…. po shkëpus për ju miq, një dialog të vogël nga libri im “Mafia në familjen time” që më dhemb fort në shpirt si atë ditë që e përjetova, edhe sot….
– Mami…. – i thashë me ngurrim një ditë.
– Po, zemër? – u përgjigj ajo duke më parë në sy.
– Po Adir D., a ka frikë nga Zoti?
– Nuk e di zemër, nuk jam e sigurtë nëse ai e njeh Zotin.
– Po përse Zoti nuk i dënon njerëzit e këqinj, mami?
– Sepse Zoti është i mirë, zemra ime. Ai kurrë nuk do të dënonte dikë pa provuar më parë ta shpëtoje atë.
– Po nëse nuk e shpëton dot Adir D., a mundet Zoti të na shpëtoje ne? Unë kam gjithmonë frikë mami, se mos na ndodh diçka e keqe. Unë nuk dua të rri pa ty, babin e vëllain. Të lutem, më premto që ti do të flasësh me Zotin dhe do t’i lutesh që ne të jemi gjithmonë bashkë.
– Zemra ime, princeshat si ti nuk duhet të kenë frikë. Ti do ta shohësh që Zoti do t’i dëgjojë lutjet tona. Ai është i mirë dhe u jep të gjithëve një mundësi të dytë, ndoshta dhe të tretë përpara se të vendosë drejtësinë e Tij hyjnore. Të gjithë ne kemi mundësi që gjatë jetës t’i ndreqim disa nga gabimet e bëra. Ndaj njeriu rritet e maturohet me kohën dhe kupton më mirë shumë gjëra. Atëherë kur vjen momenti i duhur kemi mundësinë të kthehemi në rrugën e drejtë dhe të kërkojmë falje përpara Zotit me shpirtin e hapur. Në të kundërt, ajo çka kemi mbjellë në jetë do të na kthehet mbrapsht si çmim për t’u paguar. Çdo gjë në jetë, është zgjedhje e dashura ime. Duhet të jesh i mençur për të zgjedhur drejt, e jo të gjithë e kanë luksin e këtij virtyti hyjnor.
– Të dua shumë mami!
– Edhe unë, lulja ime. Ti nuk do të jesh kurrë vetëm, këtë ta premtoj.
Teksa kujtoj biseda të tilla, që as biseda nuk mund t’i quaj, ende më dhemb thellë në kraharor. U detyrova të rritesha përpara kohës që i duhet një fëmije normal të përjetojë rritjen mendore e shpirtërore. U detyrova të bëhesha “e mençur” përpara se të kuptoja vështirësinë për të qenë e tillë. Zoti më kishte “zgjedhur” mua për të më dhënë një familje kaq të bukur e tani ishte radha ime për t’i treguar Perëndisë se unë i isha mirënjohëse e t’ia shpërbleja të mirën, nëse do të kishim edhe një shans të fundit për të qenë të lumtur të katërt së bashku.
“””””””””””””””””””””””””””

Ajo cfarë bëjmë ne shqiptarët në politikë quhet absurd apo paradoks?
Që t`i përgjigjesh kësaj pyetje fillimisht duhet të biem dakort nëse ne si popull e njohim artin e të bërit politike apo jo. Në fakt, që në fjalinë e parë jam dakort ta mbyll arsyetimin me një Jo të thellë e të plotë duke arsyetur se e vetmja gjë që na është servirur si politikë në këto vite ka qenë klientelizmi, si ai politik po ashtu dhe ai ekonomik në funksion të ndërtimit të politikes kapitaliste sic ajo nuk është në të vërtetë.
Megjithatë është interesante për mua të përpiqem të kuptoj sesi ia kanë dalë politikanët tanë (nuk jam e sigurtë nëse është termi i duhur për t`iu drejtuar shumë prej atyre që përfaqesojnë popollin në parlament në këto 3 dekada) të vazhdojnë absurdin dhe paradoksin në të njëjtën kohë, si zgjatim të një regjimi vdekjeprurës për individin.
Do të doja të mos e shtroja këtë arsyetim të shkurtër në shtjellimin se cfarë përfaqësojnë partitë politike në Shqipëri, të paktën 2 grupimet kryesore politike sepse do të ngatërrohesha në një fill që del, përsërit e bën spirale të vazhdueshme vetëm rreth vetevetes.
Cfarë është absurdi të cilit i referohem në këtë rast?
