13.5 C
Tiranë
E shtunë, 16 Maj 2026

Nga arkiva e poetit brilant:Luan Sheshi

GRINDUR DASHURITË…

Ashtu kot një ditë,
grindur dashuritë…
Herët në mëngjes,
për një lule me ves’…
Puthjet i harruan,
mërive mërguan…
Sulur ndër petale,
vetëtimë në male…
Dhe kur iku vesa,
mbirë qe pendesa…
Kokat mënjëanë,
më jo nuk u panë…
Eh,mëngjesi tjetër,
mbet mëri e vjetër…
Vesa gonxhesh bie,
grindje dashurie…
Ashtu kot një ditë,
grindur dashuritë…
Majit gonxhe çelur,
zënka vesës ngelur…

Luan Sheshi: 11 maj 2021…

“””””””””””””””””””””””

UDHË TË NDARA…
U ndanë udhët tona…u ndanë,
në muzgun e lotuar prej mërzie,
mes fjalësh boshe ngritëm kalanë,
prag natës shurdhe trishtimi bie…
Në kut të humbjes ikjen stisëm,
të shkurtër,të gjatë,a pafundësisht,
fanarët nën mjergull i degëdisëm,
mëngjesit trazuam rrezen e brisht…
Humnerash harrese nxituam pastaj,
të lodhur,të zhgënjyer, dhe të pazë,
lagunash të përmbytje të dy në faj,
shkumë-bardha gjuhë-gjërat rërës lë…
U ndanë udhët tone…u ndanë,
ashtu mes shikimesh boshe më kot,
mbyt pellgut tinguj-fikurat aty lamë,
e djeshmja,si gurë zalli ç’u kthye sot…

Luan Sheshi: 12 maj 2021…

“””””””””””””””””””””””””

TRËNDAFILIN TA RRËMBEVA..
Trëndafilin ta rrëmbeva,
në mëngjes që pa gdhirë,
zemrës fshehur s’ta rrëfeva,
vetë ta gjeje kisha dëshirë…
Erdhe-ike..plot trishtim,
kukafshehurazi mbi petale,
muzgut rënë në shtegëtim,
gonxhe verdhën ti ma fale…
Vello-mjergulla s’të verboi,
rrugëtove gjoksesh hapur,
strukur degëza të pranoi,
bohçen çelur për ta kapur…
Trëndafilin ta rrëmbeva,
bohçe-plasur dashuruar,
natë majit prap ta ktheva,
vesë-lotja gjethesh pikuar…

Luan Sheshi: 13 maj 2021…

“””””””””””””””””””””””

S’U PAMË NË SY…
Atë natë s’u pamë në sy,
lodhja,ikja…na mundoi,
s’ishim vetëm ne të dy,
dritë e hënës na zbuloi…
Hëna fshehur qe pas resh,
atë çast fytyrën shpëlau,
heshtur,ëmbël…buzëqesh,
fëshfërima puthjet thau…
Trembur tok ngelëm ne,
fjala shteg të errët nisi,
meteori gjurmë nuk le,
psherëtima terrin grisi…
Atë natë s’u pamë në sy,
mjergullnaja ç’na mbuloi,
dëshmitarë veç ne të dy,
hena fikur…s’di ku shkoi…

Luan Sheshi: 14 maj 2021…

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.