Koha na ka sjellë përballë pasqyrës më të dhimbshme të realitetit tonë: një vend ku shumica del për të kërkuar një hapësirë të lirë e demokratike, dhe shtypet e dhunohet nga vëllezërit e vet , pikërisht ata për të cilët po protestohet dhe po derdhet gjak.
Kjo situatë na detyron të shtrojmë pyetjen më themelore, pikën e parë të çdo njerëzie: A jemi njerëz? A jemi vërtet e njëjta gjuhë, e njëjta kulturë dhe e njëjta traditë shqiptare?
Si ka mundësi të jemi kaq të pashpirt dhe mizorë ndaj gjakut të vëllezërve fëmijëve dhe motrave tona, deri në atë pikë sa t’u nxjerrim sytë e ti përgjakum e të mos kemi asnjë fije mëshire? Për çfarë? Për dy lekë të flliqura më shumë qé merrni? A hahet vallë ajo bukë e përgjakur nga familjarët e atyre që e fitojnë me dhunë?
A nuk ju vjen turp që fëmijët, gratë dhe nënat tuaja nuk guxojnë të dalin jashtë nga përbuzja e masës së gjerë popullore? Dhe mbi të gjitha, pse këto nëna nuk i ndalin bijtë e tyre katilë, të cilët e kanë zgjedhur kamxhikun si mjet kënaqësie kundër grave, fëmijëve dhe rinisë studentore?
Haram e paqit gjirin e nënës dhe i mallkuar qoftë djepi që ju ka përkundur! Por dijeni mirë: gjakrat e rinisë dhe fëmijëve tanë nuk do të shkojnë dëm. Ato do të lulëzojnë në një Shqipëri të lirë, demokratike dhe të çliruar nga dhuna juaj.