Të dashur miqtë e mi dhe lexues!
Po ndaj me ju kënaqësinë time.
Para tre ditësh doli nga shtypi libri im i 19-të dhe i treti në prozë ” ME NËNËN NË 365 ËNDRRA”
Ndaj dua të falënderoj thellësisht nga zemra mikun e çmuar, Redaktorin e palodhur e fisnik të të gjithë librave të mi, Poetin dhe Shkrimtarin e Shquar, Prof. Ndue Dragusha.
Për punën e shkëlqyer që ka bërë me botimin dhe nxjerrjen në dritë të këtij libri të veçantë e shumë të dashur për mua dhe familjen time. Për parathënien e gjërë e tepër emocionale, duke më dhënë sadisfaksion shpirtëror e moral, me vlerësimin e librit si një temë universale.
Një nder i madh, privilegj dhe obligim për mua, në rrugëtimin tim krijuas si në poezi dhe në prozë.
Mirënjohje dhe respekte pafundësisht!
Njerëzit vdesin vetëm një herë, por nënat nuk vdesin kurrë plotësisht. Ato largohen nga kjo botë, por mbeten në një vend ku vdekja nuk ka pushtet: në zemrën e fëmijës. Ndoshta për këtë arsye, pas vdekjes së nënës, netët e Isuf Sokolit nuk u mbushën me heshtjen, u mbushën me të. Ajo erdhi përsëri, jo nga derë e shtëpisë, por nëpër një derë shumë më të mistershme: ëndërrën. Dhe erdhi jo një herë, as dy herë, por 365 herë. Një vit i tërë. Një vit me nënën. Një vit ku kalendari i kohës u shndërrua në kalendarin e mallit. Kështu lindi ky libër i pazakontë, “ME NËNËN – NË 365 ËNDRRA”, një rrëfim që nuk kërkon të shpjegojë ëndërrën, por të ruajë atë që ëndërra i dha autorit, një mundësi për ta takuar përsëri nënën. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron forca e tij. Sepse çfarë është një ëndërr pas humbjes së njeriut më të dashur? Një kujtim që merr frymë? Një mall që bëhet figurë? Një zë i së kaluarës, apo një urë që lidh dy brigje, të cilat jeta i ka ndarë dhe dashuria nuk pranon t’i lërë përgjithmonë të ndara? Askush nuk mund ta dijë. Dhe ndoshta nuk duhet ta dijë. Misteri është pjesë e bukurisë së këtij libri.
Isuf Sokoli nuk na thotë: “Besojeni se kjo ndodhi.” Ai thjesht na hap derën e ëndrrave të tij dhe na lejon të shohim. Atje është nëna. Flet me të birin, e dëgjon, e këshillon, i jep porosi. Ndonjëherë e qorton, ndonjëherë e qetëson, ndonjëherë thjesht është aty. Dhe kjo “të qenit aty” ndoshta është gjëja më e madhe që një nënë mund t’i japë fëmijës së saj.
Në jetën e zakonshme, ne shpesh e kuptojmë vlerën e një njeriu kur ai largohet. Kur nëna është pranë, zëri i saj mund të na duket i zakonshëm. Këshilla e saj mund të na duket e përsëritur. Pyetjet e saj mund të na duken të tepërta. Por kur ajo hesht përgjithmonë, atëherë kuptojmë se edhe një pyetje e saj do të ishte një dhuratë. Edhe një qortim. Edhe një “ku je?” Edhe një “kujdesu për veten”. Edhe një përqafim.
Në këtë libër, Isufi i ka fituar përsëri për pak çaste të gjitha këto. Jo në dritën e ditës. Në errësirën e natës. Aty ku arsyeja fle dhe zemra duket se flet më lirshëm. Prandaj, këto 365 ëndrra mund të lexohen si 365 kapituj të një dashurie që nuk pranoi të përfundonte me vdekjen.
Një ëndërr për çdo ditë të vitit. Një takim për çdo ditë të mallit. Një bisedë për çdo ditë të mungesës. Dhe kështu, një vit i zakonshëm i jetës shndërrohet në një vit të jashtëzakonshëm të kujtesës.
