“”””””””””””””””””””””””””
Botë shifrash
Shifra që në lindje…
Ora, data, gjatësi,
perimetër koke, gjoksi,
matje parametrash në laborator,
rrahje zemre, “parashikim moti”.
Shifra gjatë jetës…
Sasi ushqimi, frymëmarrje frymënxjerrje….
pulsi, numri i këmbës, numër identiteti…
Numër banese, telefoni, amze,
fjalëkalim interneti.
Takimet janë koordinata në rrjete
çifte, treshe,…
të renditura, jo rastësisht,
dihet saktësisht kush është i parë, i dytë,…
Inteligjenca matet me shifra,
shikimi me numër tek sytë.
E folura me fjalë për minutë.
Shpejtësia e ecjes me kilometra në orë.
Dashuria me rrahje pulsi, zmadhim bebesh syri,
sasi feromonesh a shtrëngimesh në kraharor.
Familja me numër ndenjësesh në tavolinë.
Shoqëria me perimetër rrethi.
E qeshura me numër dhëmbësh.
Tingujt me sasi vibrimesh ajri, timpani a teli.
Për shpirtin një shifër s’u tha
Nuk dihet ku zgjohet, ku rri, ku fle,
Është kudo dhe askund.
Është si universi, i paanë, i pafre.