12.5 C
Tiranë
E enjte, 21 Nëntor 2024

Poezi nga Anelja Lako

Ti nën dritëzën e hënës,

s’di ç’m’u shfaqe aq i fshehtë,

hape butë portën e zemrës,

ma pushtove lehtë e lehtë.

Ti mbi dritëzën e hënës,
shkëndijoje përmbi re,
ç’ma vodhe çelësin e zemrës,
lermë të qetë, mor, si s’më le.
Ti nën dritëzën e diellit,
butë më dogje si qirinë,
fluturoj tej e tej qiellit,
plastë kush s’njohu dashurinë!

A. Lako(ripostim)

“””””””””””””””””

Agim i përmallur…
Ky diell i zverdhur endacak,
që zgjon mëngjeset nderur mbi çati,
një ëndërr prej përgjumjes, rrumbullak,
ma sjelltë me një zog, së largmi, kushedi!
Po dhe ky qiell, që zjarr sikur ka marrë,
që të shuhet perëndimit pret përflakur,
ma sjelltë një puthje aq të dëshiruar,
e dua të më vijë agimit të përmallur.

A. Lako

“””””””””””””

Diku je larg e nuk më thua
dhe të dy presim kohë e pa kohë,
gjumi më zë indeve të tua,
pse luajmë kot: “Më do, s’më do?”.
Si nuk më merr natës ky gjumë,
as ti nuk fle, e di, e di,
se unë jam ti e ti je unë,
sot ku jam unë, sot ku je ti?
S’më flet, por ëndrrës vjen e vij,
s’të flas, por frymës sate jam,
sa kot heshtim unë dhe ti,
kur qiejve çajnë shpirtrat tanë.

//A Lako//

“””””””””””””

Ku ndjenjat bashkohen
Në krahët e tu,
shkrin errësira,
dhe terri bëhet blu,
çelin yj’ me mijëra.
Aq rrugë plot dritë,
më çel ti çdo agim,
vjen përnatë, përditë,
si rrahje shpirtit tim.
Me ty fle dhe zgjohem,
imazh i ëndrrës sime,
ku ndjenjat njësh bashkohen,
në muzgje e agime.
Më je ylber çdo stine,
shtatë drita kam në sy,
u bëre ëndrra ime,
Diell unë për ty.

A. Lako

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.