365 nuk është thjesht numër. Është një kohë e plotë. Është pranvera që kalon. Vera që ikën. Vjeshta që bie mbi kujtime. Dimri që e gjen birin përsëri në kërkim të nënës. Janë 365 mëngjese kur ai është zgjuar me gjurmën e saj në shpirt. Dhe 365 netë kur, në një mënyrë të pashpjegueshme, ajo mund të jetë kthyer përsëri. Kjo është arsyeja pse ky libër nuk është vetëm një libër për nënën e Isuf Sokolit. Është një libër për NËNËN. Për atë qenie të rrallë që mund të jetë njëkohësisht shtëpi, strehë, kujtim, dhimbje dhe dritë. Për gruan që na mëson fjalët e para, por që shpesh bëhet fjala e fundit që thërrasim kur kemi nevojë për dikë. “Nanë!” Sa e shkurtër është kjo fjalë. Dhe sa e pafundme! Mjaftojnë katër shkronja për të mbajtur brenda tyre një jetë të tërë. Ndoshta prandaj, edhe kur nëna nuk përgjigjet më nga kjo botë, njeriu vazhdon ta thërrasë në heshtje, në kujtime, në lutje, në ëndrra. Dhe ndoshta ëndërra është vendi i fundit ku zemra jonë nuk pranon ta pranojë ndarjen. Këtu libri i Isufit fiton edhe një dimension më të thellë. Ai nuk flet vetëm për atë që ka parë në gjumë. Ai flet për nevojën njerëzore për të vazhduar një bisedë me ata që kemi humbur. Sepse ka biseda që nuk mbarojnë kur njeriu vdes. Ato vazhdojnë brenda nesh. Ne u flasim të vdekurve tanë edhe kur ata nuk na dëgjojnë. U tregojmë çfarë na ka ndodhur. U kërkojmë mendim. U themi se na mungojnë. Dhe nganjëherë, mbase, zemra jonë krijon një përgjigje. Por çfarë rëndësie ka nëse përgjigjja vjen nga kujtesa, nga ëndërra apo nga një thellësi e panjohur e shpirtit?
E rëndësishme është se dashuria e dëgjoi. Këto 365 ëndrra janë, në një kuptim të bukur, një vit i dytë i jetës së nënës në zemrën e të birit. Një vit ku ajo nuk plaket, nuk sëmuret, nuk largohet, nuk hesht. Ajo kthehet çdo natë në forma të ndryshme, por me të njëjtën dashuri. Dhe kur lexuesi hyn në këto ëndrra, ndodh diçka e çuditshme. Nëna e Isufit fillon të bëhet edhe pak nga nëna jonë. Sepse secili prej nesh ka një fytyrë që do të donte ta shihte edhe një herë. Një zë që do të donte ta dëgjonte edhe një herë. Një dorë që do të donte t’ia ndiente edhe një herë mbi supe. Një njeri që do të donte t’i thoshte: “Kam ende nevojë për ty.” Dhe ndoshta ky është sekreti më i madh i këtij libri. Ai nis me një nënë të humbur, por përfundon duke na kthyer te të gjitha nënat që kemi dashur. Prandaj, këto faqe nuk duhen lexuar me ngut. Duhet të lexohen siç ecet në një shtëpi të vjetër ku çdo dhomë ruan një kujtim. Duhet të ndalemi. Të dëgjojmë. Të kujtojmë. Ndoshta edhe të heshtim. Sepse ka faqe që nuk lexohen me sy. Lexohen me mall. Dhe tani, kur libri mbyllet pas ëndërrës së 365-të, lind pyetja: – Çfarë ndodh pas 365 ëndrrave? A mbaron takimi? A mbyllet dera e ëndërrës? A largohet nëna përgjithmonë? Jo. Sepse nëse do të mbaronte aty, atëherë ky libër do të ishte vetëm një dëshmi e dhimbjes. Por ai është më shumë se kaq. Është dëshmi e dashurisë. Dhe dashuria nuk numërohet me ditë. As me muaj. As me vite.
Prandaj, ndoshta ëndërra e 365-të nuk është fundi. Është fillimi i një tjetër kohe. Sepse pas 365 netësh, nëna nuk ka më nevojë të vijë në ëndërr. Ajo ka hyrë përgjithmonë në zgjim. Ka hyrë në çdo mëngjes të birit. Në çdo mendim. Në çdo vendim. Në çdo fjalë. Në çdo kujtim. Në çdo rrahje zemre. Dhe këtu, libri i Isuf Sokolit arrin te e vërteta e tij më e bukur: “Vdekja mund ta marrë nënën nga shtëpia, por nuk mund ta marrë nënën nga biri. Mund ta mbyllë një varr, por nuk mund ta mbyllë kujtimin. Mund ta ndalë zërin. Por nuk mund ta ndalë jehonën e tij. Mund ta ndajë dorën nga dora, por nuk mund ta ndajë dashurinë nga zemra.”
Prandaj, 365 ëndrra nuk janë 365 netë ndarjeje. Janë 365 prova se dashuria gjeti 365 herë një rrugë për t’u kthyer. Dhe ndoshta kjo është mrekullia më e madhe e këtij libri. Nëna nuk erdhi 365 herë në ëndrrat e Isufit. Ishte dashuria e Isufit ajo që 365 herë e hapi derën për të. Pastaj nata mbaroi. Por nëna nuk iku më. Sepse kur një nënë vendoset përgjithmonë në zemrën e birit, as vdekja nuk ka më ku ta çojë.
