Në kudrin e Ditës Evropiane të Parqeve kombetare
PARKU KOMBETAR I THETHIT,
NJË NDER THESARET E NATYRËS SHQIPTARE


Shqipëria e vogël në sipërfaqe, tokë e bekuar e bukurive të pafundme. Ndër mjediset natyrore malore përzgjedhja e parë për të vizituar është Paku Kombëtar i Thethit, në zemër të Alpeve. Thethi është një ndër zonat më të veçanta të turizmit malor.
Në 150 vitet e fundit Thethin e kanë vizituar shumë vendas dhe të huaj. Ndër ta: alpinistë, shkencetarë, politikanë, gazetarë, klerikë, etj. Përmendim: Dr. Zhein Sheimer, Dr. George, Dr. Egen Offmann, Prof. dr. Heinerik Sehates, Prof. A. Baldacci, Prof. Nj.Dolfler, Dr. Nopçe, Mis Durham, Mis R. Liej, Dr. M. Graff, Mis Jungu, etj. Ndërsa nga përsonalitetet tona kujtojmë: At Sh. Gjeçovin, M. Shalën, Rr. Zojzin, G. Uruçin, K.Prognin, etj.që kanë studjuar dhe promovuar Thethin


Fshati Theth, është vizituar si qendër pushimi që në vitin 1887 dhe në vitin 1932 vjen për të pushuar familja e njohur shkodrane e Kadukëve. Në vitin 1936 Thethi, lidhet me rrugë makine me Shkodren. Ne vitin 1966 ndertohet hidrocentrali, fshati instalon dritat elektrike. Në vitin 1956 hapet shtëpia e pushimit me 1000 – 1200 pushues. Në mjediset e Thethit mund të kalojne si turistë gjatë gjithë vitit mijera vizitorë dhe janë mundesite për të kaluar pushimet mijera pushues.
Në Theth mund të gjeni një natyrë praktikisht të virgjër, mund të vizitoni kishat, kullat, shtëpitë tradicion ale dhe mjaft monumente të natyrës. Aty ju presin njerëz mikprites dhe të dashur. Thethi listohet i pari në dhjetë fshatrat turistik më të mirë të Shqipërisë i ndjekur nga Voskopoja në Korcë dhe Bënja në Permet. Ky vlerësim është bërë duke marrë në konsideratë elemente, si: natyra e ekosistemi, tradita e kulinaria, infrastruktura e mundesitë akomoduese
PARKU KOMBËTAR “THETHI”
Me vendim të Këshillit të Ministrave, Nr. 96, datë 21.11.1966, zona malore e Thethit, me sipërfaqe 2 630 ha, shpallet “Park Kombëtar” .
Parku i Thethit ndodhet në Alpet e Shqipërisë, pranë Bjeshkëve të Nemuna. Thethi është qendra turistike-alpinistike më e rendësishme e zonës veriore, 70 – 75 km larg qytetit të Shkodrës..
Ai kufizohet nga majat e larta shkëmbore, që bien thikë në luginë dhe krijojnë pamje të papërsëritshme; të tilla janë maja e Radohimës (2568 m), Arapit (2217 m), Paplukës (2569 m), Alijes (2471 m) etj. Në lartësitë 750 – 800 m, poshtë në luginë, shtrihet fshati piktoresk i Thethit. Këtu buron, lumi i Thethit, i cili, pasi bashkohet me përroin e Kaprrekut, në fshati Nderlysaj, formojnë lumin e Shalës, i cili derdhet në Drin. Lumi i Thethit, i kethjellët e i shkumëzuar, me prurje 1000 – 1300 l/sek e temperaturë mesatare uji 70C, është i pasur edhe me troftën e malit. Kanioni në grykën e Shkallës së Thethit, vend i pëllumbave të egër, ka lartësi rreth 40 m e gjerësi 1 m. Ujevara e Grunasit është piktoreske e mahnitëse, me rënie të ujit mbi 30 m lartësi.
Bien afro 2400 – 2500 mm shi në vit. Shtresa e dëbores arrin në 1.5 – 2.5 m dhe zgjat 130 – 160 ditë, kurse në disa pika të veçanta të parkut dëbora është e përhershme, gjë që shton vlerat për turizëm.
Parku është kompleks, me larmi habitatesh dhe tipe vegjetacioni, ku pjesën më të madhe e zenë ato të pyjeve të ahut, por ka edhe formacione shkurrore me mbizotërim boronice apo kullotash subalpine që bashkëshoqërohen dhe me shkurre xhuxhe dhe të zonave alpine, etj. Në këtë park ka rreth 1500 lloje bimësh, që përfaqësojnë gati gjysmën të florës së vendit tonë. Nga bimët, rreth 100 lloje janë bimë mjekësore e tanifere shumë të dobishme. Rreth 70 lloje janë të rrezikuara për zhdukje, të rralla etj. Për t’u vlerësuar është prania e drurit relik të tisit (Taxus baccata) brenda katit drunor të pyllit të ahut, megjithëse në ekzemplarë të rrallë, si dhe e bimëve endemike (Ëlfenia baldaccii; Viola dukagjinica, Lilium albanicum). Bimë subendemike janë: Aquilegia dinarica dhe Teucrium arduini.
Fauna e parkut është e pasur dhe e larmishme. Ka rreth 20 lloje gjitarësh, 50 lloje shpendësh folenizuese, afro 10 lloje zvarranikësh, rreth 8 lloje amfibësh. Rendësi paraqesin gjitarët dhe shpendët e lidhur me pyjet e lartë dhe ekosistemet malore e alpine. Ndër gjitarët e mëdhenj të parkut të Thethit përmendim praninë e ariut (Ursus arctos), ujkut (Canis lupus), rrëqebullit (Lynx lynx), dhisë së egër (Rupicapra rupicapra) dhe kaprollit (Capreolus capreolus).
Thethi është vendbanim shumë i hershëm i lidhur me atë të fisit ilir të Labeatëve. Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura ngusht edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Thethin, si vend shumë të përshtatshëm për turizëm, krahasohet me viset e bukura të Tirolit, Austri.
Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve shqiptare, lugina me lumin me ujrat e kristalta e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar.
Duke u nisur nga veçoritë e tij dhe nga vendndodhja pranë kufirit, Parku Kombëtar i Thethit është propozuar që të jetë pjesë e një parku ndërballkanik të quajtur Parku i Paqes, ku të përfshihen territore edhe nga Kosova dhe Mali i Zi.
