14.5 C
Tiranë
E premte, 20 Shtator 2024

Kristina Demiri Dojce

Kristina Demiri Dojce

Prolog,
Nga romani ”PËRBALLË NJË KËRCËNIMI”
KY ROMAN, NDODHET EDHE NË BIBLIOTËN..E QYTETIT SELENIK, GREQI.
FOTOT JANE NGA DITA KUR U CEL PAVIONI, ME LIBRAT NE GJUHEN SHQIPE.

L'immagine può contenere: 3 persone, tra cui Kristina Demiri Dojce, persone che sorridono, persone sedute e spazio al chiuso

Ke parë si çelin shelbojat në pranverën e hershme, dehur në musht dhe aromë? Kanë diçka nga fytyra e pafajshme e ditës, që vjen me ritmin e një natyrshmërie ujëvare, duke na zgjuar ndër deje hapat e një ecjeje të vrullshme.

Unë i kam parë dhe e di se asnjë forcë në botë nuk mund ta ndalojë çeljen e tyre, dehjen e tyre, aromën e tyre drithëruese. Madje as erërat e tërbuara dhe agresive, as furtunat dhe as cunamet.

Unë jam Diti, tridhjetë vjeç, gazetar investigues i kronikës së zezë. Punoj në një gazetë të rëndësishme në kryeqytet.L'immagine può contenere: 4 persone, tra cui Kristina Demiri Dojce, persone che sorridono, persone in piedi, scarpe, vestito elegante e spazio al chiuso

Shenja e horoskopit: Luani.

I gjatë: 1.82 cm.

Pesha: Tetëdhjetë kilogram.

Hobi: Lulet dhe gardelinat.

Pasioni: Qërimi i ngjarjeve të ndodhura nga tymi i keqinformimit dhe nga përdorimi i lajmit për qëllime private, klanore e partiake.

Dita më me fat, ajo që ende nuk ka ardhur.

Ngjyra e preferuar: e verdha, përzier me pak krem të hapur, ndryshe, në gjuhën e popullit quhet “e mollët”.

Thonë se jam simpatik dhe zotëroj magjinë e fjalës me vend, por unë besoj në tjetër gjë. Besoj te komunikimi pa filtra dhe me zemër në dorë.

Dita ime përpjestohet me miqtë, shokët, kolegët, subjektet e investigimeve të mia dhe me atë që quhet zona intime dhe të cilën do ta ndajë me ju , aq sa të mos cenohet privatësia ime dhe pavarësia e gjykimit tuaj.

 

Zgjohem çdo mëngjes në orën shtatë dhe pasi pi kafe e këndellem një copë herë tutje tëhu, në kërkim të atyre që ne gazetarët i quajmë “lajme taze”, kthehem në rutinën e përditshmërisë. Por kjo që unë po e quaj “rutinë”, në fakt është një vrundull ngjarjesh të vogla e në dukje të parëndësishme, që ma thithin gjithë energjinë, si me një shiringë manjetike. Më tërheqin brenda tyre me një fuqi gati mistike, duke më përfshirë trup e shpirt, mendje e pasion, talent e përkushtim në ato humnella, ku unë dhe ju, miq të mi, ndihemi të vetërrethuar me koracën e një vetësigurie iluzive.

Ky jam unë, me atë rendjen time të pandalshme, për të informuar njerëzit, për të çuar tek ata, në mesin e tyre, një fije të shpleksur në lëmshin dhe kaosin urban, që ecën me revan, duke lënë pas shtëllunga tymi të zi dhe keqkuptimesh të frikshme.

Kjo është historia ime.

Kjo është përditshmëria ime, e grimcuar në një rruëgtim drejt ëndrrës.

Kujtimet po marrin udhë dhe unë, ashtu i zhytur në botën e ndjesive të ikura, po përjetoj një soj rizgjimi nga e kaluara.

E gjithë kjo histori, pati filluar një ditë të bukur pranvere, në një nga ato ditë kur njeriu zgjohet befas nga gjumi dhe kupton magjinë dhe mrekullinë e të jetuarit.

Në ditë të tilla, zakonisht marrin udhë poezitë dhe dashuritë e zjarrta, lëndohen e lartësohen deri në re shpirtërat njerëzorë. Por ndodhin dhe delire, trille e deri keqbërje të frikshme.

