26.5 C
Tiranë
E shtunë, 30 Maj 2026

Namik Selmani

Kur fjala bëhet bajrak i së nesërmes
Shpesh kthimet në Atdhe shoqërohen me urime, me festa të vogla që bëjnë atë lidhje shpirtërore mes teje dhe vendit ku jeton, punon ëndërron dhe pret të nesërmen..
Bashkë me kënaqësinë e botimit të dy antologjive ajo : Çamëri, bisk i ëndërrë: dhe “Jehonë e urtësië dibrane“ po pres këto ditë dhe botimin e librit antologkik për Kosovën “Kosovë, bajraku i fjalës”. Është puna e 20 viteve për shpirtin e papërkulur të Kosovës dhe lirikën e saj kaq mbresëlënëse
Kush është i interesuar për librin, të komunikojë në telefonin 00355676454324
(Në vend të një parathënieje për librin-antologjik “O Kosovë, bajrak i fjalës!”)
Sikur edhe një poezi të vetme të bëja për Kosovën, pa dyshim që do ishte një lloj larjeje borxhi të bukur ndaj asaj pjese të historisë dhe shpirtit të kombit tonë. Do isha i lumtur dhe pak më i qetë në atë ligj të pashkruar që ka fjala për të qenë borxhlije e së bukurës, e legjendës dhe rrëfimit, e historisë dhe legjendës së kombit tënd, pavarësisht se sa i madh është në numër njerëzish, në numër muzeumesh, në numër universitetesh apo e në sipërfaqe gjeografike.
Për fatin tonë të keq apo edhe për arsye të tjera, kemi më shumë se një shekull të ndarë. Kemi bërë dasma kemi lindur fëmijë, jemi vrarë në luftërat e vogla e të mëdha. Në fshatrat kufitare janë ndarë lagjet, krushqitë, krojet, degët e pemëve. Janë ndaluat nganjëherë edhe zogjtë të ndërrojnë qiellin. Kënga ka qenë e ndarë si dy pjesë të një molle. Nga vatrat tona shpesh të varfra, po të mbushura me kaq ëndrra, nxorëm një lloj njeriu që e quajtëm “Pajtimtar”. Bota këtë e bënte në salla me drita. Me njerëz që kishin të drejtë të nxirrnin në momente të caktuara diplomat e shpërblimet që ua kishin dhënë Akademitë e botës. Kur nuk kishte radio, televizione apo internete, ia besonte kronikën e takimeve pajtimtare mes shteteve, njerëzve të veçantë. Shpesh të ardhur nga vende të largët, po të besueshëm për të dy palët.
E gjerbimi i Kafes së Pajtimit dhe ai dash që do të therej atë ditë, ishte dita më e lumtur sa dhe vetë dasmat apo lindjet e fëmijëve. Se, pas saj, do shpëtonin, të paktën, dy ose tre breza pa rënë në Gijotinën e Plumbit. Kam më se 20 vvjet që e prek Kosovën me hapat e nxituar dhe me hapat e shpirtit, me dhimbjet e gëzimet e saj. Nuk e teproj të them se edhe poezia ime u rrit dhe u poq edhe në këtë ngrohtësi, në këtë zjarr kujtimesh, në këtë lavdi në vitet e saj të lirisë. E në çdo cep të Kosovës që kam shekull me kam marrë me vete Çamërinë, mbarë shqiptarinë.
Ashtu si kam një jetë të tërë që ia dëgjoj së largu ehot e piskamat. Kam 20 vjet që lexoj për historinë e Kosovës shumë më tepër se librat e pakta të historisë që ishin gati të padukshme në vitet e shkollimit tim, aq më shumë edhe të viteve që erdhën më vonë. Kosova ishte dhe mbetej ëndërr për mjaft nga ne këndej kufirit të Morinit. Ishte një lloj Kopsht Edeni për nga qëndresa e saj. Dhe në këto rrugëtime u njoha me miqtë e mi të letërsisë. Në këto vite mjaft Çmime letrare që kam marrë në vitet e krijimtarisë sime, mbajnë kohën e vulën e mjaft Shoqatave letrare të Kosovës.
