4.5 C
Tiranë
E enjte, 13 Shkurt 2025

(Intervistë e bërë nga zoti Gjin Musa i portalit DRITARE.INFO)

 

(Intervistë e bërë nga zoti Gjin Musa i portalit DRITARE.INFO)dhei Gazetes “Kombi  na  therret”,PO ASHTU DREJTOR I”RADIOS  ZERI I MERGIMTARIT”.

ME POETIN KUJTIM HAJDARI, TASHMË TË MIRËNJOHUR NË VENDIN TONË E NË MJAFT VENDE TË BOTËS

Z. Gjin MUSA –
I nderuar poet, keni rreth tre vjet që filluat të shkruani në fushën e poezisë, pas një heshtje të gjatë, e megjithatë, që në poezitë e para spikat origjinaliteti, bukuria e vargut dhe e mendimit, ndjehet emocioni dhe bukuria e natyrshmëria me të cilën përcillni mesazhet tek lexuesi. Poezia juaj ka tërhequr vëmendjen në vendin tonë e në mjaft vende të botës.
A mund t’na thoni diçka për motivet që ju shtynë t’i riktheheni poezisë dhe me një fillim të mbarë e të bukur?
******************

Kujtim Hajdari

Në radhë të parë ju falenderoj për intervistën dhe përkrahjen tuaj që në hapat e para të krijimtarisë sime e në vazhdim. Një ndihmë që nuk e keni kursyer për shumë e shumë poet duke bërë një punë fisnike e patriotike në shërbim të krijuesve shqiptarë duke e bërë portalin dritare.info një tribunë promovimi për krijuesit e vendit tonë.
Fillova të shkruaj poezi pas rreth 40 vjetësh, pas nje gjendje dëshpërimi për shkak të një fatkeqësie që më ndodhi në familje, vdekja e gruas në një moshë të re. Ishin miqësia, shoqëria, ata që më njihnin që në rininë time, që më shtynin vazhdimisht dhe së dyti nevoja për të mbushur sado pak atë boshllëk shpirtëror që më krijoi ajo dhimbje e madhe. Poezia m’u bë një mikeshë shumë e afërt me të cilën ndaja shumë gjëra. kohën, brengat, shqetësimet, dhimbjen e plot të tjera.
Kështu nisa të shkruaj poezitë e para, por ajo të rrëmben dhe pastaj të detyron të ndjekësh ndjenjën emocionuese që të krijon, është si puna e detit që kur i afrohesh, është e pamundur të të mos josh me bukurinë e kënaqësitë e tij. Sigurisht nuk ishte e lehtë, pas një kohe aq të gjatë, por unë e kisha ndjekur gjithë kohën poezinë duke u ballafaquar me dobësitë dhe arritjet e saja, se më pelqente shumë, pavarësisht se nuk pata shkruar dhe kjo ma lehtësoi shumë këtë rikthim.
******************
Z. Gjin Musa
Edhe pse në një kohë të shkurtër ju keni dorëzuar për shtyp vellimin e 5-të, në shqip “Pse bëjmë kështu?” Dhe vëllimin e dytë në italisht që ju kanë propozuar ta fusin dhe ne kolonën poetike “Diamanti di poesia” si dhe po pregatitni përkthimin në anglisht të disa poezive të zgjedhura për një vellim në anglisht, si e ndiqni kohën me gjithë këto angazhime?
K.H.
Saktë i nderuar z. Gjin, koha për mua është shumë e çmuar, sa unë habitem kur dëgjoj që nuk dijnë si të kalojnë kohën dhe me shaka them me vete, më jepni pak kohë mua. Por këtu dua të sqaroj një gjë se unë nuk nxitoj për të nxjerr vëllimet, jo. Mua më duhet koha për të lexuar, për të shkruar poezitë, për t’i punuar e ripunuar, për t’i përkthyer në italisht e në anglisht, për të ndjekur poetët e poezinë në botimet e në faqet e shumta të web-it. Ndërsa për vëllimet nuk nxitohem kurrë ashtu edhe për poezitë që nxjerr në faqen time të FB apo në portale të ndryshme. Poezia duhet të më kënaqi, në radhë të parë mua pastaj ta çoj tek lexuesi. Dhe bej gjithnjë atë që më premton koha me dashurinë dhe dëshirën që më pelqen mua.
******************
Z: Gjin Musa
Keni marrë pjesë në shumë konkurse, edhe në vendin tonë po vecanërisht në ato ndërkombëtare ku na keni nderuar me praninë tuaj duke bërë të njohur artin e poezisë shqiptare dhe shpesh herë duke ngritur dhe flamurin tonë, a mund t’na thoni diçka me tepër për mbresat që ju kanë lënë, përshtypjet që ju kanë bërë dhe rëndësinë e tyre?

