“KALIMTARË NË KËTË JETË” është libri i tretë i poetes Dava Gjoka Lleshaj, i cili doli nga shtypi. Suksese poetes!
FRYMA JETËSORE NË POEZINË E LIBRIT “KALIMTARË NË KËTË JETË”,
TË POETES DAVA GJOKA LLESHAJ
“Kalimtarë në këtë jetë” është libri i tretë i poetes Dava Gjoka Lleshaj, i cili i vjen lexuesit si një buqetë tingujsh, mbledhur nga një përvojë e gjatë përceptuese, nga vëzhgimet dhe përjetimet e një shpirti të ndjeshëm, ku bulëzon dëshira për të jetuar dhe dashuria që ta bëjë të shndritshme jetën e njeriut.
Poetja, si çdo qënie njerëzore, përmes ndjeshmërisë së saj artistike, i jep frymë realitetit, larg depresionit intelektual, për t’i dhënë lexuesit veç të vërteta, të cilët mund t’i njohësh gjatë gjithë jetës dhe përvojës së secilit. Mjaft bukur, përmes dashurisë, përmes ngulmimit për të kuptuar realitetin, poetja sjell në vëmendjen e lexuesit, si një postulat i mirëfilltë, thënien e Jezusit se qielli u dorëzohet vetëm atyre që luftojnë për të.
Kjo mënyrë komunikimi, aftësisë për të thjeshtëzuar të vështirën dhe për ta bërë sa më të kuptueshme dhe të kapshme, poetja sjell poezitë e saja me një besim të plotë tek inteligjenca njerëzore për të arritur atje ku e vërteta qëndron dhe bëhet pjesë e veprimtarisë sonë në jetë.
Sot ka shumë rryma, shumë ndërhyrje në jetën e njeriut, kulturalisht apo “dhunshëm” në ndërgjegjen e njerëzve, duke “turbulluar” mendjet dhe duke i larguar njerëzit nga arti i vërtetë, nga një dashuri sublime, e cila kthjellon individin dhe shoqërinë dhe kjo është e veçanta e poetes, e cila bën të mundur të sjellë ato që ne i harrojmë: traditat e mira, zakonet inkurajuese, dashurinë e pastër, fakte këto që bëjnë të mundur që të kuptojmë se nuk janë opinionet ato që kanë vlerë më shumë se e vërteta, e dukshmja, e prekshmja.
Në të gjithë librin, poetja ka bërë përpjekje për t’u lidhur me lexuesin përmes krijimtarisë së saj me të vërtetat, të moralshmet, me dashurinë, e cila qëndron në themel të çdo të vërtete në këtë botë.
Sot bëhet një diskriminim i së vërtetës ndaj ekzistencës, ndaj asaj që është e shenjtë dhe asaj që shihet si liri për të deformuar realitetet dhe mbi këtë bazë synohet të deformohen dhe të harrohen ato vlera që mbanin dhe mbajnë familjen, shoqërinë dhe bëjnë që proceset dialektike të jetës të shkojnë në drejtimin e duhur.
Janë pikërisht këto pikëpamje të shprehura në formën e artit poetik nga poetja, që e bën librin mjaft të këndshëm, mjaft atraktiv, për t’i dhënë jetës një kuptim dhe motiv për të cilin ja vlen të jetosh dhe të gëzosh.
Në këtë libër trajtohen temat e dashurisë për vendin, për natyrën, për komunikimin njerëzor pa diskriminim, për miqësinë e pastër, për vlera e cilësi patriotike e atdhetare, për pangopësinë e disa pushtetarëve, për të kuptuarit e jetës dhe administrimit të saj me shpirtin e së bukurës, sepse vetë jeta na ka kalimtarë dhe përpiqet të na ndërgjegjësojë se përballë këtyre motiveve, njeriu të gjejë motivimin e duhur për të krijuar një klimë dashurie, respekti dhe harmonie mes njëri-tjetrit: “Lum kush e kupton sa është gjallë,/ Se bota s’është e imja, as e jotja, / N’këtë jetë, t’gjithë janë kalimtarë, / E askujt nuk është as bota!”
Gjithashtu, poetja Dava Gjoka Lleshaj, duke parë se mes brezash ka një lloj kundërshtie kulturore mbi mënyrën e jetesës, ajo shprehet: “Ti brezi i ri, çuditesh me të vjetrin, / Se sot je në ajër me internet. / Thua, janë përralla këto, me mbretin, / E nuk beson se është e vërtetë. / Eh, brezi im e brezi yt, / Ditën kur lindëm, njësoj kemi qarë. / Një lëmsh i madh m’është mbledhur në fyt, / Se bashkë kemi rrugën, por ecim të ndarë!”
Poetes i urojmë suksese në krijimtarinë e saj të bukur, kurse lexuesit i urojmë lexim të këndshëm!
NDUE DRAGUSHA
Psikolog, poet & gazetar