14.5 C
Tiranë
E premte, 20 Shtator 2024

Lola Shehi.

Lola Shehi.

ZHURMË QË ÇON UJË NË MULLI TË PËRDHUNUESIT.

L'immagine può contenere: 6 persone, persone in piedi e spazio al chiuso

Me keqardhje vërej, se sot në disa portale të medieve të shkruara të Kosovës, apo edhe tek “ Lajmi i fundit” është
publikuar një foto dëshmi e dhunimeve seksuale të femrave shqiptare gjatë luftës së Kosovës nga ushtarët serb.
Këtë foto e ka bërë publike në parlament deputetja Dr. Flora Brovina. Nuk kam ndërmend të ndalem në ngjarjet e zhvilluara në parlament ku dihet se për nga vet forma e tij, është i ndarë në mendime pro e kundër, por nuk mund të pajtohem me faktin se publikimi i kësaj fotoje të ngjallë debate pa sens në media e opinionin shoqëror.. Nëse për çdo problematikë apo fenomen do e pranoja qëndrimin ndryshe, ky është rasti i vetëm ku qëndrimi duhet të jetë një dhe vetëm një. Të paraqiten sa më shumë fakte, dhe t`i furnizohen drejtësisë kombëtare dhe ndërkombëtare, në mënyrë që përdhunuesit të marrin dënimin e merituar.
Më duhet të them se konstatoj një qëndrim të dyfishtë. Nga njëra anë propogandojmë që viktimat e dhunës duhet të gjejnë forcën dhe të rrëfehen me zë e figurë ( pasi rrëfime pa figurë janë me mijëra) sepse vetëm kështu gjejnë shërim, nga ana tjetër ngrihemi dhe themi se publikimi i një fotofakti të gjallë përdhunimi në grup dhe para familjarëve të femrës në foto, përbën shkelje, pasi prek ndjenjën e moralit të femrës së dhunuar para familjes dhe opinionit të gjërë.
Po nëse po themi që përdhunimi është kryer para syve të familjarëve, për cilat ndjenja dhe për cilin moral po flasim?
Fiks para një muaji, pikërisht në datë 17 Prill 2019, kam promovuar në Prishtinë romanin tim “Zonja Misterioze”, roman që ka në themel temën e përdhunimeve të femrave shqiptare nga ushtria serbe në Bosnjë dhe Kosovë. Edhe pse kam deklaruar se tema është trajtuar në mënyrë artistike, por me ngjarje të gjalla dhe reale, në studiot televizive nga moderatorët e emisoneve ku isha e ftuar, u insistua të dihej nëse mua si autore e librit, më ishin rrëfyer me zë e figurë rastet e paraqitura, apo jo. Përderisa zgjodha që personazhi kryesor i romanit të ishte një mjeke gjinekologe dhe psikologe, nënkupton se materialet janë siguruar në këtë rrugë. Dhe jo më kot personazhin e zgjodha mjeke e psikologe, pasi këto profesione e kanë në themel të parimeve të profesionit , ruajtjen e anonimatit dhe privatësisë së pacientit të tyre.
Preka çështjen e romanit, pasi dua të qartësoj atë që kërkohet, dhe atë që trumbetohet pas publikimit të fakteve të përdhunimeve.
Tani të kthehemi tek fotoja e publikuar sot.
Gjatë kohës së ndërtimit të romanit, kam hulumtuar mjaft materiale e dëshmi nga të gjitha përdhunimet gjatë luftrave që në kohën e turqve. Kam arritur të gjej se ekzistojnë edhe muze ku janë të ekspozuara piktura e skulptura aktesh përdhunimesh seksuale.
Po fotoja e sotme, çfarë kishte më shumë?
Nëse bëhet fjalë për prekje të dinjitetit, a është e identifikueshme fytyra e femrës së përdhunuar? Jo, nuk është!
Epo drejtësia nuk bëhet pa fakte.
Mendoj se duhen publikuar qindra e mijëra foto të tilla, që të sensibilizohet dhe ndërgjegjësohet opinioni ndërkombëtar dhe organizmat kopetentë për këtë çështje.
Deputeten dhe aktivisten e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, dhe jo vetëm, Dr. Flora BROVINA, e komplimentoj për kurajon dhe luftën e saj këmbëngulëse për të denoncuar rastet e kësaj dhune makabre, si në parlamet dhe jashtë tij.
Uroj që ato femra që kanë pësuar në trupin e tyre gjënë më monstruoze siç është përdhunimi seksual, të ngrenë zërin, të solidarizohen me rastin dhe të bëhet drejtësi.
Përndryshe, kjo zhurmë e paprecedentë ndaj publikimit të fotos, dërgon ujë në mullirin e përdhunuesit.

Lola Shehi.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.