MËSUESIT SHQIPTARË
Nxënësit janë të ndryshëm nga njëri-tjetri, secili ka kërkesa të veçanta, secili percepton, dëgjon, flet, mendon, mëson ndryshe nga tjetri, prandaj secilit i duhet dhënë rasti
P R O F I L_Belgizare Kryeziu, mësuese e arsimit fillor, Shkolla ”Metush Krasniqi”, Roganë, Kamenicë.
Belgizare Kryeziu, ose Bilka sikurse e thërrasin kolegët dhe miqtë e saj, është një nga mësimdhënëset, për të cilën të flasin me nderim dhe respekt, jo vetëm në komunën e Kamenicës, ose Dardanës, por në pjesën më të madhe të mjediseve arsimore të Kosovë. Te Bilka janë mishëruar, ndër të tjera, dy cilësi. Njëra është e një mësueseje që punon me zell, e suksesshme dhe që rreazaton edukatë, mirësi, përkushtim te brezat e shumtë të nxënësve të saj ndër vite. E dyta, ka të bëjë më profilin intelektual të saj, e cila nuk rresht në trajtimin e temave të ndryshme, kryesisht me karakter arsimor, në këndvështrimin dhe trajtimin teorik të tyre, duke shfrytëzuar literaturë bashkëkohore.
Dëshirën për dije Bilka e shfaqi qysh në shkollën fillore, duke u dalluar si nxënëse shembullore, po ashtu edhe në shkollimin e mesëm, (ndonëse jashtë objekteve shkollore në shtëpi–shkolla gjatë okupimit serb), ajo vazhdoi po me të njëjtin pasion. Për sukses të shkëlqyeshëm në studime të rregullta , me rastin e ditës së universitetit i jepet diploma ”Student i Dalluar”
Misionin e shenjtë të mësuesisë Belgizarja e filloi në Shkollën Fillore “Metush Krasniqi” në Roganë – Kamenicë në vitin 1999. Që nga ditët e para, mësuesja Belgizare iu rrek me përkushtim misionit të saj profesional, për të ndërtuar një karrierë suksesi. Këtë punë sfiduese po e bënte duke u mishëruar në mënyrë të vazhdueshme duke vënë në funksion kapacitetin e saj profesional dhe duke zbatuar strategjitë e metodologjitë më të avancuara mësimore. Këto elemente i vendoste në koherencë me kurrikulat mësimore, si orientim afatgjatë në arritjen e objektivave mësimore dhe të rezultateve të të nxënit.
Dalëngadalë, vit pas viti, ajo po krijonte një profil individual të mësueses shembullore. Këto suksese erdhën si shpërblim i vullnetit, këmbënguljes dhe sakrificës përkundrejt angazhimeve të shumta me nxënës, si prind, si nënë e bashkëshorte, por edhe si bartëse e aktiviteteve të shumta në shkollë dhe jashtë saj.

Bilka shquhet edhe për vlerat e saj njërëzore, dashurinë për nxënësit, respektin për kolegët. Ajo është modeli më të mirë se si mund të jetë një kolege bashkëpunëtore, një anëtare nderi e shkollës, ku në asnjë aktivitet nuk mungon ndihma e saj. Është për t’u admiruar veprimtaria e shumëllojshme e saj; hartuese e planprogrameve mësimore, trajnere e licencuar për seminare e projekte të ndryshme, pjesë integrale e këshillave të shkollës, autore e disa punimeve në fushën metodologjisë së mësimdhënies, pjesëmarrëse dhe prezantuese në shumë konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, moderatore në promovime e programe të ndryshme brenda dhe jashtë shkolle etj.
Në kohën kur gjendja me COVID-19 u përkeqësua në Kosovë dhe mësimi u ndërpre në shkolla, ajo u bë pjesë e e-mësimit, e propozuar nga DKA, Kamenicë, dhe e përzgjedhur nga MASHTI. Bilka ka qenë ndër mësimdhënëset e para në krejt Kosovën për përdorimin e plartformës Zoom në mësimdhënien online, madje përdor librin digjital në mësim.
Gjithashtu prej katër vjetësh është pjesë e organizatës “Toka”, ku bashkë me një koleg të saj udhëheqin një klub super-vullnetarësh në kuadër të programit për “Vullnetarizmin edukativ” dhe brenda vitit realizojnë projekte të ndryshme në dobi të shkollës, komunitetit lokal e më gjerë.

Në vlerësimet e performancës profesionale të këshilltarëve pedagogjikë-regjionalë dhe atyre të brendshëm, profli i mësueses Belgizare vlerësohet me kompetenca dhe nota të larta. Për kontributin që dha në fusha të ndryshme mori shumë mirënjohje, lëvdata e çmime të ndryshme. Nga DKA-ja komunale e Dardanës u nominua për çmimin vjetor: ”Mësuesja më e mirë e vitit” dhe me mirënjohje nga MASHTI “Për kontribut të veçantë në fushën e arsimit dhe të edukimit” që ndahet çdo vit më 7 Mars në nivel shtetëror.
Për çdo arritje të saj, Bilka falënderon familjen, kolegët e saj, dhe të gjithë ata që e mbështesin vazhdimisht në punë dhe në jetë.