SHQIPONJA E DUKAGJINIT
(KUSHTUAR PILOTIT DËSHMOR NDUE LOGU )
Njerëzit e bëjnë historinë dhe ajo u shkon pas. Ndue
Logu, për shembull…nuk e ka ende të
shkruar historinë e tij nga gazetarët e
shkrimtarët. Po pena e kohës as ndryshket, as
harron të shkruajë për atdhetarë si Ndue Logu.
(Hysni Milloshi)
DY FJALË SI PARATHËNIE
Kishte vite që e vërtisja në mendje idenë për të
shkruar një libër për djalin trim të Dukagjinit,
pilotin Ndue Logu, dëshmorin e Atdheut që ra në
krye të detyrës. E ndjeja edhe si një obligim të
dyfishtë, e para se e kisha nga krahina e
vendlindjes sime, Dukagjini. Dhe e dyta, se në një
moment të caktuar detyrat ushtarake na
bashkuan në të njëjtin repart dhe aty u lidhëm me
një miqësi vëllazërore, që veç vdekja e tij e
ndërpreu.
Revista Albanezul Nr. 1 Bucureşti 2021
5
Gjatë viteve kisha shkruar herë pas here artikuj në
organe të ndryshme të shtypit, apo kisha përgatitur
ndonjë emision në radio, kushtuar pilotit dëshmor.
Kisha lexuar edhe mjaft shkrime nga gazetarë të
tjerë, kujtime nga kolegë të pilotit etj. Herë – herë
kishte rënë biseda edhe me vëllanë e tij, Ndoc Logun,
i cili është krijues i talentuar, apo me një koleg tjetër,
Prelë Milani, edhe ai mjaft i talentuar e i interesuar
për figurën e pilotit dukagjinas. Është shkruar në
shtyp për Nduen,-thonim,- janë bërë këngë, poezi,
portrete në pikturë kushtuar atij, por një libër për
këtë figurë mungon. Kështu, ideja e librit erdhi duke
u pjekur gjithnjë e më shumë.
Unë fillova të grumbulloja materiale, shkrime
të botuara nëpër organe të ndryshme të shtypit,
fotografi, kujtime të ish – kolegëve të tij. Në
Ministrinë e Mbrojtjes në Tiranë vunë në dispozicion
dosjen e tij si kuadër, por ajo kishte pak materiale me
interes për një libër, sidoqë punonjësit e arkivit, të
cilët i falenderoj, u treguan të gatshëm të ndihmonin
me çdo material të mundshëm. Një ditë u lidha në
telefon nga Roma, me mikun tim të shumë e shumë
viteve më parë, gazetarin NDUE LAZRI, që banon e
punon në qytetin e Bolonjës në Itali. E kisha njohur
që në vitin 1976, kur ai punonte si gazetar në
Shkodër.
Tek bisedonim, ra muhabeti edhe për idenë e
librit kushtuar pilotit dukagjinas. Më tha që e njihte si
figurë, madje që kur kishte bërë shërbimin e parë në
Revista Shqiptari Nr. 1 Bukuresht 2021
6
Dukagjin, prej nga kishte shkruar disa shënime
udhëtimi. Ai ma nxiti më shumë idenë e librit, duke
më ofruar edhe ndihmën e tij të pakursyer. E, në fakt,
duke punuar sëbashku, nëpërmjet internetit, sepse
ishim në dy qytete të ndryshme, duke u konsultuar
për materialet që mund të përdoreshin, episod pas
episodi, lindi edhe libri për birin e Dukagjinit. Ndueja
pranoi të ishte edhe redaktor i librit tim e në fakt
punoi me përkushtim edhe në këtë drejtim e në
korektimin letrar të tij. Prandaj dua që t’i rezervoj një
falenderim të përzemërt mikut tim të hershëm,
ndihma e çmuar e të cilit bëri të mundur që të dilte
në dritë ky libër.
Dua të falenderoj edhe kuadrot ushtarakë të
regjimentit të helikopterëve në Farkë të Tiranës, si
Sami Guzina, Ndoc Selimi e plot të tjerë, që u treguan
të gatshëm të më ndihmojnë me kujtimet e tyre, si
dhe pjesëtarët e familjes së Ndue Logut për
bashkëpunimin.
