ASNËJHERË NUK MENDOVA
(Prof. Dr. Sadru Fetiu)

Nuk mendova asnjëherë në jetë
dhe as një ditë të vetme nuk më shkoi në mendje
se në pranverën flakëruese 2021
mund të gjendem në hallin e papritur
që të shkruaj renditje vargu
për të vërtetën e hidhur që na tronditi
që thellësisht sikur edhe në vend na ngriu
se ti nuk gjendesh më në pritje të agut,
në hapësirën e frymimit për rrjedha jete
lulëkuqet e stinës për t’i përshëndetur
Prof. Dr. Sadri Fetiu.
Në të vërtetë shumë herë nëpër vite,
më ishte hapur një shteg i besimit në ndërdije
se mund t’i hyj hapit
që të shkruaja për hovet tuaja në veprim
në trasim rrugësh të bardha
mbi ndryshkun e shekujve nga acaret e përrallta.
Që të shkruaja me përkushtim jehu
edhe për atdhedashurinë tënde të dëshmuar
edhe nëpër dallgët e trazuara të jetës
që dinin të ishin edhe të shkumbëzuara
gjasimit shtypës deri në tepëri të plotë
nga frymimi i ngushtuar në robëri
si Kosovë dhe si etni.
Shkrimet tuaja të bollshme model shëmbëllimi
shkencë e derdhur me rreze dielli praruar
në flakërim mirësish për dheun ku u linde,
universin në përqafim.
Ngjyrë rrëzëllimi buzëqesh në vargun tënd
imazhesh të derdhura në peshim kohësh
pa shungullimë verdhësie dhe pa re,
fjalët në melodi rimash grishin agimin
akorduar me etje të pashuar ujëvarash
pikturim i blertë për ditën e re.
Kur qielli ndizej flakë mbi Kosovë
në shembje marrëzish shekullore
asnjëherë nuk hoqe dorë nga enigmat e legjendës
përjetësuar në lahutën e motive,
pikësynimet tuaja përherë me frymim jete
përkushtimit të pndalur
në thyerje heshtinash të nemura
me erëra të pangopura mveshur.
Sa shumë dije t’i nderoje e vlerësoje
të gjithë të përkushtuarit
që bënë edhe grimcën më të vogël për ty,
shumëfish ua ktheve me dashurinë e pashuar
derëhapur traditë e trashëguar.
Prishtina shfleton pasqyrën e kohëve
kujton mendjendriturin
që latoi me përkushtim jehu
portat e dijes në edukim brezash.
Vendlindja ku u linde dhe u rrite ti
Prof. Dr. Sadri Fetiu
me dashurinë e pakrahasuar krejt shend
të vlerësoi me thellësi zemre
si hark ylberi në reflektim,
tani në sirtarin e krenarisë së gufuar
ndrydh dhembjen e pafund
për amshimin tënd.
Secili ligjerim i thënë për ty
frymon i flakëruar,
andaj pusho i qetë
në parajsën e merituar
qiri i ndezur që nuk shuhet kurrë
gjurmëthinjur për gjuhë e flamur,
-Prishtinë – 10. 06. 2021