365 ëndrra, një vit pas humbjes së nënës, bisedat, këshillat, porositë dhe rikthimi i saj në jetën e të birit, duket shumë qartë se ky libër nuk është thjesht një përmbledhje ëndrrash, por një rrugëtim i dhimbjes drejt kujtesës dhe i kujtesës drejt dashurisë. Dhe mendoj se pikërisht këtë duhet të ndiejë lexuesi që në faqet e para, se po hap një libër ku vdekja nuk është fjala e fundit.
Uroj me gjithë zemër që libri i Isuf Sokolit të ketë jehonën që meriton. Është një temë universale, sepse pothuajse çdo njeri që ka humbur nënën e tij do ta gjejë veten diku mes këtyre 365 ëndrrave
“””””””””””””
Si krahë shiponje që fluturojnë,
Si vala e bardhë që të përkëdhë,
Si këngët e zemrës që ushtojnë,
Si mëngjesi kur agimin çelë.
Si ciklat e ujit në një ujëvarë,
Që pikturojnë imazhe të rralla,
Si rrezet e dritës, margaritarë,
Si mrekullitë që fliten në përralla.
Si retë në hapësirën e qiellit,
Që vozisin e vozisin papushim,
Si ngrotësia jetëdhënëse e diellit,
Që mbulon tokën me shkëlqim.
Porsi vetëtima kur fort gjëmon,
Dhe vija flake len nepër qiell,
Porsi muzgu kur dielli përendon,
Por zemra plot gaz dritën ndiell.
Porsi shpërthimi i një vullkanit,
Që shfrynë fort me shkulma zjarri,
Porsi tërbimi i egër i murlanit,
Porsi gjurma që len guximtari.
Porsi dallga më e lartë e detit,
Porsi cikloni që bën batërdi,
Porsi oshtima e një tërmetit,
Dhe zemrat mbruhen me magji.
Isuf Sokoli
Bolzano: Data 18 tetor 2026.
“”””””””””””
Tek ti ndiej aromën e trëndafilit,
Dhe krahun e ngrohtë që m’ përqafon,
Shoqëruar me këngën e bilbilit,
Që të ndjek pas ngado që vjen e shkon.
Tek ti ndiej zjarrin e dashurisë,
Që më ngrohë e më mban gjallë,
Valsin e ëmbël të lumturisë,
Kur më përqafon e puthë me mall.
Dorën tënde të butë, të nxehtë,
Dhe hapat e sigurtë, që më ndjek pas,
Sytë e tu të ndritur e plot jetë.
Kur unë të shoh, të qeshi e të flas.
Ndiej frymëmarrjen tënde të qetë,
Si ai fladi i lehtë pranveror,
Praninë e një ëngjëlli me fletë,
Dhe rrahjet e zemrave në krahëror.
Ëmbëlsinë e syve kur më shikon,
Dritën e shkëlqimin përbrënda,
Transparencën e fytyrës që më don,
Përjetimin e lumturisë si ndër legjenda.
Gjithë fluksin e dritës ndriçuese,
Që buron pandërprerje vetëm energji,
Valën e bardhë, të ngrohtë, përqafuese,
Që rënd drejt buzëve si me magji.
Isuf Sokoli
Bolzano: Data 11 tetor 2026.
“”””””
Çdo çast ndiej frymëmarrjen tënde,
Dhe dorën e butë që më prek,
Ndricimin e qasjen si imazh hëne,
Dhe zjarrin e dashurisë që më djeg.
Të preku e ledhatoj plot me gaz,
Dhe në misterin e dashurisë zhytem,
Mbi ëmbëlsinë e ndjenjave rrëshqas,
Dhe nga afshi i tyre, sa nuk mbytem.
Përjetohet me endje gjithë magjia,
Në shtratin e saj prush, si një furrë,
Sadisfaksioni që të jep dashuria,
Flakë e zjarr që nuk shuhen kurrë.
Ndriçimi dhe magjia e saj hyjnore,
S’të braktisin kurrë, derisa të jetosh,
Si ëngjëll i bardhë të merr përdore,
Të jep shpresë e krahë të fluturosh.
E gjithë qënia t’bie n’ paqe e qetësi,
Dhe zemra të qeshë fort në krahror,
Një jetë e kaluar pa dritën dashuri,
Boshllëku më i madh shpirtëror.
Ndihesh mbret e kaluar mbreti,
Energjia që të mban përherë vital,
Me gjërësinë e thellësinë sa deti,
Krenarinë e lartësinë sa një mal.