Dukagjini. Emri i tij e ka prejardhjen
pikërisht nga njëri prej bijve të tij të shquar. Të
dhënat historike tregojne se aty nga viti 1281, i pari i
kësaj zone ishte Gjin Tanushi. Ai tregoi aftësi të
veçanta ushtarake në shërbim të Bizantit dhe për
meritat e tij iu dha titulli “Dukë”. Pra Duka Gjin. Me
kalimin e kohës titulli me emrin u shkrinë në një të
vetëm dhe familja e tij filloi të njihej me emrin familja
e Dukagjinëve, çka i dha emrin krahinës e Principatës
së Dukagjinëve. Padyshim, personaliteti më i njohur
Revista Albanezul Nr. 1 Bucureşti 2021
7
e më i shquar i kësaj familjeje mbetet Lekë Dukagjini,
i njohur si për trimëritë e tij në luftë kundër
pushtuesve turq, përkrah Skënderbeut dhe pas
vdekjes së heroit tonë kombëtar, ashtu edhe për
kanunin, që për shekuj me radhë ka qenë kushtetuta
e maleve.
Në vitet e zjarrta të Lidhjes Shqiptare të
Prizrenit, dukagjinasit ishin një forcë aktive në
mbrojtje të tokave shqiptare. Përfaqësuesit e kësaj
zone, Mark Lula e Gjekë Gega, ishin pjesëmarrës në
Lidhjen e Prizrenit më 15 qershor të vitit 1878.
Ndërsa mbi 200 luftëtarë dukagjinas morën pjesë me
armë në dorë në betejat kundër aneksimit të tokave
shqiptare në Ulqin, Tivar, Hot e Grudë. Faqe të tjera
të lavdishme janë edhe krijimi i “Djelmënisë së
Shalës” në vitin 1890 nën drejtimin e Mehmet
Shpendit. Djemtë e Shalës e të gjithë Dukagjinit
morën pjesë në përpjekjet për pavarësinë kombëtare
përkrah Dedë Gjo’ Lulit e Bajram Currit. Këto bjeshkë
krenare kanë qenë historikisht një bastion i
qëndrueshëm përballë rrebesheve të historisë. Në
përleshje të përgjakshme me ushtritë malazeze, në
korrik të vitit 1915 dhanë jetën 104 luftëtarë të kësaj
krahine.
Revista Shqiptari Nr. 1 Bukuresht 2021
8
NGJARJE NË POLIGON
Ajo ishte një ditë si gjithë të tjerat. Një ditë e mezit të
shtatorit, me një diell që me kalimin e orëve fillonte e
ngrohte më shumë. Në poligonin e qitjes në Farkë të
Tiranës ishte një ditë e zakonshme qitjeje luftarake
me granata dore. Qitje të tilla ishin normale dy herë
në muaj dhe bënin pjesë në përgatitjen e rregullt
luftarake të ushtarëve e kuadrove të regjimentit.
Shefi i Armatimit të Regjimentit, oficeri Ndue Logu,
drejtonte qitjen në poligon. Kishin filluar që në
mëngjes, kur dielli sapo ishte ngritur mbi kreshtën e
Malit të Dajtit dhe ngrohte me rrezet e tij atë luginë
të ngushtë, të rrethuar me kodra të buta të
pyllëzuara kryesisht me shqopë. Përmes kodrave,
buzë një përroi të vogël, gjarpëronin transhetë
luftarake, që i bënin të padukshëm ushtarët gjatë
lëvizjeve në orët e stërvitjes.
Ushtarët vinin njëri pas tjetrit në pozicionin nga
ku do të hidhnin granatat e dorës në drejtim të
objektivit të vendosur brenda një rrethi të bardhë.
Synimi ishte për ta hedhur brenda atij rrethi, pasi
kishte siguri më të plota preçizioni në asgjësimin e
armikut. Granatat e vërteta luftarake shpërthenin me
zhurmë e ushtarët uleshin në transhe për të
mënjanuar rrezikun e goditjes nga ciflat
vdekjeprurëse. Ndue Logu, i ndiqte ata me vëmendje,
me përkujdesje, me seriozitet e rreptësi për zbatimin
Revista Albanezul Nr. 1 Bucureşti 2021
9
e rregullores dhe të kushteve të sigurimit në poligon.
Ai kishte punuar për 25 vjet si pilot dhe si kuadër
drejtues i regjimentit të helikopterëve në Farkë.
