ADDIO MBRETËRESHA E EKRANIT TELEVIZIV
-Ndahet nga jeta Raffaella Carrà-

Ishte vetëm 8 vjeçe kur romanjolja e lindur në Bolonja më 13 qershor 1943, Raffaella Pelloni, mori rrugën drejt Romës, ku do të projektonte udhën e jetën e saj artistike si aktore, këngëtare, show girl, prezantuese, për t’u bërë mbretëresha e ekranit televiziv jo vetëm në Itali, por edhe në Spanjë, Raffaella Carrà. Ajo ishte bolonjeze, siç ishte edhe i pavdekshmi Lucio Dalla e siç është i madhi Gianni Morandi. Pikërisht në moshën 8 vjeç ajo mori pjesë në filmin e saj të parë “Tormento del passato”. Në Romë mbaron studimet në qendrën eksperimentale kinematografike. Mori pjesë si aktore në mbi 30 filma, ndër të cilët edhe në filmin e njohur “Nata e gjate e ‘43”, por nuk mund të themi se u bë e shquar si aktore, çka e dinte edhe vetë, sepse bota e saj ishte në atë të spektaklit e të ekranit televiziv.Shtytjen do ja jepte mbarimi i akademisë së arteve të themeluar nga rusja Jia Ruskaja. Talenti dhe gjenia e saj spikasin që në dukjet e para televizive e do dominojnë për më shumë se 50 vjet ekranin e vogël, duke e vënë pa diskutim në fronin e mbretëreshës. Ajo nuk ishte thjeshtë një artiste. Ajo ishte një institucion i tërë, që punonte për ndërmarrjen e madhe RAI, pak kohë edhe për Media Set e për disa vite edhe për Televizionin spanjoll me spektaklin “Hola Raffaella”. Gjeni e provokacionit simpatik, por pa rënë kurrë në banalitete, sepse klasi i saj si artiste dhe si qytetare ishte shumë i lartë. Në paraqitjen e saj pranë Corrados në “Canzonissima” 1969 me siglën “Ma che musica maestro” shkaktoi diskutime, duke e konsideruar gati skandaloze daljen e saj në ekran me kërthizën të zbuluar. Pavarësisht nga kjo sigla pati shumë sukses dhe në një kohë të shkurtër u shitën mbi 200 mijë kopje të saj. Sot do të dukej absurd një diskutim i tillë, por atëherë RAI ishte mjaft puritan përsa i përket paraqitjes skenike të protagonistëve. Raffaella do të provokonte sërish më vonë me baletin tek kënga “Tuca tuca”, balet që do të çensurohej për disa kohë nga RAI deri në kohën kur atë do ta ligjëronte përfundimisht interpretimi i Raffaellës me aktorin e madh Alberto Sordi. Natyra e saj shumë e lirshme në skenë, këngët, vallëzimet e bënin që të fitonte gjithnjë e më shumë terren tek publiku, duke patur thuajse gjithmonë një udiencë rekorde me spektaklet që organizonte. Gazeta e famshme angleze “The guardian” e kishte shpallur atë sex simbol europian. Por Raffaella asnjëherë nuk e mbanmte veten te tillë dhe nuk e quante veten të bukur. Në një intervistë me gazetarin e njohur Enzo Biagi ajo e thotë hapur: “Nuk e konsideroj veten nje femër të bukur. Jam tërheqëse dhe kaq”
Programet e saj më të suksesshme “Pronto Raffaella”, “Carramba che sorpresa”, “Carramba che fortuna” etj. ndiqeshin me shumë interes edhe nga punbliku shqiptar. Në “Carramba che fortuna”, që ishte e lidhur me llotarine italiane të fundvitit ajo kishte arritur në shitjen e mbi 125 milionë biletave të llotarisë. Telespektatorët shqiptarë me siguri e mbajnë mend edhe për edicionin e parë të “The voice of Italy”, ku ajo që në interpretimin e parë të këngëtares sonë, Elhaida Dani, u shpreh entuziaste, e quajti një forcë të natyrës dhe këmbënguli ta kishte në skuadrën e saj pasi intuita e saj e kishte kuptuar që konkuruesja shqiptare do ishte fituese.
Në jetën e saj ajo i ka bërë të gjitha dhe i ka bërë të gjitha shumë mirë. Që nga filmat, spektaklet, drejtimin e Festivalit të Sanremos e shumë të tjera, ajo ishte gjithmonë primadonna e ekranit dhe e tillë me siguri do të mbetet për shumë kohë. Nëpër botë janë shitur 60 milionë disqe të saj dhe ka patur 22 disqe platini dhe ari. Ajo u shfaq për herë të fundit në ekran në vitin 2019 me programin “A raccontare comincia tu”. Pastaj sëmundja e gjatë, e cila e mori përfundimisht sot, më 5 korrik 2021, në ora 16.20, në moshën 78-vjeçare. Për moshën mesatere të Italisë konsiderohet ende një moshë e re e me siguri, po të mos kishte qenë sëmundja, Raffaella do i kishte dhënë akoma shumë ekranit nga talenti dhe gjenia e saj krijuese.
Në karrierën e saj brilante ajo ka patur vlerësime të shumta, si 13 telegatti, që janë si statujat Oscar italiane, “Dama dell’Ordine del merito civile” akorduar nga mbreti i Spanjës Felipe VI etj.
Bota e spektaklit humb një talent e një zonjë me klas të pashembullt, ekrani i vogël humb mbretëreshën e tij të përhershme.