që na ka imponuar Pandemia Globale “Covid – 19”.
– E kam kaluar edhe unë, o Hero, po kujdesi mbetet kujdes, se jo të gjithë e luajnë rolin e heroit si puna jote! – theksoi shoku.
– Epo pse trembesh atëherë?! Mbahesh edhe për racë trimash, o trimi frikacak! – e ngacmova unë.
– Qeveriu, të gjobit Qeveriu, po të pa duke u përqafuar në rrugë!
– Mos, tek ti na e paska mendjen Qeveriu, nuk paska punë tjetër, o Armiku trim!…
– Po, o Heroi i Albanisë! A i shikon policët para “Hotel Tirana”, gati janë për të të gjobitur, – ktheu gishtin tregues ai drejt hyrjes së Sheshit “Skënderbej”.
Vura re se nja pesëdhjetë metra më tutje ishte parkuar një makinë policie dhe dy policë me blloqe në duar kishin ndaluar një grua pa maskë.
– Obobo, e gjobitën të shkretën grua! – u alarmova unë.
– Mirë ia bëjnë, se ajo nuk ka as tru e as maskë! – shfryu shoku im si armiku përballë armikut.
– Hahaha! Maskë vërtet nuk ka, po ti, o trim, ku e dallon, që ka apo nuk ka tru? – qesha me të madhe.
– Ç’më zgërdhihesh si budalla?! Dihet se gratë nuk kanë tru, punojnë me trutë e shejtanit, – rrudhi vetullat ai.
– Po kur nuk ka tru, nuk ka as mend, o trim, si e ka futur gruaja pa tru shejtanin në shishe, atëherë? – e sfidova unë.
– Mbete gjithë jetën budallai idealist i pandreqshëm, o Heroi Naiv i grave! As kaq gjë nuk e kupton?!…
– Ma shpjego ti, o Armiku i mençur! – ia ndërpreva ligjëratën ironizuese.
– Epo nuk duhet algjebër për ta kuptuar, siç kujton ti, fare thjeshtë, gruaja i ka marrë hua përkohësisht mendjen Shejtanit të çalë, më të djallëzuarit të fisit të shejtanëve. Dhe pikërisht me atë mendje e mbylli Djallin budalla në shishe, o Heroi budalla! – deklaroi triumfalisht ai.
– Hahaha, je i paparë, nuk kam ç’të them tjetër, o Armiku i Betuar i grave! – qesha me sa kisha fuqi.
– E po naiv e utopist si puna jote nuk jam, o Heroi i Pellazgjisë, Ilirisë dhe Shqipërisë, o Princi Hero i hirusheve të gjithë Globit! – deklamoi ai me një pamje tallëse si prej aktori tragjikomik…
– Ore, mirë me gratë, po me hirushet e gjora ç’të ka gjetur, që i urren, vajza hallexhie janë…
– Po, o Heroi budalla i hallexhijeve! Njëmijë herë të kam sqaruar se Hirushja është vajza më e rafinuar, pararendësja e modelit të gruas më të djallëzuar në Botë…
– Boll me kaq, ti qenke Armik patologjik i gjinisë femërore, qenke i çmedur, kot biseda me ty! – shpërtheva dhe i ktheva shpinën.
– Argumenti, jo inati i Heroit naiv, e dominon të vërtetën në këtë mizerje realitet që po jetojmë, – tha ai, duke më mbërthyer përkrahu.
U ndala.
Ai më tërhoqi drejt kafes në sheshin e shkallëve të Pallatit të Kulturës.
– Pimë një kafe dhe debatojmë, më saktë argumentojmë për pikëpamjet e njëri-tjetrit…
– Dakord, me fakte, më sill fakte, më bind për këndvështimin tënd armiqësor ndaj botës femërore, – u qetësova duke zënë një karrige përballë tij.
U ul edhe ai matanë tavolinës me një vështrim sa triumfator dhe përçmues.