Por, pas 25 vjetësh, gjatë një vizite mjekësore,
mjeku i dha një lajm të papritur e të hidhur për të:
Nuk duhej të fluturonte më. Nuk kishte asgjë për t’u
shqetësuar në gjendjen e tij shëndetësore në
përgjithësi, por pas kaq vitesh në ajër, disa
parametra fizike nuk janë më në lartësinë që kërkon
një mision i tillë. E priti me hidhërim, por duhej të
bindej. Kushtet e punës në aviacion e kërkonin edhe
këtë. Kur doli jashtë në oborr, sytë vetvetiu i shkuan
nga qielli, ku ai ishte mësuar të ngjitej sikur
konkuronte me shqiponjat. E në mendje i erdhën
fjalët e Leonardo Da Vinçit: “Njëherë ta keni provuar
fluturimin dhe do të ecni tërë jetën me sytë në
qiell”. Për të mos u ndarë nga regjimenti, kolegët e
ushtarët , pranoi të mbulonte detyrën ushtarake që
kryente tani.
Ora po shkonte 11. Bulëza djerse fillonin të
dukeshin në ballin e ushtarëve me uniformë, por
edhe të komandantit të tyre. Dielli i shtatorit dhe
uniforma e bënin punën e tyre. Ishte radha e një
djaloshi 19-vjeçar, pak i ndrojtur nga natyra. Ishte i
fundit që do të kryente qitjen. Ndueja i rrinte afër,
instruksionet e këshillat e momentit, si për secilin.
Shokët, të gjithë djem të rinj, 19 – 20 vjeçarë, ishin
fare afër e ndiqnin me vëmendje shokun e tyre që do
kryente qitjen. Ai, mori nga pozicioni i zjarrit
Revista Shqiptari Nr. 1 Bukuresht 2021
10
granatën dhe ja hoqi sigurecën. Në fraksione sekonde
duhej ta hidhte atë drejt objektivit armik. Por në
momentin kur shtriu krahun për ta hedhur, një çast
pasigurie, bëri që granata t’i shpëtonte nga dora e të
binte në tokë. Në dorë i kishte mbetur vetëm
sigureca. Djaloshi e humbi toruan dhe u zverdh në
fytyrë. Momente paniku dramatik tek fytyrat e
shokëve. Papritur vdekja ugurzezë ishte shfaqur mes
tyre e mund t’ua merrte jetën nga një sekondë në
tjetrin. Sytë e tmerruar të të gjithëve ishin drejtuar
tek ai objekt në formën e një veze e pak më i madh se
ajo, që mund të shpërthente në mijëra copa e t’i
godiste për vdekje.
Por, komandanti Ndue nuk e humbi
gjakftohtësinë. Truri i tij punoi me shpejtësi
marramendëse. Nuk mund të humbej qoftë edhe një
fraksion sekonde. Jeta e atyre djemve 20-vjeçarë
ishte në rrezik. Ai, si komandant, por edhe si prind,
nuk mund ta lejonte këtë. Në shtëpi, kur kishte dalë
në mëngjes, kishte lënë në gjumë dy vajzat e tij, ende
të vogla, të cilat e prisnin me aq dashuri kur kthehej
në darkë. Ata djem kishin prindër që i prisnin të
ktheheshin shëndoshë e mirë nga shërbimi ushtarak
e drithëroheshin për ta. Komandanti, me shpejtësi të
rrufeshme kapi për krahu djaloshin e hutuar nga
tmerri dhe e zhyti në transhe, duke e shmangur nga
rreziku.