K.H.

E shoh shumë me vlerë pyetjen që më bëni. Kam marrë pjesë me shumë dëshirë dhe interes në këto ngjarje të mëdha. Qëllimi kryesor ka qënë dhe është për t’u njohur me poet të vendeve të tjera dhe poezinë e tyre.
Së dyti për të ballafaquar poezinë time në konkurse të tilla të mëdha. (Po jap një shembull, në konkursin “Federiciano”, në Itali, ishin në konkurim rreth 2500 poetë nga vende të ndryshme të botës, ishte vërtet një përvojë e papërsëritshme.)
Së treti, është krenari kur dëgjohet zëri i vendit tonë në konkurim në botë e thërrasin “Viva Albania”
Sikur një pjesë e mirë e potëve të kishte mundësinë dhe dëshirën për të marrë pjesë mendoj se do ishte shumë mirë për vendin tonë.
Së katërti, nuk e mohoj se më pelqen dhe të udhëtoj, të njoh vende të bukura, sigurisht këto ngjarje bëhen në vende të tilla.
Unë kam Patur fatin dhe mundësinë të marrë vlerësime, diploma dhe çmime të ndryshme në rreth 15 konkurse kombëtare e sidomos ndërkombëtare. Nuk po zgjatem t’i numroj këtu, po sjell më poshtë një foto ku kam përmbledhur shumicën e vlerësimeve dhe të çmimeve deri tani. Kushdo mund t’i shohi fare mirë në foto.
Më ka bërë përshtypje në këto konkurse paanëshmëria në dhënien e çmimeve. Në të shumtën e rasteve i kam njohur drejtuesit e konkurseve dhe anëtarët e jurive vetëm në ditën e dhënies së çmimeve. Ata nuk vleresojne poetin por vleresojnë poezinë që paraqet. Ka patur raste që kanë fituar poezi të poetëve të padëgjuar se kanë qënë të bukura, siç ndodhi dhe me mua kur fitova kupën ne “Faqet e arta të poezisë italiane” (PAGINE D’ORO DELLA POESIA ITALIANA 2018)
Po kështu më ndodhi dhe këto ditë, që fitova një tjetër çmim të rëndësishëm në veri të Italisë dhe po pres t’ma dorëzojnë se më shkruan në e-mail para ca ditësh.
Nuk përjashtoj se subjektivitet ka kudo por vetëm nga fakti se dhe ata që japin çmimet janë njerëz, janë subjekte e për pasojë nuk përjashtohet të ketë subjektivizëm, si e mendon një juri nuk e mendon një tjetër, megjthatë, përsa kam parë, mendoj se është i pakët.
*****************

Z. Gjin Musa

Keni marrë pjesë dhe në shumë antologji kombëtare e ndërkombëtare, si ndikon kjo në veprimtarinë tuaj krijuese?

K.H.