E krahët e vargjeve e rrugëtimit të shkronjës më bënë mik me mjaft familje, me mjaft poetë zëëmbël, zësokëllitës të asaj toke sfidante ndaj historisë së përgjakur e po kaq të bukur. Kam parë mbrëmjet e Kosovës dhe në gjellët e saj karakteristike. E në mjaft rrugëtime që bëja, patjetër do të kishte disa pitajka Gjakove në çantë jo vetëm për shijen, po edhe për atë ngrohtësi vatrash që doja ta sillja aq sa mundja në Tiranë e më tej. Diku bëra dhe një emision mëngjesi në Radio Televizionin e Kosovës. Nisa dhe kalova, besoj, testin e miqësisë edhe me mjaft poetë që jetojnë në Kosovë ose edhe në mërgim, në Evropë, në botë, që nga Kanadaja dhe Amerika, ku banoj dhe vetë aktualisht. E kjo rreze shkonte e shkon edhe tani deri në Zelandën e Re. Dhe desha që të vija modestisht një kurorë vargjesh dhe rreshtash për të. Janë disa bashkëpunime me gazeta të Kosovës, ku kam botuar poezi, tregime, reportazhe, pa folur për portalet që kanë pasur këtë temë.
Kam marrë pjesë rregullisht në vitet që kaluan në mjaft Manifestime letrare që janë bërë në Prishtinë, Fushë Kosovë, Gjakovë, Prizren, Kaçanik, Gjilan, Ferizaj, ku, natyrisht, kam dhënë dhe kontributin tim modest me poezi për Kosovën. Do të shtoja këtu edhe Manifestimet Letrare apo të promovimeve të librave të shumtë të Luginës së Preshevës, ku kanë qenë dhe mjaft autorë të Kosovës. E kisha filluar këtë bashkëpunim që në vitet ‘90 kur gazetarët e Prishtinës kishin ardhur në Tiranë e nxirrnin gazetën “Rilindja”. Një gazetë mjaft e pasur në informacione e mjaft moderne në shtypje në formatin e “Njy Jork Times”. Ishte një degë e “Rilindjes” që dilte në Zvicër e që fitoi shumë shpejt edhe në Tiranë qytetarinë e saj. Me obligimin e asaj që duhet të bëja, para disa vitesh e botova një homazh poetik për Kosovën, duke kujtuar edhe bardin e Kosovës, lirikun e pamohueshëm të historisë moderne të Kosovës, Ali Podrimja. Me një nikoqire të fjalës si Migena Arllati, poete, misionare e “ambasadore“ e kulturës kombëtare si vajzë Elbasani, e ngritëm Odën e Fjalës për librin “Borxhi i Ali Podrimjes“ mu në Gjakovë. Në Gjakovën e artit të fjalës, të skenës së teatrit, të Këngës së Ashikëve e, padyshim, atje afër bustit të poetit që dukej fare i vogël para madhështisë së tij. Dhe kishte mjaft të ftuar atë ditë. Një drithërimë zemre po provoja sa njëmijë dashuri së bashku. Sikur isha para një provimi të bukur, një provimi të paharruar atë ditë. Në heshtje po pyesja veten nëse ata profesorë, aktorë, piktorë, çiklistë, fotografë, shkrimtarë, njerëz të thjeshtë kishin ardhur për librin, për mua apo për Ali Podrimjen, për atë që ishte bërë flakadan kujtese për Gjakovën e për mbarë shqiptarinë.
Mes tyre ishte dhe poeti Neki Lulaj i ardhur enkas nga Gjermania për këtë promovim libri. Dhe fort i lumturuar isha me të. Bash aty gjerbuam kafen e kujtimit të Ali Podrimjes. Të gjitha këto ishin monologu im i ditës që do më ndiqte edhe më vonë e po më sillnin në një derë të re se a mund të bëja më shumë për kujtesën poetike e njerëzore të Kosovës sa kisha bërë e do bëja edhe për Çamërinë. Nuk ka rëndësi. Mbase të tria e të gjithë ne ishim brenda emocionit, obligimit. Të gjitha ato i kisha brenda vetes si para një emocioni të rrallë e jo vetëm që ndieja një lloj krenari të brendshme, por po thosha se duhej bërë më tepër.