Nuk thonë kot, se e mira dhe e keqja janë bijë të së njëjtës nënë. Gjithçka ndodh me një antisimteri që me kohë kthehet në ritual dhe, siç dihet, kur nis rituali mbaron mrekullia dhe shuhet kërshëria e bashkë me të dhe pasioni…

Historia ime zë fill me kërkimin e një lajmi të bujshëm, ku janë implikuar njerëz me pushtet politik, nga sferat më të larta të oligarkisë administrative dhe nuk mbaron me këtë rrëfim.L'immagine può contenere: 3 persone, persone che sorridono, persone sedute

Ngjarjen po e tregoj në vetën e tretë për t’u distancuar prej saj dhe për t’i dhënë mundësi lexuesit që të bëhet pjesë e kësaj historie…

Nuk ka vend të gabuar, vendndodhje të gabuar, as kohë të gabuar.

Ka njerëz të gabuar, të cilët dalin nga shpellat e vjetra të instinktit kriminal, nga koha traumatike e mamuthëve dhe tentojnë të pengojnë ecjen e shoqërisë.

Unë po dal në rrugë.

Dhe në rrugën plot me njerëz ka nga të gjithë llojet e njerëzve dhe nga të gjitha llojet e shfaqjeve.

Unë jam njëri prej tyre.

Dhe kjo histori nuk më përket vetëm mua, ju përket ju të gjithëve…

Kronikani, bodigardi-shofer dhe e Bukura

“Nëse një person ju buzëqesh gjatë gjithë kohës, me siguri po ju shet diçka që s’punon”.

Xhorxh Karlin

U ngrit ashtu përgjumshëm dhe me duar në kokë, duke fërkuar sytë, si për t’u ndarë me pahir nga imazhi i furishëm i ëndrrave të asaj nate. Rrezet e ndrojtura të atij mëngjezi piktoresk, plot hije dhe aromë, si të shkëputur enkas nga imazhet pikturale të Salvadore Dalisë, e trullosën disi dhe Diti pati ndjesinë e një sensacioni të brendshëm, shpërthyes dhe drithërues.

Ishte një ditë e diel, lehtësuese, që pati ardhur me një vesë të hollë shiu, e cila kishte zgjatur prej disa orësh dhe ekishte degëdisur për pak kohë atë pluhurin etrashë të rrugës që qe bërë kapicë gjatë asaj vere të gjatë e plot zagushi që vetëm para një dy tre javëve dukej se qe degdisur.

Moti qe ende i ngrohtë dhe peizazhi dukej si i spërkatur me një parfum lulesh dehëse, që dukej sikur kishte përfshirë në një lojë ndjesishë gjithë peizazhin e asaj dite pranvere të vonuar.

Megjithëse mjaft i lodhur nga pesha e punëve që nuk kishin të sosur, atë ditë seç kishte një lloj entuziazmi, që nuk e di se nga i buronte.

Seç kishte një ndjesi të sillej kot rrugëve, të meditonte e të bluante me vete grimca kujtimesh e jete, i yshtur kushedi nga ç’fshehtësi të qenies së tij të dyzuar, që kërkonte të gjente vetveten e humbur në kohëra ndoshta mitike.

Jo, nuk ishin kohëra mitike, por reale, pasi gjithçka komunikonte në trurin, shpirtin dhe zemrën e tij ndjesi e kujtesa të çuditshme.

Ishte i përfshirë në një lojë të krisur me veten dhe jehonën e kësaj loje ia përcillte në mënyrë të mrekullueshme natyra e virgjër, me sonatat e saj, që këndonin gjithëandej në një kor gati antik, të amullt deri në virtualitet.

Ashtu i humbur në vevete, që është humbja më e thellë, befas, ndaloi pa frymë para një grupi vajzash, që me sa duket qenë maturante dhe po qeshnin vrullshëm para tij, të ndalura në mes të rrugës, me atë hutimin tim prej idioti.

Dreqi ta hajë,-ia bëri njëra, një brune me shtat të hedhur dhe mjaft elegnate, ky tipi (e kishte fjalën për atë) ngjet aq shumë me “idiotin” e Dostejevskit.

Atë ditë ishte një ditë e veçantë dhe me sa duket ato vajza kishin dalë për të festuar.

Befas në vendin tonë kishin nisur të ndryshonin dhe ritet e festave, duke u bërë më të zhurmshme dhe më pak intime.

