ANTIGONA – MOTRA IME QË U BË YLL I LIRISË 
kujtim të motrës sime, Antigonë Fazliut-dëshmore e kombit Ka njerëz që ikin nga kjo botë, por nuk largohen kurrë prej nesh. Ka fëmijë e të rinj që, ndonëse jeta e tyre u ndërpritet shumë herët, bëhen pjesë e kujtesës së një kombi dhe shndërrohen në simbole të një kohe, të një sakrifice dhe të një lirie të shumëpritur. E tillë është Antigona Fazliu, motra ime e vogël, e cila nuk mbeti vetëm një emër në kujtesën familjare, por u bë një yll që ndriçon në qiellin e lirisë sonë. Antigona ishte e re, por ëndrrat i kishte të mëdha. Në shpirtin e saj kishte dashuri për jetën, për njerëzit, për dijen dhe për atdheun. Mjekësinë e kishte pasion, sikur që në moshë të re kishte vendosur t’ua shëronte plagët njerëzve. Ajo dëshironte të bëhej mjeke, të ndihmonte të sëmurët, të sillte shpresë aty ku kishte dhimbje. Por fati deshti që Antigona të fitojë pavdeksinë,ku bie heroikisht se bashku me Komandant Ilaz Kodrën në mbrojtje të popullatës shqiptare të pafajshme dhe civile me 30 prill të vitit 1999 në Fortesë të Drenasit. Ajo qëndron sot si dëshmi e një brezi që nuk e pranoi robërinë dhe që ishte i gatshëm të sakrifikonte gjithçka për një të ardhme më të mirë. Në Lugjet e Verdha, aty ku dhimbja dhe heroizmi u bashkuan, ajo u bë pjesë e një historie që nuk mund të fshihet. Lirisë ia hoqi duvakun dhe, si një vajzë e dalë nga legjendat, e puthi në ballë. Kështu, nga një vajzë e vogël, u shndërrua në një figurë të madhe të kujtesës sonë. Ndonjëherë mendoj se Antigona nuk u nda prej nesh. Ajo vetëm ndërroi vendin. Nga shtëpia jonë u ngjit në qiell, nga një dhomë e vogël kaloi në hapësirën e pafund të kujtesës. Dhe unë, sa herë kthehem te vendi i shtëpisë së djegur, e kërkoj ende. Në mendjen time hap derën që nuk ekziston më dhe ulem pranë kujtimit të saj. Flas me të, sikur të ishte aty. E pyes: “Ku je, motra ime e vogël?” Dhe përgjigjen nuk ma sjell zëri, por heshtja e rëndë e kujtimit. Një nga kujtimet që më dhemb më shumë është ai i këpucëve të saj të shkollës. Ishin aq të vogla! Pak të pluhurosura, por për mua ato nuk janë thjesht një palë këpucë. Ato janë gjurmët e një fëmijërie të ndërprerë dhunshëm. Janë hapat e një vajze që duhej të ecte drejt shkollës, drejt ëndrrave, drejt jetës. Në vend të kësaj, historia e dhunshme e kohës ia ndërpreu rrugën. Dhe sot, ato këpucë të vogla më duken më të mëdha se çdo monument, sepse mbajnë në heshtje historinë e një jete që nuk u lejua të përfundonte. Antigona përfaqëson fëmijërinë e rininë, guximin dhe trimërinë, bujarinë dhe fisnikërinë. Ajo është bërë këngë e lirisë, marsh i kujtesës dhe ode e sakrificës. Nëpërmjet saj kujtojmë një brez që e pagoi shtrenjtë lirinë. Brezat që erdhën pas saj duhet ta dinë se liria nuk është një dhuratë që ra nga qielli; ajo u pagua me lot, me gjak, me jetë njerëzish dhe me ëndrra të ndërprera. Më dhemb sidomos fakti se Antigona e donte jetën. Ajo kishte plane, kishte ëndrra, kishte pasionin për mjekësinë dhe dëshirën për t’u shërbyer të tjerëve. Ndoshta pikërisht për këtë më duket edhe më e padrejtë humbja e saj. Një vajzë që donte të shëronte plagët e njerëzve, u bë vetë plagë e përjetshme në zemrën time. Unë ende flas me fotografinë e saj. Ndoshta dikujt mund t’i duket e çuditshme, por malli nuk pyet për logjikën. Kur njeriu humb dikë që e ka dashur, fotografia bëhet dritare. Përmes saj kërkon sytë, buzëqeshjen, zërin, lëvizjet dhe praninë e atij që nuk është më. Edhe unë, në çastet e mallit, flas me Antigonën. I tregoj çfarë ka ndodhur, i tregoj për njerëzit, për ditët që kanë kaluar dhe për boshllëkun që ajo la pas. Më kanë thënë se koha i shëron plagët. Por për mua kjo nuk është gjithmonë e vërtetë. Koha mund t’i zbusë disa dhimbje, por ka plagë që nuk shërohen; ato vetëm mësohen të mbahen. Dhe malli për Antigonën është një plagë e tillë. Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë kuptoj madhësinë e humbjes. Ndoshta njeriu nuk mësohet kurrë me mungesën; vetëm mëson të jetojë me të. Në një nga çastet e mia më të vështira, në imagjinatën time më erdhi Krenaria. M’u ul pranë, më përqafoi, m’i fshiu lotët dhe m’i ledhatoi rrudhat e ballit. Sikur më tha: “Kështu nuk ka qejf Antigona me të pa ty, o vëlla!” Ishte një zë i brendshëm, por kishte fuqinë e një ngushëllimi të madh. Sepse, përtej dhimbjes, ekziston edhe krenaria. Krenaria që motra ime u bë pjesë e historisë së lirisë. Dhe megjithatë, sa shumë do të doja ta dëgjoja edhe një herë zërin e saj! Vetëm edhe një herë, në ndonjë festë shkolle, ta dëgjoja këngën e saj, atë motiv që dikur më mbushte zemrën. Pastaj do ta lija të kthehej te shokët e saj, atje lart, në qiellin e Antigonës. Ndoshta atje e ka më mirë. Ndoshta atje nuk ka më luftë, as dhimbje, as lot. Ndoshta atje ajo mund të vazhdojë të ëndërrojë. Antigona nuk është vetëm motra ime. Ajo është pjesë e një brezi të tërë që u rrit me ninullat e nënave dhe ëndrrat për liri. Ajo është pjesë e asaj dëshire të madhe të nënës sonë që fëmijët e saj të bëheshin yje. Dhe Antigona u bë yll. U bë dritë. Prandaj, unë nuk do ta harroj kurrë. Nuk do ta harroj as shtëpinë e djegur ku u rritëm bashkë, as djepin, as ninullat e nënës, as ëndrrat tona të fëmijërisë. Nuk do ta harroj zërin, fytyrën dhe gjurmët e saj. Nuk do ta harroj as palën e vogël të këpucëve të shkollës, sepse ato më kujtojnë çdo ditë se sa e brishtë është jeta dhe sa e shtrenjtë është liria. Antigona është bërë legjendë. Është bërë simbol i fëmijërisë së vrarë, i rinisë së sakrifikuar dhe i një lirie të fituar me shumë dhimbje. Është bërë një emër që nuk duhet të shuhet. Dhe nëse qielli ka vërtet shtatë qiej, atëherë unë dua të besoj se në njërin prej tyre është një vend i veçantë për të. Qielli i Antigonës Atje ku ajo rri si yll. Atje ku nuk ka më dhimbje. Atje ku ëndrrat nuk digjen. Atje motra ime e vogël është bërë e madhe sa përjetësia. Antigonë Fazliu – motra ime, ylli im, kujtesa ime e përjetshme dhe një nga dritat e lirisë sonë. Me dashuri dhe mall të pashuar, yt vëlla, Hajriz Fazliu
Poezi: Hajriz Fazliu FLAS ME TY MOTËR ANTIGONË (kushtue

motrës sime Antigonë Fazliu) Motër, po më digjet xhani sepse shumë po më mungon shumë nderime nga Vatani jam krenar me ty, motër Antigonë. Kur pushoj, s’kam detyrime dal i vetëm të mendoj, e zhuritur kjo zemra ime malli seç më përv’lon. Do të jetë kështu gjithmonë krenari edhe nderime nga njerëzit që e vlerësojnë veprën tande motra ime. Rri mendoj unë fëmijërinë Kur së bashku thurshim andrra kur flisnim për rrugë të dijes s’mendojshim për koh’na të randa. Koha ndërroj shumë me shpejtsi andrrat na i la në mes Ti u flijove për LIRI Motra ime që kurrë s’vdes. Rri i ulun mbi një gur në brigje të anëve tona me vete shpesh belbëzoj flas me ty unë, Antigona Nga mendja nuk të heq dot në zemër të kam mbërthye e kam unë gjithë botën shokë krenari ashtë motra e vyer Nga vdekja unë nuk kam frigë dhe në luftë kurr s’u tërhoqa plumbi qe ma ç’poi shpirtin N’zemër ngeli, unë se hoqa Dhe ditën kur do të vi pranë krenar vi me këtë emën motër do vi të takoj e ta heq plumbin në zemër.