Atë natë më erdhi ndër mend një emision radioje në Prizren në vitin 2001, që më kishte ftuar si mysafir nderi në një emision mbrëmësor të drejtpërdrejtë. Për një javë kisha hapur ekspozitën fotografike për Beratin e Çamërinë Radioja e Qytetit të Bashkimit më kishte ftuar në një emision të drejtpërdrejtë. Më erdhi mirë, po, në një moment të atij dialogu me dëgjuesit e Kosovës, njëri ma bën një pyetje: “A keni shkue me e vizitue nji familje dëshmori?” Ishte befasi e madhe. Lufta sa kishte mbaruar e akoma qielli i Kosovës kishte aromë barutit e në orën 12 të natës të gjithë rrugët e Prizrenit boshatiseshin në sekondë, se ishte ende gjendje e jashtëzakonshme. Ishte e trishtuar ta shihje atë qytet me ca ura gati parisiene për bukurinë, lashtësinë pa njerëz në një orë. Vetëm pak minuta para orës 12 të gjithë të rinjtë të rejat të moshuarit i gëzoheshin lirisë, këngës, të ardhmes që po hapte dyer të reja. Një qytet që i ka dhënë koha disa pasaporta si atë të Bashkimit, të Këngës, të Bukurisë etj. E atëherë thashë se mund të bëja më shumë. Se do të bëja më shumë. Se nganjëherë ne i kërkojmë mjaft të tjerëve, shtetit, politikës, shoqatave, ndërsa harrojmë se diçka duhet nisur nga vetja. Është një lloj zgjimi i urtësisë kenediane, i cili ka thënë “Mos pyet se çfarë ka bërë Atdheu për ty, po çfarë ke bërë ti për Atdheun!”
Kohë më vonë më ra rasti që të shkoja me një grup shokësh nga Tirana në Majac të Podujevës. Sapo kisha botuar librin tim monografik për Kujtim Majacin. Në të kisha vënë dhe një intervistë me Mjeshtrin e Madh të futbollit kosovar, Fadil Vokrri, që ishte dhe shok i tij dhe që kishin bërë ndeshje futbolli edhe në Amerikë. Ishte dhe një festë miqësore e mësuesve të Majacit e të të afërmëve të tij që ende kishin kujtime të asaj familjeje të nderuar. Kishim marrë me vete mjaft libra për ish-futbollistin legjendar të Fierit për dy dekada Kujtim Majacin Mjeshtër Sporti e do ta promovonim. Kishim ardhur nga Shqipëria, miq të Majacit, miq të librit, miq të Kosovës. Një nder i jashtëzakonshëm. Gati i gjithë fshati kishte dalë sikur ne të ishim Krushq që unë do ta quaja Krushqi Libri. Ishim Krushqit e Kujtesës dhe emocioni ishte po kaq i jashtëzakonshëm. Nuk po flas për atë ceremoni që u bë në shkollë, po për atë krenari dhe dhimbje për këtë djalë Kosove që nuk e kishte parë asnjëherë këtë fshat ku kishte lindur babai i tij. Dhe që prej vitesh këta fshatarë të urtë e ndiqnin nga larg shkallën e suksesit të tij në Fier e në Shqipëri. Mund të vazhdoja për ato Ura që më vonë u kthyen në sylynjarë poetikë apo dhe tregime për këtë truall.
