Abdurahim Ashiku
Athinë 24 mars 2020
ËSHTË KOHA KUR VATIKANI TË HAPË KASAFORTAT E FLORIRIT
Dhe jo vetëm Ai…
Në Itali…427, 627, 793…të vdekur në ditë
Sot 602…
Ka rënë pak…
Shumë pak për të thënë se koronavirusi po ikën.
Në Spanjë sot 642…
Në Itali, në Spanjë flitet për një të vdekur në gjashtë minuta…
OBSH shkruan se në një ditë në të gjithë botën sëmuren njëqind mijë njerëz…
Makinat ushtarake në vend të armëve transportojnë të vdekur drejt krematoriumeve.
Varrezat nuk mbajnë më, nuk kanë hapësirë, as varrmihës.
Nuk kanë as të dashur ti përcjellin mbajtur mbi supe…
Në Berat vetëm gruaja shoqëronte drejt pafundësisë bashkëshortin…
Arkmorte, arkivole, tabute… radhë-radhë, njeri pranë tjetrit e njeri mbi tjetrin.
Një biznes i ri lulëzon varrezash…
Biznesi më fitimprurës i ditës, i shekullit…
Kaq tabute nuk është parë të prodhohen në një kohë kaq të shkurtër, rekord për librat giniss…
Priftërinj, hoxhallarë të të gjitha feve mbi tokë, nuk i përcjellin më në botën e përtejme qengjat e Perëndisë. Kanë frikë se “qengjat marrin tufën”
Liturgji varrimi e shuar…
Prelatët e besimeve fetare, fshehur pas mburojave të qelqta ballkoneve të lashta, strukur qosheve të kishave e xhamive, me maska të shtrenjta mbi gojë e hundë, shtrijnë duart me doreza drejt qiellit…
Dhe luten me duart ngritur lart në një pamje dorëzimi pa kushte…
Një komentues në facebook, i shkruan Papës së Romës “Hapi kasafortat dhe shpërndaji florinjtë”…
Bashkohem me të.
Është koha kur Papa i Romës, Vatikani në zemër të qytetit të lashtë, të marrë vendimin të hapë kasafortat ku është grumbulluar thesari i Botës tash më se dy mijë vjet, djersa dhe gjaku i besimtarëve, i popujve…
Është koha kur kisha ortodokse greke me pasuri disa herë më të madhe se sa ajo e shtetit, të hapë kasafortat për të mbrojtur besimtarët e vet nga kjo kolerë e paparë tash e shumë shekuj…
Është koha që në Lindjen e Mesme të ndalen luftërat e miliardat e hedhura për vrasjen e njerëzve të hidhen në arkën e mbrojtjes së tyre…
Është koha që podrumet e Patriarkanës së Stambollit, kishës ortodokse ruse, institucioneve fetare myslimane, budiste e të tjera sekteve fetare ku flenë miliarda, të hapen…
Është koha që trilionët e triliardat për luftën të kthehen për paqen, për shëndetin e n jeriut…
Paraja e bardhë në ditë të zezë…- thotë populli.
A ka ditë më të zezë se kjo për botën që jetojmë?
Njerëzimi njeh katër kryqëzata të kishës mesjetare, kryqëzata që u mbështetën, u paguan nga arka e madhe katolike e Romës. Synimi ishte të vrisnin njerëz, të shkatërronin vende, të plaçkitnin botën e vendeve të Lindjes së Mesme. Njëra prej tyre, e Katërta, e shndërroi në gërmadhë ekonominë, kulturën dhe qytetërimin e Kostandinopojës…
Njerëzimi njeh Luftën e Parë botërore, luftë që mori miliona jetë njerëzish…
Njerëzimi njeh gripin e vitit 1918 që mori disa herë më shumë jetë njerëzish se sa lufta…
Njerëzimi njeh Luftën e Dytë botërore…
Njeh Hiroshimën dhe Nagasakin…
Njeh Luftën në Kore…
Njeh luftën në Vietnam…
Njeh luftën pa krye në Lindjen e Mesme…
Njeh shkrehje armësh, lëndësh kimike, bakteriologjike…
Asnjëra nuk i ngjan “Luftës me koronovirusin”.
Asnjëra…
Asnjëra nuk ishte “Luftë botërore”…
Shkaktarët drejtonin (dhe drejtojnë) betejat me armë zjarri, kimike e bakteriologjike nga vila, podrume vilash, bunkerësh “shtatë pashë” nën tokë.
Kjo është LUFTË BOTËRORE me germa kapitale.
Koronavirusi doli nga dora e krijuesit, natyror apo njerëzor, për t’iu vënë mbi shpinë si miliarderit, klerikut, diktatorit… për ta mbyt, për ti marrë frymën, për ti çarë mushkëritë.
Ai është qorr, nuk njeh as grada e as komandantë, është ushtri brauniane…
E vetmja armë kundër tij është të hapen kasafortat.
Të ndërtohen spitale…
Të prodhohen ilaçe…
Të shkollohen mjekë, infermierë, sanitarë…
Ndaj:
Ka ardhur koha që të hapen kasafortat e Romës, kasafortat e katolicizmit, ortodoksizmit, islamizmit, budizmit…
Ka ardhur koha të hapen kasafortat e blinduara të Zvicrës, Uashingtonit, Londrës, Berlinit, Parisit, Moskovit, Pekinit…
Ka ardhur koha për financimin e një kryqëzatë të re, Kryqëzatën kundër Koronës, KOVD-19…
Është koha kur paraja, e kishës dhe besimeve të tjera fetare, të vihet në shërbim të njerëzve në mbrojtje të jetës.
Edhe Zoti, po qe se është diku në univers, duhet ta bekojë këtë.
Ky virus nuk njeh askënd…
As Zotin vetë.
Edhe Feja, e kujt krahu qoftë, është bërë një me thirrjen e shtetit: “Mbylluni në shtëpi”…
Mbrojtja është e përkohshme…
Sulmi është i përhershëm…
Pa sulm nuk ka fitore…
Abdurahim Ashiku
Athinë 24 mars 2020