ISHA MAGJISTAR…
Kuptova se isha magjistar i vogël
Puthja qershinë, përshembull, dhe ti dridheshe e tëra
Mos, më thoje, mos
Jam vedër e re, thyhem, e na derdhet vera.
E të tjera e të tjera e të tjera.
Isha larg teje në një mal
Prekja një lule e hop në TI e ktheja
Ca zogj të hutuar flatrat ti falnin
E unë, hop, papritmas të ngrija lart tek reja.
Një ditë të çova në botën e përtejme
Qeshje, oh, sa qeshje
Aq sa nga të qeshurat shkunde gjithë qershinë…
Dhe në çastin kur tek unë do ktheheshe
Oh, dikush, dikush ma prishi magjinë.
I çmendur brodha, udhëve e skenave
Të ringjallja ty, po ku të gjeja…
Puthja qershinë po gjaku qe ngrirë venave
Në parvaz te reja më ndizej rrufeja
Nga vedra piva gjithë llojet e verërave
Po në krahët e mi nuk po të ktheja.
Vetëm kur u thinja, kur u mplaka
M’u zvogëlua hija, m’u shkurtua flaka
Papritmas përballë magjike m’u shfaqe
E re si atëherë kur ishe loja ime
O Zot, sa e ngrohtë si një lot në faqe
Kur do të rrokulliset në majat e gjinjve.
Më prek, të lutesha, ma kthe rininë e parë
Po ti sërish qeshje dhe shkundje qershinë…
Kuptova: në ditët që të mbaja pranë
Ti ma kishe vjedhur magjinë.
“””””””””””””””””””””””””
Bisedë me Sokratin
—————————
(sentenca e tij:Njeri ,njih veten )
Sokrat
edhe brënda nesh ,
ka kozmos .
Ëndrra përthithëse ,
Dëshira yjeshuar…
Dashuri zjarrmuar…
E, si ta njoh veten ,
Sokrat ?
Koha në klepsitër
rrjedh e më përqesh …
Çastet rrëshqasin …
Askush dot s’i ndal…!
E, në ndryshim veten …
Si ta kap ?
Si ta njoh?
I urti , Sokrat ?
——————–
Fatbardha Behri Kaçi
nga libri ”Tango me veten”
ISBN:978-9928-223 08-1
“””””””””””””””””””””””””””
ODISETË
—————–
Homer , që nga tejkohësia
Odisetë shtohen…
Nga fjal’ e Kasandrës
bëhen të ikurit ,
me kokë Janusi…
Se eshtrat e të parëve
të paqeta tani…
Kush do t’ua shkulë
në varr barin ,
apo t’u ndezë qirinj?
Të afërm e miq në atdhe ,
filxhani , hidhërim -kafe .
Tresin sytë larg…
Zemër e tyre , si Odiseeve ,
djegur…malL…
————-
Fatbardha Behri Kaçi
Nga libri ”Tango me veten”
ISBN :978-9928-223 08-1