Mund ta ndaj këtë dashuri poetike për Kosovën edhe me Shoqatën Mbarëkombëtare “Bytyçi” që ka organizuar mjaft aktivitete të përbashkëta me vëllezërit tanë të Kosovës. Janë POETEKA kushtuar poetit të Kosovës Ndue Bytyçi, Festa e Plisit që ka marrë përmasa kombëtare, ajo e Fishtës e a e sa veprimtari të tjera. Kemi shkuar në vatrat e Kosovës si në sofrat tonë. Kanë ardhur poetë, këngëtarë, poetë, valltarë, rapsodë edhe Ura shpirtërore mes Kosovës dhe truallit të këndej kufirit ka qenë e fortë. Dhe e tillë do të mbesë përherë. Kurora më me dritë e Mirënjohjes i shkon profesorit Fazli Hajrizit që ma ka bërë më të bukur Mitrovicën e mbarë Kosovën. Rrallë mendje kaq mentare i vijnë arsimit dhe kulturës në Kosovë. Me mjaft durim e dashuri ai ka punuar në çdo cikël për ta sistemuar si di ai dhe vetëm ai. …Një libër të tillë do ta quaja dhuratë shpirtërore për atë që na dhe e na jep Kosova me jetën e saj, me sakrificat e saj, me bukuritë e saj, me qëndresën dhe ëndrrën e saj. Me këngën dhe legjendën… E të gjithë buqetohen e na shtojnë dëshirën që atë, Kosovën – Loke e mbarë shqiptarinë ta shohim më të begatë e më të lumtur.
Mund ta ndaj këtë dashuri poetike për Kosovën edhe me Shoqatën Mbarëkombëtare “Bytyçi” që ka organizuar mjaft aktivitete të përbashkëta me vëllezërit tanë të Kosovës. Janë POETEKA kushtuar poetit të Kosovës Ndue Bytyçi, Festa e Plisit që ka marrë përmasa kombëtare, ajo e Fishtës e a e sa veprimtari të tjera. Kemi shkuar në vatrat e Kosovës si në sofrat tonë. Kanë ardhur poetë, këngëtarë, poetë, valltarë, rapsodë edhe Ura shpirtërore mes Kosovës dhe truallit të këndej kufirit ka qenë e fortë. Dhe e tillë do të mbesë përherë. Kurora më me dritë e Mirënjohjes i shkon profeosrit Fazli Hajrizit që ma ka bërë më të bukur Mitrovicën e mbarë Kosovën. Rrallë mendje kaq mentare i vijnë arsimit dhe kulturës në Kosovë. Me mjaft durim e dashuri ai ka punuar në çdo cikël për ta sistemuar si di ai dhe vetëm ai.
…Një libër të tillë do ta quaja dhuratë shpirtërore për atë që na dhe e na jep Kosova me jetën e saj, me sakrificat e saj, me bukuritë e saj, me qëndresën dhe ëndrrën e saj. Me këngën dhe legjendën… E të gjithë buqetohen e na shtojnë dëshirën që atë, Kosovën-Loke, Dardaninë -Loke e mbarë shqiptarinë ta shohim më të begatë e më të lumtur.
Boston-Tiranë, prill 2021
Zana e Fjalës
Bjeshkëve me bishtuk pishe Zanën e Fjalës kërkova
Të bëja me të kuvend odash me shkronja e fletë
Të takova ty e me shtizën rrezore të agimit u shitova
Me fjalën tënde gjeta gjeta thesarin më të shtrenjtë.
Gurrave të rudinave e doja një curril blerosh për Fjalën
Atë, urtaken, të heshturën, faqeskuqurën para drojës
Të njoha ty e besën ta dhashë si Kostandini i Baladës
Po zemërak s’u bëra ku ndjeva lodhjen e dorës.
E ndala putrën e gjakosur te Kulla mitike e Ngujimit
Ku lëmashku u shpirtit më zbardhi fije floku
Oo, si s’të njoha më parë, o bistaku i blerimit?
Të bëhesha zgjua bletësh në Zogjaj a tufë borziloku.
E largët ish udha që tej nga Parga* Bardhoshe
Në shumë hane ia ndërrova kalit trastën e tagjisë
Të vija këtu ku gurët nga tupanet gazmohen
Në Sylbicë si Orfeu, t’i bija fyellit në agim.
E largët ish udha nga Çamëria strehërrëzuar
Atje ku ullinjtë presin duar t’u vjelin kokrra
Në gështenja pashë zogjtë sqep më sqep sqepuar
Me fjalën tënde të nusëruar thurte urimin Baca e Lokja.
Me eshkën e lisave të Shkëlzenit gjithë retë do i djeg
Në pisha si kreshnik do rrëzoj flokët e borës
E ti të kalërosh në një livadh me luleshqerrë
Atje ku zemra ka gjetur Parajsën e Shkronjës.
*Parga-qytet në Çamëri
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.