Fanatikët e revolucionit.
Historia e njerëzimit njeh shumë fanatikë revolucionarë dhe eksportues të revolucionit. Lenini mendohet “gjeniu” i revolucionit. Stalini është arrestuar tetë herë si revolucionar. Një i tillë, si më tipiku, ka qënë gjermani Harro Harring (1798-1870), i cili ka mbetur në histori si një revolucionar “profesionist” dhe eksportues revolucioni. Është fanatiku tipik, i shek. 19, që vuante nga ndjenja e urrejtjes. Jetëshkrimi i tij është thuajse i njëjtë me atë të Hitlerit. Për të dy, periudha e fëmijërisë ka qenë e dhimbshme. Të dy kanë qenë shumë të lidhur pas nënave të tyre, të cilat i humbën në moshën e fëmijërisë, deri në skllavëri shpirtërore. Ashtu si Hitleri, e mendonte veten të madh, shpëtimtar i njerëzimit dhe gjeni në art dhe letërsi. Ai urrente monarkinë dhe cilindo që kishte më shumë pushtet se ai. U vetëshpall kryerevolucionari i botës dhe mori përsipër çlirimin e njerëzimit nga tirania. Në vitin 1821 shkon në Greqi, me idenë për të organizuar dhe drejtuar legjionet greke në luftë kundër Turqisë. Meqenëse luftëtarët grekë ishin dembelë dhe të pandërgjegjshëm për të luftuar kundër armikut, u tërhoq. Në vitin 1828 mori pjesë si oficer rus në legjionet ruse në Poloni. Në 1830 u bashkua me rebelët e revolucionit të korrikut në Leipzik. Në vitin 1840, shkon në Rio de Zhaneiro me idenë për të organizuar revolucionin për çlirimin e negërve nga skllavëria. Po në këtë vit, bashkohet me Garibaldin për të krijuar “Shtetet e Bashkuara të Amerikës së Jugut”. Në vitin 1848 merr pjesë në Revolucionin e Marsit në Zyrich. Në vitet 1849-1852, eksploron mundësitë për revolucione në vendet skandinave dhe Angli. Gjatë përpjekjeve të tij prej “revolucionari” është burgosur disa herë. Analistët e kanë etiketuar atë, revolucionari fanatik. Fat i njerëzimit që nuk arriti të bëhej kurrë udhëheqës kombi, në asnjë vend. Fanatikët revolucionarë, gjenden dhe shfaqen gjithmonë, në vende dhe regjime të ndryshme. Edhe në vende të vogla, si Shqipëria apo Kosova, janë të mundshëm. Ata paraqesin rrezikshmëri të madhe shoqërore, prandaj duhen ndaluar, injoruar dhe izoluar. Lekë Imeraj-shkrimtar, përkthyes, publicist.


