AH SOT !
(Bija ime Klodiana u largua për në Angli me 9 korrik 2019 dhe im bir Besi me 8 korrik 2021)
Ah sot që duhet të isha lis i fort
Pesha e lotit më rëndon hekur,
Nuk flas dot, mu prenë fjalët sot
I mpirë jam, as i gjallë, as i vdekur.
Do doja të ishte veç një ëndër kjo
Mos besoja se ike nga vendlindja jonë,
Të ishte thjeshtë dhuratë prindërore
Për ca ditë pushimi nëpër Europë.
Ti në valixhen e vogël me pak rroba
Ke vënë dhe diplomën për mësuesi,
Diplomën që mendoja se vlente sa bota
Që ti s’do e përdorësh kurrë në Shqipëri.
Ti sot po ikën, në fakt ne të përzumë
Siç po përzëmë gjithë brezin tuaj,
Atë që ky vënd në jetë se bëri kurrë
Sot largon rininë dhe brezin e shkolluar.
Ti po ikën sot në folezën tënde
Atje ku dielli nuk ka sa këtu shkëlqim,
Atje ku rrallë do flasësh me gjuhë nëne
Atje ku ‘’mirdita’’ i thonë ‘’good morning’’.
Po ikën dhe unë si mbaj dot lotët
Lumë rrëshqasin e djegin si acid,
Ti fluturon sot nga foleza prindërore
Në folenë tënde me bashkëshortin Radmir.
“”””””””””””””””””””””””””
PER JU GRA
Dje u shua një nënë,
një tjetër akoma në koma
jep e merr me jetën.
Jo mosha, bakteriet e viruset
as “sëmundja e keqe”.
e vrau arma jonë heshtje.
Heshtja vret,
Heshtja ime
e jotja
e ligjit mbi dorën vrastare të burrit,
heshtja mbi varfërinë
pabarazinë
mbi largimin e fëmijëve
djegur prej mallit.
Heshtja juaj, heshtja jonë godet
si plumb
në lule të ballit.
Sot, të paktën
mendoni më shumë për veten,
kërkoni atë që burrat s’u japin në jetë
Lirinë e Barazinë.
Me grushtin e zërin tuaj goditeni,
shëmbeni atë mal pabarazie
që e ndot njerëzinë.