11.5 C
Tiranë
E mërkurë, 1 Prill 2026

Jahja Lluka

FILMI DOKUMENTAR PËR SHQIPTARËT NË TURQI

Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve dhe angazhimet tona kishin edhe disa ide, të cilat nuk u realizuan në terësi. Dua ta përmend idenë për xhirimin e një filmi dokumentar mbi shqiptarët në Turqi, si ide e Migjen Kelmendit. Me biseda të gjata, arritëm marrëveshjen që Radio Televizioni i Prishtinës dhe Migjen Kelmendi të jenë producentë dhe realizues të këtij dokumentari, në bashkëpunim dhe me ndihmën financiare të Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve. Nevojiteshin mjete të konsiderueshme, të cilat u zotova se do t’i grumbullojmë dhe këtë punë e realizuam shumë shpejt – edhe një herë me ndihmën e zejtarëve të Pejës. Meqenëse atyre ditëve flitej se shumë shpejt do të hynë masat e dhunshme në Televizionin e Prishtinës, me Migjen Kelmendin arritëm marrëveshjen që mjetet devizore të mos dorëzohen në konton për hapjen e televizionit derisa të merret urdhri për udhëtim në Turqi, për arsye se kishin frikë se 20 mijë markë, do të na humbnin dhe pastaj nuk kemi se si t’i arsyetojmë. Ndodhi ajo më e keqja, jo që hynin masat e dhunshme, por u bë okupimi policor i Televizionit të Prishtinës dhe shpresat për t’u realizuar ky dokumentar gati se u shuan.

Mirëpo shpresonim se një ditë, shumë shpejt, do të hiqen këto masa të dhunshme. Në marrëveshje me Migjen Kelmendin, e lamë që Migjeni t’i ketë mjetet dhe, nëse brenda tre-katër muajve bëhet ndonjë ndryshim në gjendjen e krijuar në Televizionin e Prishtinës, ne idenë ta realizojmë prapë. Fatkeqësisht, sikurse e dimë edhe ne vetë, Televizioni i Prishtinës nuk u lirua deri me lirimin e Kosovës. Ato ditë më bënë ftesë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dega në Pejë, prof. Imer Muhaxheri, dhe i kërkoi mjetet, të cilat janë grumbulluar nga unë dhe Shoqata që këto mjete t’u dërgohen deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në ekzil, konkretisht në Lubjanë dhe Zagreb. Unë nuk e ndava mendimin me profesorin e nderuar dhe nuk pranova që të ia dorëzoj mjetet dhe ia shpjegova marrëveshjen time me Migjenin, por edhe ia shpjegova që unë nuk kam të drejtë mjetet të cilat i kam grumbulluar për xhirimin e një filmi dokumentar, t’i jap për një destinacion krejtësisht tjetër.

Propozova një kompromis dhe ashtu si e propozova edhe e realizova. Të gjitha mjetet e grumbulluara i ktheva te çdo individ, në bazë të dëftesës të cilën e kishim nënshkruar unë dhe donatori. Në të njëjtën kohë të gjithë miqtë e mirë, kolegët e mi, i ftova që të njëjtën ditë në orën pesë, në lokalet e Shoqatës së Zejtarëve, të vijnë dhe të kontribuojnë në grumbullimin e mjeteve për deputetët e Kuvendit të Kosovës. Shumica e zejtarëve ishin të befasuar si ndodhi që, për herë të parë, pasi nuk ishte realizuar projekti i paraparë, t’u kthehen mjetet atyre qëi kishin dhënë. Unë isha i lumtur, pasi përgjigjja e njerëzve për t’i ndihmuar deputetët e Kuvendit të Kosovës ishte shumë e mirë. Por isha i lumtur edhe për një gjë, se zejtarët e Pejës e kuptuan se unë dhe Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve, për çdo gjë që kemi nevojë, nëse nuk e realizojmë prapë do jemi bashkë. Me këtë rast dua të them edhe se zejtarët e Pejës kanë merita të veçanta, për funksionimin e Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur. Pas kësaj, pata rastin që të takohem në Lubjanë, në fshatin në Brezovicë, me deputetët e Kuvendit të Kosovës, që shpallën Kosovën Republikë dhe Kushtetutën e Kaçanikut: zz. Bujar Gjurgjealo, Muharrem Shabani, Feride Hyseni e shumë të tjerë. Gjithçka kaloi ashtu siç deshëm ne.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.