– Dikur ke shkruar një Ese “Albania Invalide… Sos”, në mos gaboj, dhe qurraviteshe, si gjithë heronjtë naivë, idealistë e utopikë…
Me sa mbaj mend poetizoje se Pellazgjia, e Bukura e Dheut, ndrinte e tëra, ndrinte dhe gjithçka përqark saj. Nuk kishte të krahasuar bukuria e saj, as ditën e as natën: Del o diell të dal, del o hënë të dal. Ishte aq madhështore, e hirshme dhe magjiplotë, Pellazgjia, saqë u dashuruan marrëzisht pas saj tërë fqinjët dhe të largëtit që njiheshin me të, të qytetëruarit dhe barbarët. Po Pellazgjia rrinte krenare në jetën e vet. I nderonte dhe i respektonte tërë ata që i vinin rrotull, pa iu përulur askujt.
Na u bënë ziliqarë barbarët për krenarinë, vlerat dhe thesaret e saj. Dhe dikur iu turrën për ta mposhtur me përdhunë. U kacafytën gjatë barbarët me të, i rrëmbyen aty-këtu edhe copa stolish e thesaresh, e katandisën si mos më keq, po Pellazgjia nuk u mposht…
– Bukur e kam thënë, të vjen inat ty?!…
– Dokra, broçkulla, poetizime romantike idealiste të një poeti hero pa tru…
– Broçkulla janë fjalët e tua dhe ti vet je kryebroçkulla, o Armik Patologjik! – e shava i nxehur, aq sa kthyen kokat klientët rrotull nesh…
– Mos u nxeh, Hero, mos e humb toruan!… Me sa dimë, nxehet i padituri, injoranti, ai që nuk përballet dot me argumentat e bashkëbiseduesit…
– Po më bën dhe analfabet tani?! – e ironizova unë.
– Thashë i paditur, Hero, jo analfabet, po le t’i lemë debatet..,
– Vazhdo! – u qetësova në dukje.
– Do vazhdoj, po nuk dua të më ndërpresësh…
Tunda kokën.
– Buzëqesh, si kjo ditë shkurti me diell, mos rri me turinj, se dështimet dhe humbjet janë të pranueshme edhe për heronjtë, o Hero i hirusheve! – u tall ai përqeshës.
Nuk reagova fare.
– Nuk e merr dot me mend sa budallenj delirantë ishin dikur princat e Pellazgjisë.
Shalonin kuajt dhe kalëronin furtunë drejt lumit Danub, kufiri i fiseve ilire me sllavët…
I braktisnin kuajt këndej lumit dhe dilnin e bridhnin në brigjet matanë (këtu e ka zanafillën edhe proverba unike shqiptare “hodha lumin, pordha kalin”), ku jetonin shumë hirushe sllavica e gabelica, duke thurur me thupra shelgjesh kosha e shporta.
Dihet se ato hirushe ishin edhe peshkatare të famshme (si gjuetaret amazona), dhe i joshnin e peshkonin aq mirë me zoçkat e tyre princat budallenj, sa që linin jo vetëm tërë pasuritë, qypat me flori, trojet e stanet, po linin edhe leshtë në prehërin e tyre. (Të njëjtën gjë bëjnë sot, edhe stërnipat e tyre, djemtë e qyteteve shqiptare, lenë edhe leshtë për zoçkat e fshatit).
Dhe kështu, vit pas viti, dekadë pas dekade, shekull pas shekulli, Pellazgjia, në Veri, iku për lesh, u bë pronë e hirusheve sllavica, gabelica e magjistrica, të cilat pasi merrnin edhe pushtetin familjar të ilirëve, i ndanin pasuritë e peshkuara me joshje zoçkash, me jaranët e tyre shërbëtorë, sejmenë e rojtarë të etur për intriga, pabesi, luftë, vandalizma e vrasje.
Në Jug, princat ilirë, kalonin lumenjtë Marica, Sofica e ku di unë, dhe zemër-rrëmbyer nga hirushet helene, falnin tërë trojet, stanet, kështjellat, qypat e florinjve dhe leshtë në këmbim të magjisë-zoçkë. Dhe Pellazgjia, e bukura e Dheut, siç e cilëson poeti Hero i hirusheve, iku për lesh edhe në Jug, u bë pronë e jaranëve barbarë!…
Ndërkaq, nuk rrinin rehat edhe princeshat dhe mbretëreshat budallaqe ilire. Të xhelozuara nga sjelljet e princave dhe mbretërve të tyre budallenj, që jepnin edhe jetën, jo vetëm pasuritë, në betejat për zoçkat e hirusheve gabelica, sllavica, helenica, sirenica, magjistrica e ku di unë, herë fshehtas e herë hapur, ndanin shtratin martesor dhe pasuritë me jaranët gabelë, sllavë, shtriganë e ku di unë.
