—Tiranë, më 16.9.2021
–(Seti i V i publikimeve)
—Emri i mirë dhe vlerësimi i Bytyçit dhe Bytyçasve si “Soj” ku bënin pjesë në një masë proporcionale e përpjestimore, nderi, mikpritja, bujaria, besa e trimëria, nuk është mbajtur dhe trashëguar me frymën e shenjtë, por nga brezi në brez e nga gjenerata në gjeneratë, duke u përsosur dhe pasuruar në vlera dhe tipare të reja.

—Por njëri nga brezat që i dha një pamje të re, atyre tipareve të vyera të malësorëve Bytyças, ishte gjenerata e cila i çau shtiqet e dijes, duke u shkolluar dhe reflektuar trashëgiminë e të parëve të tyre me një tjetër shkëlqim.
—E kur i merr në analizë ata si në formën kolektive ashtu edhe një nga një, mbetet ai “Brezi i Artë”, i cili dijet e marra në shkolla i materializoi në një jetë të tërë në interesin e përgjithshëm, interesin e komunitetit, duke mos u kursyer, secili në profesionin dhe sektorin e vetë punues.
—E ky qëndrim i tyre jo vetëm deri sa dolën në pension duke e mbyllur kapitullin e punës së tyre aktive me nder dhe lavdi, duke vijuar sot e kësaj dite në të njëjtën rrugë (e dikush deri sa mbylli sytë përgjithmonë), duke tejkaluar çdo provë e vështirësi, pa u “shibluar”, kryesisht periudhën e tranzicionit të tejzgjatur e cila ka qenë dhe mbetet si një sprovë e madhe, sepse i tjetërsoi në karakter masivisht “persona e personalitete” të rrejshme të periudhës që lam pas, etje.
—Ndonëse përvoja e këtij brezi të artë, nuk ka mbetur pa u pasuar nga gjeneratat e tjera që janë më pas, koka e tyre në dispozicion është e favorrshme për ta mbajtur dhe lartësuar traditën dhe trashëgiminë e mirë të kësaj gjenerate e cila do të mbetet për t’u mbajtur mend, si “Brezi i Artë”, i intelektualëve të Bytyçit, i cili jo vetëm s’u kursye, por edhe s’u shpërblye asnjëherë.
—Prandaj shoqata jonë, si “kompensim”, e shpërblim moral për atë që kanë arritur dhe dhënë një jetë të tërë, i shpërblen ata me “Biri i Nderuar i Krahinës së Bytyçit”, për të shërbyer si një shembull i mirë edhe për gjeneratat e tjera në vijim. Në vazhdim do të vijojmë që ti publikojmë të gjitha rastet për të cilat Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë – Prizren, ka pasur edhe këtë radhë, me rastin e mbajtjes së edicionit të 18-të, të “Festa e Bytyçit”, emërtuar si “Festa e Plisit të bardhë”, vlerësimet e saja të herë pas hershme.