Absurdi është e kundërta e logjikës së mendimit dhe logjikës së veprimit, një sjellje apo qasje që është absolutisht i pakuptueshëm, prej së cilës nuk mund të përfitohet asgjë e dobishme.
Absurdi është në rastin politik që po e shtroj këtë ceshtje edhe propaganda e besimit se një forcë politike është e suksesshme sepse propogandohet pa pushim e arrin deri në pikën që përfundon duke i besuar këtij lavazhi të vazhdueshëm të trurit edhe pse individi e di fare mirë në logjikën e tij se është thjesht propogandë mashtruese e nuk ka asgjë të vërtetë në të. Këtu absurdi ia del t`i bëhet shtrojë mashtrimit e të mbulojë cdo paqartësi të dijes në këtë aspekt.
Mendoj se absurdi politik (absolutisht absurd per mendjet qe prodhojne ne funksion te jetes e jo te vdekjes) nis të paktën që me fillimin e diktaturës në Shqipëri, në vitin 45` (vrasjet e para politike filluan më herët si mënyrë e spastrimit të kundërshtarëve politike). Por sigurisht shumëkush do të mendojë se nuk ka asgjë absurde në instalimin e një diktature, madje gjithcka ka qenë e mirëmenduar dhe e organizuar në detaje. Absurde bëhet për mendjet e shëndosha por jo për ata të cilët i kanë shërbyer absurdit me dëshirë për të nxjerrë përfitime personale prej tij apo në rastin më të dhimbshëm i shërbyen prej injorancës dhe frikës që instalon në mendjen e pazhvilluar absurdi.
Dualiteti i mendimit të pasigurisë të con në zbërthime të tjera duke vëzhguar rrugën në të cilën jetoi diktatura në Shqipëri. A mund të gjendet një logjikë e shëndetshme në vrasjet, internimet, burgosjet, varfërinë ekstreme e brutalitetin e dhunës së përdorur për të sjellë si pasojë e këtyre veprimeve dashurinë për partinë dhe heroin komunist? A është ky absurditet apo paradoks? Paradoksi në ndryshim të absurdit, paraqet një kontradikte të dukshme me përvojën e përbashkët dhe principet elementare të logjikes, por që në përfundim rezultojnë të vlefshme apo të vërteta. Dhe në Shqipëri ia doli që pasi vrau e spastroi gati gjysmën e popullsisë të qëndronte i parekur e i pandryshuar në logjikën paradoksale të absurdit që krijoi.
Cfarë absurdi apo paradoksi ka prodhuar rrëzimi i diktaturës në Shqipëri duke parë ecurinë 30 vjecare të tranzicionit post-komunist? Ka mundur politika tek ne të c`bëjë (edhe pse nuk është marrë kurrë ndonjëherë me këtë pikë) apo zbusë shqetësimet bazike të individit përballë vetë eksistencës së këtij të fundit? Ne, shqiptarët kemi mundur të mbijetojmë e si pasojë ekzistojmë ende por nuk kemi mundur të bëjmë një hap të mëtejshëm e më frytdhënës në fushën politike e të ndërtimit të saj sesa klientelizmi politik. E vetmja gjë që nuk tingëllon absurde duke njohur realitetin tonë, por që është paradoksale në vetvete. Paradoks sepse klientelizmin e kemi kthyer në formulë politike e ia kemi ngjeshur filozofisë kapitaliste të të bërit politikë. Absurdi jonë shkon deri aty sa jemi terrorizuar si popull për dekada e përsëri frika, që është lidhur fort pas fytit si një litar që nuk i gjindet nyja, është ndjenja së cilës përulemi më shumë. Frikë se ndryshimi do të sjellë regres (jo se nuk ka ndodhur më parë tek ne), frikë se nëse ikën lideri aktual do mbetemi pa bukë e pa shtet (referuar mendimit popullor pas vdekjes së diktatorit dhe për dreq referuar mendimit të sotëm popullor se nëse ikën lideri aktual nga pushteti do të mbetemi pa vaksina!!!!!), frikë se ne nuk e njohim filozofinë e bërjes poltikë pa klientelizëm, pa absurd e pa paradoks.
Me vjen në mend një shprehje e shkëlqyer e Albert Camus që unë në këtë rast do të doja ta përshtasja këtu: nëse politika e dënon me vdekje njeriun, atëherë njeriu të mos e pranojë këtë!
E vetmja gjë që nuk njohëm ndonjëherë si popull është rebelizmi! Të tjerat i kemi provuar e prodhuar me tepricë!