Kjo ka ardhur natyrshëm, në të shumtën e rasteve, si rrjedhojë e konkurseve. Në çdo konkurs krijohet një antologji me poetët fitues dhe unë, në të shumtën e herës, duke patur fatin të vlerësohem në shume konkurse, jam përfshirë dhe në antologjitë, duke arritur të marrë pjesë deri tani në 23 antologji kombëtare e veçanërisht ndërkombëtare, 17 m’i kanë dorëzuar dhe 6 të tjera pres të më vijnë së afërmi, pasi janë në shtyp.
Është e vërtetë se kjo pjesëmarrje të jep një kënaqësi të veçantë se janë volume me poet të mirënjohur, bashkëkohor ku gjen dhe kenaqësine t’i lexosh.
Për sa i përket ndikimit të tyre në krijimtarinë time do të thoja se ështe një stimulim më shumë dhe nga ana profesionale duke patur gjithë këto vëllime me poet të zgjedhur e ke pothuajse te seleksionuar deri në një farë mase poezinë e bukur dhe di ku të lexosh duke kursyer kohën që mund të humbisje në leximin e poezive të dobëta ose me vlera të pakta. Kjo është një ndihmë e mirë si për kohën dhe nga ana profesionale aq më tepër që shpesh këto antologji janë me parathënie dhe komente te poetëve që kanë bërë emër në këtë fushë dhe shpesh dhe kandidatë për çmimin Nobël.
***********************

Z. Gjin Musa

Ju keni marrë gjithashtu vlerësime e diploma të ndryshme nga shoqata e portale te shumta të web-it, ç’mendime keni për to?

K.H.

Me që m’u dha rasti, nëpërmjet gazetës tuaj online, u dërgoj falenderimet e mia të gjitha atyre shoqatave dhe grupeve të shumta ne4 web që më kanë vlerësuar pavarësisht nga vlera dhe rëndësia e tyre, që varet shumë nga serioziteti dhe pregatitja kulturore e profesionale e personave qe i japin.
Megjithatë është një akt nderimi dhe unë i respektoj, për mua është gjithnjë një kënaqësi më shumë edhe pse nuk mund t’i krahasoj me vlerësimet në konkurse ku sigurisht juritë janë të përbëra , me sa kam parë , nga persona që kanë bërë emër, kanë bërë epope në fushën e artit e të kulturës.
Doja të thoja se kur vlerësime të tilla jepen duke u nisur nga vlerat që ka poezia sigurisht mirëpriten ndryshe nga ato që jepen për pjesëmarrje në një grup, ose për të nxitur rritjen e numrit në atë grup.
Pra varet nga qëllimi dhe personat që i japin.
Unë kam marrë shumë vlerësime e diploma nga shumë shoqata e grupe të tilla, edhe për këtë, për t’mos u zgjatur, disa nga ato po i sjell në foton e më poshtme. Kanë vlerën që kanë, e thashë edhe më sipër, nuk mund t’i krahasoj me vlerësimet e konkurseve. Megjithate janë një kënaqësi dhe një lloj stimulimi dhe këto.
********************

Z. Gjin Musa

Ju, sigurisht ndiqni poezine shqipe në faqet e FB e në portale të ndryshme ç’mendim keni për poetët dhe krijimet e tyre?

K.H.

