Përkthimi përrallor i shkon si epitet versionit italisht të përrallave shqiptare, libër që sapo u vu në qarkullim në Itali. Sepse, me gjithë lojën e fjalëve, ka një mjeshtëri të veçantë në shqipërimin e këtyre përrallave: kush i përkthen, nuk duhet thjesht të gjejë variantet “qe e mos na qe”, “na ishte njëherë”, “një herë e një kohë”… I duhet, në radhë të parë, të jetë rritur me atë truall.

Kollaj duket puna, pasi të gjithë i njohim ato përralla. Por pakkush, në mos askush, mund të ishte përkthyesi më i përshtatshëm se Dritan Çela, i lindur më 11 janar 1970, i cili pati sjellë më parë në shqip nga italishtja autorët e së ashtuquajturës “letërsi magjike” italiane. Italo Calvino-n në radhë të parë, të cilin Çela ka meritën se e ka sjellë bashkë me Buzzati-n, duke nisur me disa tregime në fund të viteve ’80-të.

Aso kohe ende pa i mbushur të njëzetat, Drtian Çela, i biri i një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të letërsisë shqiptare, Zija Çelës, do t’i përkushtohej përkthimit nga italishtja duke sjellë në shqip, në vitet që pasonin, përkthime mjeshtërore të “Shkretëtirës së tartarëve” të Dino Buzzati-t, “Komikave kozmike” të Italo Calvinos, “Një, asnjë dhe njëqindmijë” të Pirandello-s, si dhe të autorëve modernë Susanna Tamaro, Carmine Abate, Luciano De Crescenzo apo Alessandro Baricco.
Përrallat shqiptare në italisht ndihen se janë sjellë në këtë gjuhë nga një shqiptar. Për meritë të asaj ndjesie që përcjellin fryma kombëtare, pastaj përgjithësisht fjalori dhe stilistika e tekstit. Për meritë të një talenti që është mbrujtur e zotëron mjeshtërisht gjuhën dhe kulturën e dy vendeve.

Është për t’u veçuar në fakt që, përveç Dritan Çelës, asnjë shqiptar nuk është ngarkuar ndonjëherë nga botuesit italianë për të sjellë në italisht vepra të letërsisë shqiptare, që shpesh kanë kaluar nëpër gjuhë të tjera për të ardhur në Itali apo janë përkthyer nga italianë që kanë studiuar gjuhën shqipe.
Rreth trembëdhjetë vjet pas botimit të “Fiabe e leggende albanesi” të Mitrush Kutelit, vjen libri “Fiabe albanesi” (2005) i Virgjil Muçit. Janë njëzet e katër përralla të moçme shqiptare në përkthimin e shkëlqyer të Dritan Çelës.

Dritan Çela, 35 vjeç, i vendosur prej shumë vitesh pranë Reggio Emilias, është duke luftuar këto ditë kundër një sëmundjeje të rëndë që e ka pllakosur. Gjithë redaksia e “Botës shqiptare” i është pranë dhe i jep zemër atij e familjes.
(Shqiptari i Italisë, dhjetor 2005, Romë. Më pas në librin “Përgjigje për dashurinë”, Tiranë 2011.)