Ai vazhdoi të sillej rreth e qark, si në një karusel. Ecte kuturu dhe pa drejtim, në një endje të pakuptimtë, ashtu si endja e mendimeve të tij…

Zilja e celularit, me atë të dridhurën e beftë, shoqëruar me një uverturë të ëmbël, përzier me nuanca malli e pendimi të Listit, e ktheu në realiteti e gjërave, pra e vendosi me këmbë në tokë.

Kishte kohë që fluturonte me mendje, shpat më shpat e kodër më kodër, në kërkim të ngjarjeve të bujshme, që pasonin njëra tjetrën dhe ku ai ishte diku, në skaj të tyre, në rolin e kronikanit.

Ndoshta më shumë se një kronikan, ai ishte një eksplorues i thellësive të fshehta, që nuk shikoheshin nga sytë e shumicës së njerëzve, që të zënë në përpjekjet e tyre të sforcuara për të mbijetuar, nuk ua kishin ngenë dhe as fuqinë kërkimeve të këtij soj…

-Alo! Ku ke je futur o Sokrat i vetmuar?!

Zëri i Lindës i erdhi nga larg si një ujëvarë çlodhje.

Në atë shkretim përvëlues ku e nisnin të gjitha drejtimet e rrugëve drejt punës, stresit, ankthit të përballjeve të pafund, ky ishte i vetmi zë edenik, parajsor, që e ftonte të ishte vetvetja.

-Eja shpirt. Po të pres tek vendi. Pijmë nga një kafe dhe tymosim dy-tre cigare, pastaj ti e di…punët e mira paskëtej vijnë…

-E paske nisur ditën me rilindasit sot! Lum si ti!

-Për çfarë rilindasish e ke fjalën, shpirt?! Këta të sotmit apo ata të dy shekujve të kaluar?!

-Të dy bashkë, ylli im vetmitar! Rilindasit janë një, pavarësisht nga derivatet e kohës dhe ndërrimet e hapësirës…

-Mbete që mbete filozof. Çdo fjalë që flet ka vlerën e një thënie të mençur. E lumja unë që të kam! Nuk do të lë të bien këmbët në tokë!

Me këto rromuze këmbët e shtynë drejt lokalit, ku qetësia e fillimit të ditës thyhej vetëm nga zhaurima e lehtë e ekspresit të kafesë dhe fjalosjet me zë të ulët të pesë gjashtë klientëve që gjendeshin në lokal.

Nuk pati hequr ende xhaketën e trashë për ta vendosur në karrige, kur i erdhi një porosi. Në tavolinë kamarieri i vendosi një dopio xhin me shveps.

-Kush e solli këtë?!

Kamarieri tregoi me gisht dikë që po ia bënte me dorë dy tavolina më tej. E njohu. Ishte shoferi dhe bodigardi i ministrit N. Erion e kishte emrin. Ishte shpuzë i gjallë, thoshin se ishte qen i parasë, e nxirrte lekun nga guri dhe nuk linte femër në këmbë. Edhe zogun që fluturon, ky e gllabëron dhe e bën për vete, kandidat për në shtrat, thoshin për të, me një ironi të përzier me gjysëm admirim e gjysëm paragjkykim negativ.

Mbante gjithmonë në fytyrë një buzëqeshje të gjërë e të hijshme, me një grimasë dalldie, të përzier me rebelim e sqimë. Ajo buzëqeshje, si e stampuar, që më saktë më të quhej nëqeshje apo një soj ngëdheshje, ishte shenja më autentike e profilit të tij fizik.

Sa për profilin e tij shpirtëror, vështirë të thuhej se çfarë bluante në atë kokën e tij të madhe, në formë katrore, me flokët e dendura e të qarkuara egër,

Diti e përshëndeti me kokë, duke u rrekur të formonte një buzëqeshje mirëdashje, e cila u duk si grimasë. Tjetri ia ktheu i çliruar dhe me një buzëqeshje të gjërë babaxhane, që ia kuadratonte fytyrën hijshëm dhe me një simetri të beftë.

Diti nuk kishte ndonjë marrëdhënie të veçantë me të, që të mund të pranonte një porosi nga ana e tij. U mat ta ktehente prapa porosinë, por u pendua. Nuk e bëri veten. Nuk donte të tregohej i pagdhendur dhe tuhaf, që nuk di të çmojë vlerat e shoqërisë etj etj. Etiketime të tilla i prishnin punë një gazetari të një profili të lartë, siç ishte ai, që meshkrimet e tij ndikonte dukshëm në formimin e opinionit publik, i cili kishte aq nevojë për një zë kaq origjinal dhe kurajoz si zëri i tij.

