Vitet kalojnë dhe koha lë gjurmët e saj. Trupi lodhet, forcat pakësohen e shëndeti ndonjëherë bëhet një sfidë që kërkon më shumë durim e guxim. Por, sado që vitet më rëndojnë mbi supe, shpresa për të jetuar e për të parë ditë më të mira nuk shuhet në shpirtin tim.
Sot i shoh vitet jo vetëm si kohë që ka kaluar, por si kujtime, përvoja, plagë të shëruara e beteja të fituara në heshtje.
E kam një pasuri që ma zbukuron pleqërinë: nipërit e mbesat e mia, këta filiza të njomë që më japin arsye të buzëqesh, forcë të vazhdoj dhe dashuri për çdo agim të ri. Në sytë e tyre shoh vazhdimësinë e jetës, ndërsa në përqafimet e tyre gjej ngrohtësinë që as vitet, as lodhja nuk mund të ma marrin.
Ndoshta hapat e mi janë bërë më të ngadalshëm, por zemra ende di të ëndërrojë. Ndoshta trupi ka nevojë për më shumë pushim, por shpirti im ende mban dritë e shpresë.
Nuk e mas më jetën me vitet që kam pasur, por me dashurinë që kam dhënë, me gjurmët që kam lënë dhe me filizat e mi që rriten drejt së ardhmes.
Mirë se vjen, datëlindja ime!
Me mirënjohje për jetën, me shpresë për ditët që vijnë dhe me lutjen që Zoti të më falë shëndet, qetësi e sa më shumë çaste pranë njerëzve të mi të dashur!
“”
Me krenari e gëzim të veçantë, ndaj me ju një insert nga seriali shqiptar „Dy kundër botës“, ku djali im i është rikthyer aktrimit, një pasioni që e ka ndjekur edhe vite më parë.
Angazhimet në studime dhe punë e kishin larguar për një kohë nga kjo rrugë artistike, por, disa pasione nuk shuhen, vetëm presin momentin e duhur për të marrë sërish jetë.
Bir, të uroj nga zemra suksese në këtë rikthim! U bëftë ky rrugëtim i mbarë dhe të sjelltë role të bukura, përvoja të reja e shumë arritje. Gëzimi i një nëne është të shohë fëmijën e saj duke ndjekur atë që do.
Suksese ty dhe gjithë ekipit të produksionit të serialit „Dy kundër botës“! Punë të mbarë, krijimtari dhe suksese të mëdha për të gjithë!
“”””””””””””””
ZËRI I FUNDIT NË FUSHË-ARRËZ
(Në kujtim të maturantëve të Malishevës, 22 vjet pas tragjedisë)
U nisët me këngë drejt Shqipërisë
me rini në zemër e ëndrra në sy
aparatet ruanin çaste gëzimi
pa ditur se ajo rrugë do t’ju ndante nga ne.
Në Fushë-Arrëz u këput kënga e jetës
një çast i zi mbi rininë ra
viti shkollor mbeti përgjysmë
e nata e maturës s’erdhi kurrë për ju.
Njëzet e dy vjet kaluan në dhimbje
por koha s’e mbylli plagën e vjetër
nënat ju kërkojnë ende në ëndrra
baballarët dëgjojnë hapa që s’kthehen.
Malisheva ju mban thellë në zemër
me lot në sy e mall të pashuar
ju mbetët një vjeshtë që s’pranon të shuhet
një zë i ngrirë në kujtesën tonë.
Pushoni në paqe, maturantë të dashur
rruga jua ndali jetën, jo kujtimin
me gjethet e vjeshtës u drodh shpirti ynë
dhimbjen tuaj e mbajmë kurorë në shpirt.
Nuk pati festë, as këngë mature
as ëndrrat s’arritën të bëhen jetë
mbetët përgjithmonë në prag të një feste
që kujtimi juaj e vajton përjetë.
“”””””””””””””
URIME, KB BASHKIMI I PRIZRENIT!
Sonte Prizreni feston një tjetër sukses të madh!
Urime të përzemërta KB Bashkimi për fitimin e Superkupës së Kosovës 2026!
Një urim i veçantë për kryetarin e klubit, Kushtrim Kabashi, i cili së bashku me gjithë ekipin po e çon përpara emrin dhe traditën e Bashkimit.
Krenari për Prizrenin, gëzim për tifozët dhe një sukses që meriton duartrokitje!
Urime Kushtrim, urime KB Bashkimi!