Si një shqipe që hidhet pingul mbi gjarpërin, ai u
hodh mbi granatën që ishte duke plasur. Me trupin e
Revista Albanezul Nr. 1 Bucureşti 2021
11
tij të lartë prej atleti zuri rrezen midis granatës dhe
grupit të ushtarëve. Tentoi ta hidhte drejt objektivit,
por granata plasi pa e marrë ende mirë rrugën. Një
nga ciflat e mallkuara gjeti krahërorin e komandantit,
duke çarë arterien kryesore të trupit të tij, aortën. Ai
ra përdhe thuajse pa ndjenja. Gjaku filloi të vërshonte
mbi uniformë që nga krahërori. Ushtarët, që i kishin
shpëtuar rrezikut, u mblodhën të tërë rreth trupit të
Komandantit. Ai, si nëpër gjumë, i hapi sytë me
mundim, u hodhi një vështrim, ravijëzoi një
buzëqeshje dhe mezi foli: Gjallë jeni të gjithë? E sytë e
tij u mbyllën pa pritur përgjigjen…
Revista Shqiptari Nr. 1 Bukuresht 2021
12
TRADITË BREZASH
Përpara një ngjarjeje të tillë, gjithësekush mund të
bëjë natyrshëm pyetjen: Si është e mundur që njeriu
të hidhet kaq lehtë, me vetëdije në krahët e vdekjes,
kur fare mirë mund t’i shmangej asaj? Vërtet, Ndue
Logu, mjaftonte të zinte ushtarin për krahu e të
hidhej bashkë me të brenda transhesë. E do të kishte
arritur si për natë gjallë e shëndoshë tek
bashkëshortja Vera dhe tek vajzat e tij Albana e
Laureta. Po ata djem 20 – vjeçarë, me të cilët e lidhte
jo vetëm detyra, por edhe miqësia e dashuria
njerëzore prej vëllai apo prej prindi? Ata mbase do të
kishin mbetur përjetë aty, shtatore të palëvizshme në
poligonin e qitjes.
Një komandant e një njeri si Ndue Logu, nuk
mund t’ja lejonte kurrësesi vetes një gjë të tillë. Për të
ishte më e lehtë, më e natyrshme e më burrërore
hedhja në krahët e vdekjes në emër të jetës së të
tjerëve, sesa lënia e të tjerëve në thonjtë e vdekjes. E
kjo mund të kuptohet fare mirë vetëm po të kemi
parasysh zonën nga vinte ky djalosh me tipare
shqiponje dhe traditat e trimërisë e të heroizmit të
familjes së tij.
Ndue Logu u lind më 8 maj të vitit 1940 në
fshatin Brashtë të zonës së Dukagjinit në malësitë e
Shkodrës, pikërisht në prehër të Alpeve. Mjafton të
Revista Albanezul Nr. 1 Bucureşti 2021
13
përmendësh krahinën e fillon menjëherë të kuptosh
shumë gjëra. Si autor i librit, duke qenë dukagjinas,
kam dëshirë të ndalem pak pikërisht mbi ato vlera të
pakrahasueshme që mbart kjo zonë e që ua ka
ushqyer bashkë me qumështin e nënës edhe bijve e
bijave të tij në shekuj e deri në ditët tona.
Ato zona me bukuri të egër por të mahnitshme
kanë qenë në shekuj teatër betejash të përgjakshme
për mbrojtjen e Atdheut dhe të tërësisë territoriale të
tij. E në atë teatër ngjarjesh tragjike, bijtë dukagjinas
kanë qenë përherë protagonistë. Poeti i mirënjohur
Hysni Milloshi shkruan : “Kur sjellim në vëmendje
kreshnikët e rapsodive veriore, para syve na del
Dukagjini i Shkodrës me rrethinat e tij. Në ato male
me bukuri përrallore lindën Ajkunat, Mujot e Halilët.
Bukuritë e jashtëzakonshme natyrore të atyre
bjeshkëve madhështore ndikuan që në ato kulla të
rriteshin burra me shtat e mendje madhështore.
Në ato vise u krijua për herë të parë legjenda e
Orëve e Zanave prej fantazisë popullore, gjë që me
siguri ka ndodhur në kohërat para Homerike. Sepse
vetëm në ato vise me njerëz shtatlartë e plot fuqi të
mbinatyrshme mund të besohej një Orë, domethënë
një grua shtatlartë me fuqi të mbinatyrshme dhe me
hijeshi po aq të jashtëzakonshme. Sepse vetëm në
vise si ato të Dukagjinit mund të besohej se rrojnë
zanat, vajza të reja me bukuri të jashtëzakonshme e
gati të mbinatyrshme si orët, që endeshin pranë
krojeve, fushave e lëndinave plot lule, ku dhe shirat
Revista Shqiptari Nr. 1 Bukuresht 2021
14
derdhen në formë ylberesh. Edhe sot e kësaj dite të
krijohet përshtypja se malësorët shtatlartë e
fisnikërilartë të Dukagjinit kanë lindur prej Nënës
Orë për me mbrojtë vendin, traditat e shenjta, fisin,
njeriun…”