E mori gotën në dorë dhe u afrua pranë gostitësit. Ky u ngrit në majë të gishtave dhe I zgjati dorën, në shenjë konfidence e respekti njëherësh.

-Faleminderit. Unë nuk pi, por nuk po ta prishë…Gëzuar dhe suksese në gjithçka.

-Të bëftë mirë. Uroj më të mirat për ty, miku im! Gazetar si ty nuk bëhen as sa gishtat e dorës në këtë vend dhe shoqëria iu ka me kimet. I duheni kombit!

Diti ia nguli sytë, si për të rrokur atë dozën e lehtë të ironisë që endej midis fjalëve të tjetrit, por fytyra e tij e lëmuar, simetrike dhe e paqtë e çarmatosi.

Ai e dinte rolin e gazetarit, sidmos të gazetarit investigativ në shoqërinë e hapur. Dinte se që në kohët kur kishte nisur epoka e shkrimit dhe e gazetave, gazetarët ishin në fokus të vëmendjes së shoqërisë njerëzore. Kishin ndikuar në formësimin dhe rrejedhat e kësaj shoqërie. Në mjaft raste, i kishin shërbyer anës më ideale të gjërave, duke sakrifikuar shumëçka, deri dhe jetën, në emër të kauzës së informimit dhe zgjimit të vetëdijes qytetare për të drejtat njerëzore.

Kishte dëgjuardhe lexuar në libra të shumtë dhe manuale historie, se Perandoria Osmane i rrethonte me shumë ndere, favore e përkujdesje kronikanët e saj. I paguante mirë, iu jepte femra e bonuse të tjera materiale e shpirtërore. Me shpenzimet e Pernadorisë i binin kryq e tërthorë botës, “për të parë dynjallëk me sy”, që të dinin se për çfarë të shkruanin dhe të kishin nxitjen dhe frymëzimin e duhur për të shkruar. Ishin të vetmit që përjashtoheshin nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak i Perandorisë…

Iu kujtua Kadareja dhe ajo shtjellë e ëmbël, gjithë “nanurisje” të imëta e dritëhije farfuritëse, rreth kronikanit Mevla Çelebiu, në romanin emblematik “Kështjella”. Lajmësi, kronikani, reporter, gazetari, analisti janë zembreku I shoqërive të lira, pasi duke informuar rreth ngjarjeve dhe të vërtetave në hije apo nën pluhur, e çlirojnë shoqërinë nga okultizmi politik dhe idhujtaria e gjithëfarshme e oligarkëve të të gjitha prerjeve e ngjyrave.

Në këto kalamendje erdhi Linda. Parfumi i saj mahnitës, me atë ekzotikën e erës së manushqes, përzier me limon dhe kërpudha, e dehu. Por u duk se dehu gjithë klientët dhe pronarin që po tymoste në një cep, kredhur në leximin e gazetës…

Për një çast, sytë e saj, teksa endeshin në bosh, sikur u hepuan tek sytë e shoferit-bodigard të ministrit N dhe një flakërimë u dogj në ato thellësi të trazuara…

Edhe pse kishin disa vjet bashkë, Ditit kishte përshtypjen që ende nuk e njihte mirë Lindën. Sa herë që zhytej në thellësitë e saj marrëmendëse, ajo dilte në një plan të ri, të panjohur më parë.

Iu kujtua njohja e tyre e parë në plazhin e Ulqinit, në një lokal ku hahej e pihej disi lirë dhe mirë.

Ditën e parë shushëritën nën tendën e njohjes.

Ditën e ditë u puthën në buzë dhe u këndellën në ujërat e embëla të një pasioni të ri

Ditën e tretë të takimit, në dhomën e e tij të hoetlit, ajo iu lëshua në prehër, -teksa digjej nga pasioni dhe e panjohura. Ai rënkonte lehtë dhe rrekej të gjente pikën e sulmit, me vrull dhe delikatesë në të njëjtën kohë…Ajo në fillim po rënkonte, pastaj po klithte, më tej po gjëmonte, në fund po binte e zalisur, me sy gjysëm të perënduar, nën këmbët e tij.

-Ti je një usta dashurie, Diti!