Pra, pikërisht në sjelljen e tyre inatçore, ka zanafillën edhe proverba tjetër unike shqiptare “për inat të sime vjehrre, vete e fle me millonanë”…
Dihet se buzë lumenjve kufitarë të Pellazgjisë-Iliri, në Jug e Veri, robtoheshin duke punuar e ëndërruar jo vetëm hirushet peshkatare, po dhe hirushët mullixhinj, kallajxhinj, sllavoxhinj, helenxhinj e ku si unë…
Dalëngadalë heronjtë ilirianë u bënë vasalë, skllevër, spiunë, shërbëtorë, mercenarë të pronareve të reja e të pronarëve të rinj e të jaranëve e jaranicave të tyre.
Dhe Iliria e gjorë, e tradhtuar dhe e stërtradhtuar, e shitur dhe e stërshitur, e dhunuar, e përdhunuar dhe e vandalizuar, e dhuruar dhe e stërdhuruar prej bijave e bijve të saj plangprishës e të mallkuar, u rudh e u katandis në 28 mijë kilometra katrorë truall në trajtën a në pamjen e një arkivoli në hartën europiane.
Një vend-arkivol, që ha bijat e bijtë e vet, jo vetëm ata që e shesin, e dhurojnë dhe e tradhtojnë, po dhe heronjtë idealistë që ëndërrojnë rikthimin e Pellazgjisë së dikurshme…
Futja katundit, ëndërr budallaqe e heronjve naivë, si puna jote, o Hero i hirusheve shkatërrimtare!…
A nuk bëjnë njëmijë marifete hirushet e lashta dhe ato moderne për të rrëmbyer zemrat (pasuritë) e princave të kaltër dhe, pasi i rrëmbejnë, i ndajnë me jaranët e lashtë a modernë…
Jaranët modernë: shoferë, bodiguardë e shoqërues, që me njëmijë intriga shndërrohen në makbethët e kohëve moderne, duke u marrë edhe jetën shefave të tyre, vetëkuptohet në bashkëpunim me hirushet e djallëzuara, që punojnë me mendjen e Shejtanit të Çalë, Kryesatanit, – theksoi qetësisht Armiku i hirusheve dhe i grave…
– Budallallëqe, fjalë dhe vetëm fjalë, lumenj fjalësh me sirena e magistrica të sajuara nga ti, o Armik intrigant! – ia ktheva me qetësi, megjithëse përbrenda zieja vullkan.
– Pellazgjia ishte Mesi i Dheut, pra Toka e Artë, me lumenj e dete, ku lindte, përkundej e rritej vetë Jeta, – tha ai.
– Parajsa në Glob, – shtova unë.
– Pikërisht, Parajsa, – theksoi ai.
– Dihet! – ironizova unë.
– Po dhe Udhëkryqi kryesor i Globit, dihet se të gjitha rrugët të shpien në Parajsë.
– Po…
– Edhe Udhëkryq gjeopolitik i Historisë Njerëzore…
– Po…
– Pikërisht në udhëkryqe ndalet dhe merr frymë gjithçka, aty ngjizet e mira dhe e keqja, intriga dhe pabesia, mosmirënjohja dhe tradhtia, misteri dhe magjia, krimi dhe dhuna, vdekja dhe ferri e ku di unë…
– Po…
– Popla pas koke!… Shembull model: A nuk e çoi Helena për lesh Trojën?!… Pra, a nuk është pjellë e hirusheve helenica, sirenica e magjistrica dhe e jaranëve të tyre, si dikur edhe sot, Udhëkryqi Fatal Shqipëri?!… Fol, o Hero i punëve të kota, që nuk je në gjendje të mbrosh as veten dhe jo atdhemëmëdheun tënd?! – shpërtheu i xhindosur Armiku i hirusheve…
Heshta një hop i menduar…
Ndërkaq Armiku kishte avulluar, duke lënë pas tymnajën dhe helmin e fjalëve të veta…
Dr. Shefki Hysa
Global Peace Library

e DMPP

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.