MOS E BËNI PIS
B U R I M I N
Iku kënga që të zgjonte,
Gjithë qielli oshëtinte ,
Shpirt e zemër lumturonte,
Gjurmë të arta kudo linte.
Këndonte Mentor Xhemali,
Pagarusha, Vaçe Zela …
Nga themeli tundej mali ,
Kapërxeu gardhin me tela….
Këng’ e bukur u shartua ,
U shashtis dhe mikrofoni,
Tallavaja shesh u shtrua ,
Këndohet siç këndon gjoni…*
Këngët tona vijnë nga rrënja
Janë esencë e lumturisë,
Ninulla që këndon nëna
Kur mëkon foshnjën në sisë…
Ju artistët tanë të këngës,
Mos e bëni pis burimin,
Kur këndohej këngë e rrënjës,
Qeprat e shtëpisë ndrinin…
Janë magjike këngët tona,
Janë si tik taket e zemrës ,
Si gjëmim ushton jehona ,
Se është gjuha jonë e nënës…
* Gjoni këndon me prapanic
Thoshin të moçmit.
Tetor 2021….