Historia e tyre vazhdoi çdo pasdite në dhomën e tij, nën rrezitjen drithëruese të diellit të verës, që dukej sikur turpërohej teksa lodronte mbi trupat e tyre lakuriq.

Ajo çmendej pas tij, nuk rrinte dot as dhe një minutë të vetme pa të. Kjo gjë po i kthehej në fiksim dhe frika, për të mos thënë paniku, nga ky fiksim, po i kthehej në torturë. Ai vazhdonte ritin e tij të hazdisur, me një tërbim mashkullor të panjohur më parë.

Dashuria nuk të lodh kurrë. Kështu kishte lexuar të thuhej në një manual psikolgjie për marrëdhëniet erotike. Sapo mbaronte aktin seksual, hidhej rishtas në betejë, me flamurin e pasionit në dorë, pa u dorëzuar kurrë para kërkesave të saj të panumërta, që sa vinin e shtoheshin. Shfrymet e tyre kumbonin deri larg, si britma shpellarësh të egër, që vinin nga kohët prehistorike, nga kohët e katakombeve.Një ditë ajo i tha se kishte rënë keq në dashuri me të, por jehona e fjalëve të saj u shua në thellësitë e shpirtit të tij të dyzuar.

Ata i kishim kaluar me kohë fazat e rrëmimit tek njëri-tjetri, të zbulimit dhe sensacionit, bashkë me netët e gjata në taracë, të djersitur për ibret, nga ritmi i çmendur i trupave të tyre. Tani qëndrimi me të ishte më tepër një ritual, por si të gjitha ritualet, i nevojshëm, njësoj, bie fjala, si rrufitja e kafesë së mëngjesit. Pas disa kohësh ai pati ndërhyrë që ajo të punonte në gazetë në rolin e kryesekrtares, detyrë që ajo e pati marrë me shumë zell dhe siç pohonte vetë, ndihej mirë që ishte gjithmonë nën vëzhgimin e tij prej investiguesi të pashembullt.

Ashtu i përhumbur Linda e shkundi nga ajo nanurisje e gjatë gjithë këndellje, duke i thënë se duhet të përshëndeste shoferin bodigard të minsitrit N, të cilit teksa podilte nga lokali I pati ngritrë dora në ajër, në pritje që Diti ti kthente përshëndetjen.

-S’e pashë që doli, murmuriti Diti, si i zënë në faj.

-Çpati që u turbullua bukuroshja ime nazike!?

Ah, këta sytë e turbulluartë Lindës! Aty llamburisnin e aty shkrepnin xixa. Herë zemërim e herë miklim. Herë joshje e herë sekëlldi…Edhe pse e njihte çdo shenjë të trupit të saj, çdo gjest dhe pore të lëkurës, pak ia njihte shpirtin dhe kjo e bënte të vuante, edhe pse nuk e jepte veten.

-Ti nuk shikon asgjë…Gjithnjë bredh në livadhe të pashkelura,-e thumboi Linda.

-Epo, kush shkel në të pashkelura, se në të shkelura e në të dhjera, mender meje, bredhin të gjithë!

Ata qëndruan një copë herë pa folur. Të dy mendonin për të njejtein person, bodigardin shofer të ministrit N, që shfaqej herë pas here si hije pas tyre. Sikur i ruante se ku shkonin, ku pinin kafe e drekonin.

Pas gjysëm ore nga mbërritja e tyre, ai shfaqej atje, ashtu i shkujdesur dhe kavalier, i gatshëm për t’i qerasur dhe duke hedhur herë pas here ndonjë rromuz.

Vërtet ata mendonin për të njejtin person, i cili sapo qe larguar nga kafeneja, duke lënë në ajër krahun e tij të shtrirë, në formë përshëndetje, në përgjigje të një shenje kthimi nga ana e Ditit, por mendonin në mënyra dhe pozicione të ndryshme.

Por këto nuk bën të thuhen që në krye të herës.

Ndryshe ky rrëfim do t’i ngjante një lakrori, që kur vihet në tavolinë, i janë hequr petët. E ç’kuptim do të kishte një tryezë mysafyrësh e shtruar me një lakror të tillë?!

Kini durim e gjithçka do të shtjellohet me radhë, i dashur lexues, secili nga personazhet do të marrë rrugën e tij e do të korrë çfarë ka mbjellë në ditë-netët e tij…

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.