Populli ynë e pëlqen artin dhe si pjesë të tij dhe poezinë, është një popull krijues dhe si pasojë poetët jo që nuk mungojnë por janë dhe të shumtë në numër. Në faqet e FB gjen nga vargëzimet e dobëta e me vlera të pakëta gjer në poezitë e mrekullueshme. Ka poetë të formuar e të mirënjohur, që kanë një përvojë të gjatë në krijim dhe sigurisht poezitë e tyre janë të një niveli dhe kulture të lartë profesionale e ta ka enda t’i lexosh, rrezatojnë mendime të vyera dhe art të bukur poetik. Ka dhe poet që janë në fillimet e krijimtarisë së tyre dhe sigurisht shihen dhe dobësitë e fillimit e të rritjes në krijimtarinë e tyre. Por një gjë që më bën përshtypje është se vihet re një nxitim nga disa te rinj në krijim, për të nxjerrur sa më shumë poezi pa i kushtuar rëndësinë e duhur cilësisë që sipas meje duhej të jetë e para që duhet të shikojmë. Poezia duhet të hidhet në letër me rastin e parë që të vjen frymëzimi por pastaj duhet t’i kthehesh ta punosh e ripunosh derisa të marri formën më të bukur të mundshme që mund t’i japi poeti.
Shumë në këtë nxitim kërkojnë të botojnë sa më shumë vëllime sa arrijnë brenda vitit të publikojnë 4 apo 5, apo dhe më shumë, duke mos shikuar cilësinë e dobët dhe shpesh herë vëllime që duken si fletore shënimesh, nga 50 – 60 faqe. Tani është e qartë për të gjithë se nuk është numri i vëllimeve apo numri i poezive që të bën poet por cilësia. Mund të bësh një vëllim të vetëm e të mbetesh në histori si poet, mund të bësh 100 vëllime e të mbuloj pluhuri i kohës. Megjithatë këto janë preferencat e atyre që shkruajnë, shoshi i kohës i ndan ngadalë veç miellin e veç krundet. Sa për mua , unë i respektoj të gjithë edhe ata që kanë poezi të dobëta se respektoj përpjekjen e tyre të mirë për t’i dhënë diçka shoqërisë.
Në këto faqe kam vënë re dhe një rutinë që do të thoja jo vetëm të padobishme por do ta cilësoja dhe si të dëmshme për krijuesit. I bëjmë komente dhe pëlqime njeri-tjetrit jo se na pëlqen poezia por se na ka bërë dhe ne do t’i bëjmë. Është një praktikë e gabuar, sipas meje, kështu as e ndihmojmë por dhe e nxitim, nëse shkruan dobët, të vazhdoj ashtu, ndërsa në të kundërtën do ta ndihmonim shumë.
Sa për portalet, flas për këta që na janë gjendur pranë si DRITARE.INFO, me ju në krye zoti Gjin; POLITOLOGJIA.COM, me zotin Albert Zholi e të tjerë si LABËRIANEWS, DRITARJAONLINE etj. kam respekt për punën e mirë që bëjnë për nxitjen dhe inkurajimin e krijuesve sidomos atyre te rinj. Është një inisiativë që duhet zgjeruar dhe të vazhdoj, siç po bëjnë, në përzgjedhjen e krijimeve më të mira që e prezantojnë një autor.
****************

Z. Gjin Musa

Shume nga poetët hedhin krijimet e tyre në shumë grupe të tjera, si ndihmon kjo në krijimtarinë tuaj?

K.H.

Po është e vërtet, edhe unë, zakonisht në ditën e dytë pasi e kam nxjerrur në faqen time, e hedh në shumë grupe të tjera. Këtë e bëjmë, të paktën unë, jo për të marrë përsëri pëlqimet e komentet e miqve të mi që tashmë i kanë bërë në faqen time, por për të vetmin qëllim që t’u jap mundësi dashamirësve të tjerë të poezisë apo poetëve të tjerë, që nuk kanë mundësi të më ndjekin në faqen time, për arsye të ndryshme. Dhe për këtë doja të bëja dhe një shkrim në faqen time për miqtë e mi të dashur dhe dashamirësit e poezisë time që të mos ndjehen të detyruar të më ndjekin në këto faqe se kjo për ta do të bëhet e lodhshme dhe e mërzitshme. Unë mendimin e tyre, tashmë, e kam marrë në faqen time. Sigurisht, kujt i pëlqen ta bëjë, s’ka asgjë të keqe, them për t’mos u lodhur e mërzitur.
Ka pastaj që e bëjnë dhe për të marrë çertifikata, diploma e vlerësime të ndryshme, mua nuk më intereson kjo. I vetmi qëllim është të krijoj dashamirës të rinj, t’ua servis poezinë time dhe atyreve që nuk munden.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.